Athina më aktive për Kosovën
6 Prill 2006
Në takim, i cili u zhvillua në nivel ekspertesh të lartë, morën pjesë përfaqësues të 5 vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit për Kosovën (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë, Anglisë, Gjermanisë edhe Italisë), të 10 vendeve pjesëmarrëse të Procesit të Bashkëpunimit Ndërballkanik, të presidencës austriake të Bashkimit Evropian, të UNMIK-ut, por edhe përfaqësues të NATOS, OSBE-së, Këshillit të Evropës edhe Komisionit Evropian. Delegacioni gjerman kryesohej nga drejtori i
drejtorisë për çështjet e Evropës Juglindore në ministrinë e jashtme, ambasadori Yohannes Haindl, ai amerikan nga ndihmës sekretarja për çështjet evropiane Rosemary Dicarlo, kurse ai rus nga kështilltari special i ministrit të jashtëm për Ballkanin, Aleksandser Botsan-Kharchenco.
Takimi u mbajt me dyer të mbyllura, të cilat u hapen për pak në fillim të tij për gazetarët dhe vetëm për përshendetjen e zëvendës ministrit të jashtëm grek Janis Valinaqis.
"Eshtë e nevojshme që ky takim të kontribuojë në stabilitetin e rajonit, të ekzistojë një përspektivë evropiane për të gjithë rajonin dhe të mund të konkludojë në zgjidhje reciprokisht të pranueshme dhe jo të imponuar nga jashtë", tha Valinaqis duke theksuar shprehimisht se, "erdhi ora që vendet e rajonit të marrin pjesë në mënyrë më aktive në zgjidhjen e problemeve të rajonit".
Takimi i zgjeruar, me pjesëmarrjen jo vetëm të protagonistëve të çështjes por të gjitha palëve të interesuara, ishte nismë e Athinës, që aktualisht dhe deri në muajin maj kryeson Procesin e Bashkëpunimit Ndërballkanik. Greqia mundi të sigurojë
përgjigjen pozitive të Grupit të Kontaktit pasi paraprinë edhe dy misione kryesuese të saj të troikës ballkanike në Prishtinë edhe Beograd.
Në kushtet e mungesës së çdo informacioni tjetër zyrtar dhe të një deklarate përfundimtare që pritej nga çasti në çast (pjesëmarrësve iu ndalua çdo deklaratë e veçantë), burime të sigurta gazetareske thonë se vëmendja u përqendrua në qëndrimin e palës serbe (kryesohej nga ndihmësi i ministrit të jashtëm të Serbisë-Malit të Zi, Pavle Jevremovic,), mbi të cilën ushtrohet presion nga të gjitha palët, përfshi edhe atë ruse (siç, rezultoi edhe nga kontaktet e eksperteve të lartë grekë së fundi në Moskë), që të ndërgjegjësojë "realitetin e ri" për pranimin e një "pavarësie të monitoruar". Gjithsesi takimi i sotëm tregoi se faktori ndërkombëtar, edhe pse ka fjalën e fundit në formën e statusit, dëshiron të dëgjojë edhe fjalën e fqinjëve ballkanas.