1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Athina-Moska edhe Sofja do të lidhen me naftësjellës

Niko Anagnosti7 Shtator 2006

Athina-Moska edhe Sofja vendosen dje ne nivelin më të lartë politik për ndërtimin e naftësjellësit Burgas-Aleksandrupoli, një vepër me rëndësi të veçantë në "hartën energjetike" por edhe raportet gjeopolitike në rajonin më të gjerë të Evropës Juglindore

Fotografi: AP

Brenda vitit do të nënshkruhet marrëveshja ndërshtetërore për ndërtimin e veprës, e cila do të jetë 285 km e gjatë, do të kushtojë e shumta 900 milionë euro dhe do të transportojë 35-50 milionë tonë naftë në vit nga brigjet bullgare të Detit të Zi në ato të qytetit grek Aleksandrupoli për të përfunduar me tregun evropian të naftës. Naftësjellësi vlerësohet si një tjetër hap konkret i Moskës në përpjekjen e saj për tu bërë "burimi kryesor energjetik" i Perëndimit, gjë që shkakton edhe reagimin e Uashingtonit.

Naftësjellësi aq shumë i përfolur Burgas-Aleksandrupoli, ideja e të cilit u hodh që para 13 vjetesh, po hyn me sa duket në rrugën e materializimit duke marrë avantazhin tani për tani ndaj variantit tjetër konkurrues Burgas-Shkup-Vlorë. Tre vendet protagoniste të këtij projekti, Rusia, Greqia edhe Bullgaria, pas një samiti dy orësh midis presidentit rus Putin, kryeministrit grek Karamanlis dhe presidentit bullgar Parvanov në Athinë dolën me deklaratën e përbashkët për "bashkëpunimin në fushën e energjisë" dhe vendim kryesor, që u quajt historik, ndërtimin e naftësjellësit, që do të jetë 285 km i gjatë, do të transportojë nga brigjet bullgare të Detit të Zi në ato greke 35 deri 50 milionë tonë naftë në vit dhe do të kushtojë e shumta 900 milionë euro.

"Deklaruam në nivelin më të lartë vullnetin për të kaluar në ndërtimin e veprës, në thelb vendosem afate edhe proçedura të tilla që do të mund të nënshkruajmë brenda vitit 2006 marrëveshjen ndërshtetërore" tha në konferencën e përbashkët për shtyp kryeministri grek, i cili nënvizoi rëndësinë më të gjerë të naftësjellësit për tregun evropian të energjisë dhe dëgjoi në këtë çështje së bashku me presidentin bullgar presidentin Putin t’u kujtojë rolin aktiv që përftojnë me këtë vepër, si vende tranzit, në "zgjidhjen e problemeve energjetike mbarevropiane".

Presidenti rus, nga ana e tij, i cili e cilësoi aksesin në burimet e energjisë si "garancinë e qyteterimit tonë" dhe u mëshoi përfitimeve ekonomike edhe gjeostrategjike jo vetëm për vendet pjesëmarrëse por edhe për Evropën më gjerë ku do të përfundojë nafta, nuk la asnjë dyshim për vendosmerinë e tij për ndërtimin e veprës por edhe për t’u kujtuar dy partnerëve të tjerë se "zoti i lojës energjetike është ai". "Paralelisht vazhdon puna për ndërtimin" e naftësjellësit Baku-Çeihan dhe gazsjellësin e nënujshëm Blue-Stream ku Turqia luan një rol të madh" kujtoi Putin, një mesazh thuhet që i drejtohej më tepër pales bullgare e cila kundërshton pretendimin e Moskës për të patur ajo pak mbi 50 për qind të aksioneve të veprës dhe kërkon pjesëmarrje të barabartë për të tria palët.

Por "pazari" i ashpër që thuhet se do të vazhdojë edhe pse presidenti Putin tha shprehimisht se nuk "negocion në mënyrë të rreptë", u la në heshtje edhe nga presidenti bullgar i cili i mëshoi rrezikut të dështimit të veprës nga variantet alternative. "Në fillim të diskutimit u dëgjua shprehja ose tani ose kurrë. Nuk ishte as shaka as teprim. Cdo vonesë tjetër do të jetë shkatërrimtare" tha Parvanov, vendi i të cilit së bashku me partnerin tjetër Greqinë paralelisht me përfitimet ekonomike duhet të mbajnë parasysh në këtë "trekendësh hidrokarburesh" edhe ekuilibrat gjeostrategjikë.

Rubineti i energjisë për Moskën është padyshim një atu e madhe në duart e saj që e rikthen në "lojën gjeostrategjike" të Evropës Juglindore, dhe të Evropës më gjerë, në emër të sëcilës Putin në mënyrë të përsëritur e cilësoi Athinën edhe Sofjen "miq të vjetër edhe kredibël". Por kjo shkakton reagimin e Uashingtonit. "Nuk duhet të krijohen vartësi të njëanshme energjetike" ishte sugjerimi i hapur i sekretares amerikane të shtetit Kondoliza Rice, ndaj homologes se saj greke Bakojani që më 27 Shtator e pret për "sqarime" në Nju Jork ministri amerikan i Energjisë. Moska kundërve parimin e "konkurrencës së lirë" dhe me këtë kërkoi pjesëmarrjen e saj në ndërtimin e gazsjellësit Blue Stream Turqi-Greqi-Itali nga do të furnizohet edhe Shqipëria.