1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Athina apelon tek Shkupi të bëjë lëshime

Niko Anagnosti / Athinë8 Prill 2008

Bisedimet midis Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit do të rifillojnë së shpejti, me sa duket, në qoftë se përfundimisht vendi fqinj nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

The Caryatids, Athens, Greeced

Uashingtoni filloi të angazhohet sërish duke iu dërguar apel të dyja palëve për vazhdimin e proçesit të ndërprerë pak para samitit të Bukureshtit. Ndihmës sekretari amerikan i shtetit Daniel Frid, i telefonoi ministres së jashtme greke Bakojani, nga e cila mori "O.K." e palës greke. Pas kësaj negociatori grek Vasillaqis u ftua në ministrinë e jashtme, ku mori udhëzime dhe është gati për të udhëtuar për Nju Jork.

Në këto kushte apel ndaj Shkupit për një zgjidhje në kuadrin e OKBë-së drejtoi vetë kryeministri grek. " Shpresoj që edhe pala tjetër të përgjigjet pozitivisht për të mirën e të gjithëve në rajon" tha Karamanlis pas takimit me presidentin Papulias. Njëkohësisht theksoi "se çështja e emrit nuk është e lehtë", një ide që dominon në pozicionimet e politikanëve dhe komentet e analistëve pas vetos. Ministria e jashtme Bakojani, nga ana e saj, shkoi më tej duke bërë fjalë dhe për një gjitoni të vështirë. "Le të lemë historinë, të cilën do ta gjykojnë historianët dhe të shohim të ardhmen, e cila e ardhme është që të dy vendet të jetojnë së bashku në këtë gjitoni të vështirë ballkanike" tha Bakojani e cila në tone kategorike hodhi poshtë opinionin se Athina aspiron shpërbërjen e vendit fqinj nën peshën e rivendikimeve të faktorit shqiptar.

Një indeks i qartë i vështirësisë ishin dhe deklaratat e Daniel Frid në Uashington, që foli për "gjuhë dhe etnitet maqedonas", që Athina nuk e pranon dhe nuk e fshehu iritimin e saj . "Deklarata të tilla nuk ndihmojnë" deklaroi Bakojani për të sqaruar se ajo çka diskutohet në kuadrin e OKB-së është vetëm emri.

Synimi ndërkohë është që të kalohet nga apelet e njëanshme në komunikim të drejtpërdrejtë, për të cilën ushtron presion të madh opozita. Kryetari i opozitës socialiste, Papandreu, që në prag të Bukureshtit u frenua nga Karamanlis dhe nuk vajti në Shkup, kërkoi iniciativë të menjëhershme nga Athina duke cilësuar popullin e vendit fqinj "si të vetmin aleat të vërtetë" në kapërcimin e konfliktit për emrin.