1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Ata shtohen përditë!" - Të pastrehët e Athinës në kohën e krizës

21 Dhjetor 2010

Një nga plagët e shumta të Athinës në krizë janë edhe të pastrehët. Shteti bën fjalë për rreth 8.000 vetë, kurse OJQ-të për 20.000 në të gjithë vendin.

Akropolis Athen Griechenland Nachtaufnahme
Athina ka edhe një anë tjetër, veç Akropolit të ndriçuar, - atë të varfërisë në rritje për shkak të krizës

Stefanos dhe Thanasi sapo bie nata nxitojnë të struken në qoshen e tyre në të djathtë të hyrjes së Qendrës Kulturore të Bashkisë së Athinës. Aty do të kalojnë edhe një tjetër natë të ftohtë dhjetori. “Një tjegull mbi kokën tonë dhe një copë bukë të hamë”, kjo është e tëra që duam thotë Stefanos në mikrofonin e DW-s.

Stefanos ka ardhur nga Skocia prej dy vjetësh. Kur humbi punën për shkak të një aksidenti në ndërtim, ai nuk e mori dot më veten dhe përfundoi në rrugën e drogës. Po ashtu edhe Thanasi, miku i tij. Edhe ai endet i papunë, i rënduar nga problemet e drogës që prej 3 vjetësh, kur humbi punën si shofer kamioni.

Të pastrehët Stefanos dhe ThanasiFotografi: DW

Betejë e përnatshme për stolat në Athinë

“Një cigare, or mik, patriot jam edhe unë” dëgjohet në zhargonin e njohur të të pastrehëve një zë djathtas, në hyrje të Fakultetit Juridik. I pastrehu pasi e merr në duar e ndez menjëherë dhe kthehet shpejt drejt stolit ku kishte lënë kartonin e tij. Çdo vonesë mund t'i kushtojë vendin nga një tjetër nevojtar i pastrehë, kur për natë në qendër të Athinës dhe tani dhe përreth saj, nëpër 250 pika të ndryshme, nëpër portiqe dhe kube, nëpër parqe dhe në çdo skutë të volitshme, të pastrehët nisin “betejën e stolit” ose “betejën e kartonit” për një vend ku të mbledhin kockat e tyre.

“Bashkia nuk ofron qendra strehimi. Është një përrallë. Sa për sy e faqe. Ka vetëm 700 vende dhe mund të qëndrosh vetëm për 6 muaj” thotë Stefanos, i cili si shumë të tjerë preferon një zgjidhje më të “qëndrueshme”. Ai do një qoshe të “kaparosur” por jo shumë të aneksuar dhe të errët, megjithë rrezikun që kjo mund t'i kushtojë jetën, si imigrantit bullgar Ivan Ivanov, pas sherrit me një të pastrehë vendas muajin shtator.

Një i pastrehë pret orarin e drekës. Një herë në ditë ofrohet dreka për të varfrit në AthinëFotografi: DW

Të pastrehët athinjotë bëjnë jo vetëm një jetë të varfër, por edhe të pasigurt

Janis Vracanos, dikur kapiten i dytë, sot njeri i rrugës thotë: “Pasiguri e madhe. Natën fle me frikë. Nuk e di nëse do të gdhihem apo jo. Po ndodhin shumë gjëra” thotë Ai nuk e fsheh shqetësimin e tij që kriza po nxjerr nga puna dhe hedh në rrugë gjithnjë e më shumë njerëz si ai. Në rrugën Sofokleus çdo ditë mblidhen rreth 2.500 të vobektë dhe nevojtarë për të ngrënë “drekën e solidaritetit” të ofruar nga kisha dhe bashkia.

Silvia Lazarou kërkon më shumë dinjitet për të pastrehëtFotografi: DW

“Dua të kem dinjitet dhe le të fle rrugëve” thotë Silvja Lazaru, po ashtu e pastrehë. Ajo kujton kohën kur kishte biznesin e saj, punishte mermeri por edhe shtëpi në distriktin e pasur të Glifadhës.

Numri i të pastrehëve rritet përditë në Athinë

Listat e të pastrehëve të rinj nuk kanë të mbaruar. “Vijnë përditë e më shumë, pa le të vinin dhe të zinj të tjerë” thotë Kristos Baburas tek po dilte nga Fjetorja e të Pastrehëve të Kryqit të Kuq në rrugën Epikuru të sheshit Kumunduru ku çoi një grua të pastrehë. Fluksi duket i pamenaxhueshëm në një kohë që në krah të bashkisë, kishës, Kryqit të Kuq angazhohen tani dhe mjaft organizata jo qeveritare.

Shumica e tyre janë grekë. Ministria e Shendetësisë nuk e di numrin e tyre të saktë, pasi bën fjalë për 7.720 kurse Observatori Evropian bën për 17.000 dhe OJQ për 20.000. Mosha mesatare e tyre është 47 vjeç, 75% burra dhe 25% gra. Shteti nuk i përcakton as me termin juridik si “të pastrehë” dhe kështu eviton çdo asistencë sociale. E vetmja që bën është t'u ofrojë një drekë. “Për këtë arsye vijnë për ditë në Fondacionin e të Patrehëve rreth 4.500 vetë” i thotë DW nënkryetari i Bashkisë së Athinës Elefterios Sqadhas.

Autor: Niko Anagnosti/Athinë

Redaktoi: Lindita Arapi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW