1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asnjë ndihmë për depozituesit rusë në Qipro

dpa / dw2 Prill 2013

Rusët e pasur kanë depozituar miliarda në ishullin mesdhetar, Qipro. Por pas shpëtimit të bankave Moska nuk do të marrë pjesë me ndihma për kompensimin e humbjeve.

Fotografi: Fotolia/A. Gvozdikov

Në rast se rusët do të humbasin shuma të mëdha parash prej masave për shpëtimin e sisitemit financiar të Qipros, kjo është për të të ardhur shumë keq, thotë zëvendëskryeministri rus Igor Schuvalov në një intervistë në televizion. "Por qeveria ruse nuk do të ndërhyjë në një situatë të tillë." I vetmi përjashtim do të bëhet për ndërmarrjet, në të cilat ka pjesë edhe shteti rus. Në këtë rast Moska është "e gatshme ta shqyrtojë mundësinë këtu në Rusi publikisht dhe në mënyrë transparente, sipas rastit", tha Schuvalov.

Igor Schuvalov, zëvendëskryeministri rusFotografi: DW

Sipas vlerësimeve të Bankës Kombëtare të Qipros depozitat ruse në Qipro llogaritet të jenë rreth pesë deri në dhjetë miliardë euro. Sipas një raporti të Shërbimit Informativ Gjerman (BND) kjo shumë arrin madje në 20 miliardë euro. Shumë rusë të pasur tani i kanë sjellë paratë në këtë vend tashmë të shpëtuar prej BE-së. Taksat e ulëta, pak kontrolle dhe interesat e larta bankare para masave për shpëtimin e bankave në rrezik e bënin Qipton joshëse për kapitalin e huaj. Edhe ndërmarrjet shtetërore, si koncerni energjetik rus Gazprom, deri tani një pjesë të biznesit e realizonin përmes Qipros.

Tatimi i posaçëm ndoshta do të jetë edhe më i lartë

Në kuadër të paketës së ndihmave për shpëtimin nga falimentimi do të ristrukturohen edhe dy bankat më të mëdha të Qipros. Në valën e këtyre masave do të mbeten të paprekura vetëm depozitat nën 100.000 euro. Çdo shumë e depozituar mbi 100.000 euro do t'i nënshtrohet detyrimit për taksën e posaçme. Klientët e bankës më të madhe në vend, Bank of Cyprus, tani duhet të llogarisin me një kuotë rikuperimi prej 60%. Deri tani bëhej fjalë për një tatim prej rreth 30% deri në 40%.

Pjesëmarrja e detyrueshme e të pasurve në fondin e shpëtimit ishte kompensimi që u bë për stabilizimin e vendit në prag falimentimi gjatë bisedimeve të vështira për ndihmën financiare prej dhjetë miliardë eurosh të BE-së dhe FMN-së. Fillimisht në bisedime u shtrua edhe opcioni i tatimit të detyrueshëm për të gjitha depozitat bankare pa përjashtim. Kundër këtyre planeve pati rezsitencë të fortë jo vetëm në Qipro.