Athina kërkon angazhimin e shqiptarëve në zgjidhjen e konfliktit për emrin e Maqedonisë
15 Qershor 2007
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Intregrimin, Ali Ahmeti u prit sot në ministrinë e jashtme greke nga ministria e jashtme Dora Bakojani, me të cilën disa orë më parë ishin gjetur në tavolinën e përbashkët të sesionit të 9të dyditor të Projektit për Marrëdhëniet Ndërtetnike me temë “Ballkani si faktor paqeje dhe sigurie në Evropë” të mbajtur në hotelin “Metropolitan” të Athinës.
Bashkëbisedimi i veçantë Ahmeti-Bakojani, në rezidencën e ministrisë së jashtme greke, erdhi si një tjetër konfrmimim i vlerësimit pozitiv që i bëhet rolit të faktorit shqiptar në zhvillimet demokratike dhe bashkëjetesën në vendin fqinj por edhe i konsideratës së diplomacisë greke për nevojën e angazhimit të këtij faktori në krijimin e një klime mirëkuptimi në Shkup për arritjen e një kompromisi për emrin.
Pa kundërshtuar këtë opinion zoti Ahmeti thotë se bisedimet të cilat u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe konstruktive përfshinë problemet e rajonit dhe përspektivën euroatlantike të Maqedonisë e lidhur me çështjen e konfliktit Athinë-Shkup për emrin: “Përsa i itakon emrit të Maqedonisë ky është një kontekst midis Maqedonisë dhe Greqisë. Dihet historikisht përse ka lindur ky problem. Ne shpresojmë në raporetet e mira fqinjësore me qëllim që te gjendet më në fund një zgjidhje përsa u përket konteksteve në lidhje me emrin. Nga pala maqedonase nuk duhet të ketë provokacione të niveleve të ulëta. Më shumë mirëkuptim dypalësh dhe të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dy vendet.”
Por emri nuk mund të jetë një çështje indiferente për faktorin shqiptar, aq më tepër që kapërcimi i tij me konsensus kushtëzon edhe proçeset e mëtejshme integruese euroatlantike. “Ne nuk na ka pëlqyer dhe gjithmonë kemi kërkuar që pjesa e bisedimeve për kapërcimin e kontekstit të emrit të jenë edhe përfaqësuesit politikë shqiptarë, se Maqedonia sa është vend i Maedonasve është edhe vendi ynë, për përspektivën e Maqedonisë sa të interesuar janë maqedonasit po aq jemi edhe ne. Ne vend tjetër nuk kemi. Maqedonia është vendi znë dhe ne aty duam të ndërtojmë të ardhmen tonë. Kështu që anashkalimi i komunitetit shqiptar jo vetëm në lidhje me kontekstin e emrit por edhe me probleme të tjera të politikës së jashtme, të politikës së mbrojtjes apo çështje të sigurisë, sigurisht që duhet të jemi pjesë aktive dhe ne disa herë e kemi kërkuar që në të gjitha grupet punuese të marrim pjesë dhe të japim kontributin tonë”.
Zoti Ahmeti i shpalosi bashkëbisedueses së tij frytet pozitive të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, që sipas tij çuan në nënshkrimin e marrëveshjes së Asoçiim Stabilizimit me Bashkimin Evropian por edhe vërrejtjet e tij për një ngadalësim të implementimit të mëtejshëm të reformave.: “Marrëveshja e Ohrit është model që mund të gjejë aplikim dhe në vendet e tjera të rajonit. Deri tani është investuar mjaft në këtë drejtim. Por unë disa herë kam shfaqur pakënaqësine time, sepse të gjithë ata që investuan, nga komuniteti ndërkombëtar, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kështu edhe nga Bashkimi Evropian dy vitet e fundit e kanë tërhequr vëmendjen nga Maqedonia dhe nga kontrolli që ushtronin mbi zbatimin në praktikë të Marrëveshjes së Ohrit, duke patur parasysh se në rajonin tonë, por edhe jashtë rajonit tonë, ka kriza shumë më të thella” Ai që jep frytet është tani përkushtimi i forcave të brendshme.
“Duhet thënë se me ndërrimin e pushteteve ka pak neglizhencë në këtë drejtim. Nuk e them për faktin se unë nuk jam pjesë e pushtetit, por vërrehen shkelje në aspektin e Marrëveshjes së Ohrit dhe anashkalohen çështje shumë të rëndësishme dhe fillon një fazë që i komplikon paksa gjërat duke i majorizuar shqiptarët në parlamentin e Maqedonisë duke votuar ligje që buronin drejtpërsedrejti nga Marrëveshja e Ohrit që në të kaluarën janë votuar me parimin e dyfishtë apo me parimin e batiterit dhe tani ka disa ligje që nuk votohen apo rivotohen pa u respektuar parimi i batiterit”.
Zoti Ahmeti në frymën edhe të punimeve të sotme të tryezës së sotme për bashkëjetesën ndëretnike thotë se implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, “të këtij dokumenti shumë të rëndësishëm që vendosi paqen dhe hapi përspektiven e ndërtimit të raporteve të barazisë midis shqiptarëve dhe maqedonasve” është një obligim ndaj vetë demokracisë edhe paqës në rajonin më të gjerë të Evropës Juglindore”.