280510 NPT Abschluss
29 Maj 2010Megjithë negociatat intensive për katër javë me radhë, 189 vendet pjesëmarrëse nuk mundën të bien dakord për masa konkrete mbi forcimin e marrëveshjes më të rëndësishme në historinë e kontrollit të armatimit. Deri në minutën e fundit rezultati i konferencës ishte në buzë të humnerës. Pika kryesore e mosmarrëveshjeve ishte plani për një zonë të lirë nga armët bërthamore në Lindjen e Afërt.
Pesë fuqitë bërthamore bllokojnë
Ashtu si në tri konferencat e fundit të kontrollit që prej vitit 1995, pesë fuqitë zyrtare bërthamore SHBA, Rusi, Francë, Britani e Madhe dhe Kinë, refuzuan vendosjen e hapave obligues për çarmatimin e plotë bërthamor të arsenaleve të tyre të armatimit, siç është premtuar prej tyre në marrëveshjen për ndalimin e armëve bërthamore.
Të gjitha formulimet përkatëse në projektin fillestar të dokumentit përfundimtar të konferencës, i cili u prezantua javën e kaluar nga presidenti i konferencës, filipinasi Libron Cabactulan, nën trysninë e Uashingtonit, Moskës, Londrës, Parisit dhe Pekinit u hoqën përsëri në ditët e fundit të negociatave.
Kështu edhe obligimi për të hequr dorë nga modernizimi i mëtejshëm dhe zhvillimi i armëve të reja bërthamore si dhe për të mos prodhuar më material ndarës për qëllime ushtarake. U refuzua edhe kërkesa qendrore e përbashkët e shteteve pa arsenal bërthamor, për negociata mbi një konventë për ndalimin mbarëbotëror të armëve bërthamore.
Kritikë nga organizatat joqeveritare
Qendrimi i pesë fuqive bërthamore u kritikua ashpër nga Ruth Achedon, zëdhënëse e një numri të madh organizatash joqeveritare, të cilat ishin të përfaqësuara në konferencë si vëzhgues.
"Qëndrimi i pesë fuqive bërthamore është një sulm kundër të gjitha formulimeve për çarmatim në dokumentin përfundimtar. Një sulm i organizuar, shumë sistematik ndaj çarmatimit. Pesë fuqitë bërthamore nuk duan asnjë përcaktim detyrues apo formulime të cilat do të shënonin përparim në krahasim me dokumentin përfundimtar të vitit 2000."
Mospranimi i negociatave për një konventë ndërkombëtare mbi eliminimin e të gjitha armëve bërthamore është një refuzim edhe për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, i cili në hapje të konferencës së kontrollit në fillimit të majit, e kishte mbështetur shprehimisht këtë kërkesë dhe kishte paraqitur një propozim me pesë pika për çarmatimin bërthamor mbarëbotëror.
Nuk ka alternativë ndaj konventës për armët bërthamore
Por Jayantha Dhanapala nga Sri Lanka, president i konferencës së kontrollit në vitin 1995 dhe kryetar për vite me radhë i konferencës së OKB-së për çarmatimin, nuk sheh asnjë alternativë ndaj një konvente për armët bërthamore:
"Një konventë për ndalimin e armëve bërthamore është një zgjidhje e qartë logjike. Në vitin 1972 në ramë dakord për konventën mbi ndalimin e armëve biologjike, në fillim të viteve '90 për konventën mbi ndalimin e armëve kimike. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me armët bërthamore, nëse duam të eliminojmë armët e shkatërrimit në masë."
Fuqitë bërthamore e hedhin poshtë kritikën ndaj qendrimit të tyre në konferencën e kontrollit. Franca e refuzon si të panevojshme kërkesën për një konventë për armët bërthamore, pasi e sheh veten në krye të lëvizjes për çarmatim bërthamor, shpjegon ambasadori Eric Dardon:
"Ne jemi plotësisht të angazhuar. Që prej 15 vitesh kemi bilancin më të mirë të çarmatimit ndër pesë fuqitë bërthamore. A njihni ndonjë shtet tjetër, i cili ka çmontuar plotësisht centralet bërthamore të pasurimit? Ne e kemi bërë këtë."
Si reagim ndaj refuzimit të pesë fuqive bërthamore për obligime konkrete mbi çarmatimin, pjesa më e madhe e 184 vendeve që nuk posedojnë armë bërthamore refuzuan të gjitha propozimet logjike për politikën e çarmatimit që u paraqitën në Nju Jork.
Autor: Andreas Zumach / Eliana Xhani
Redaktoi: Esat Ahmeti