A kanë frikë nga një luftë e re qytetarët në Serbi?
2 Gusht 2022Dielli shkëlqen, njerëzit bëjnë pazar dhe shkojnë për shëtitje, tramvajet, autobusët, taksitë dhe makinat private janë në lëvizje: Në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, nuk ndjehet asnjë shenjë konflikti me Kosovën fqinje.
"Asgjë nuk do të ndodhë," i thotë DW 30-vjeçarja Svetlana, e sapo kthyer nga pushimet në bregdetin kroat: "Kështu bëjnë politikanët këtu në Ballkan për më shumë se 20 vjet: provokojnë pak, por pastaj tërhiqen para se të bëhet puna keq si në vitin 1999."
"Kosova është pjesë e Serbisë”
"Kosova? Është larg", përgjigjet kamerieri në një restorant në qendër të kryeqytetit. As ai nuk beson se do të ketë një tjetër përshkallëzim mes shtetit serb dhe ish-krahinës. Por askush nuk mund ta di se çdo të ndodhë, thotë dhe shton: "Shqiptarët po i shtypin bashkatdhetarët tanë në Kosovë. Sigurisht që ata po rezistojnë. Dhe ne duhet t'i mbështesim, në fund të fundit janë serbë, si ne. Kosova është dhe do të mbetet pjesë e Serbisë."
Kështu e sheh edhe Aleksandar Vuçiç, një ultra-nacionalist serb dhe ministër i Slobodan Millosheviçit në vitet 1990, një nga krerët kryesorë të Partisë Progresive nacional-konservatore të Serbisë, SNS, që nga viti 2008 dhe president i Serbisë që nga viti 2017. "Regjimi në Prishtinë” – kështu e quan ai qeverinë e dalë nga zgjedhjet dhe të kryesuar nga kryeministri Albin Kurti – ka vendosur t'u "imponojë serbëve në Kosovë gjëra që nuk ka të drejtë t'i bëjë".
Si ti mua, edhe unë ty...
Vuçiç e ka fjalën për parimin e reciprocitetit, të cilin qeveria e Kosovës e implementon që nga viti 2021. Në fund të qershorit 2022 gjendja nisi të përshkallëzohej me njoftimin e qeverisë Kurti se synon të zbatojë parimin e reciprocitetit në dokumentet serbe dhe të detyrojë pronarët e veturave në veriun e mbizotëruar nga serbët e Kosovës që t'i zëvendësojnë targat e Serbisë me targat e Kosovës.
Sipas burimeve serbe pronarët e makinave që refuzojnë ta bëjnë këtë do të përballen me rrezikun e konfiskimit të automjeteve. Më 31 korrik 2022, serbët e Kosovës ngritën barrikada në pika të ndryshme kufitare në shenjë proteste kundër këtyre masave.Vetëm me ndërhyrjen e BE-së dhe ShBA-së, Kosova e shtyu për një muaj datën e fillimit të implementimit të reciprocitetit.
"Rusia do të na ndihmojë"
"Jam pak e shqetësuar," thotë shitësja e frutave në "Kalenic" në Beograd. "Kemi qenë qetësi që nga viti 1999 - por tani që ka plasur lufta në Ukrainë, kush e di, mund të vijë deri tek ne."
"Si mund të ndodhë kjo, duke pasur parasysh distancën ndërmjet Kosovës, Serbisë, Ukrainës dhe Rusisë dhefaktit se vetëm në Kosovë ka rreth 4000 ushtarë të NATO-s dhe të gjitha vendet fqinje me Serbinë, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës, janë anëtarë të trupave paqeruajtëse të KFOR-it?", e pyes unë. Gruaja shikon e hutuar. Dhe shton: "Rusia ka qenë gjithmonë aleatja jonë dhe sigurisht që do të na ndihmojë edhe këtë herë”.
Ngjashëm duket se mendojnë edhe funksionarë të rëndësishëm të partisë qeverisëse në serbi, SNS. Dhe jo pak syresh. Ata e shfaqin hapur simpatinë e tyre për luftën agresore të Rusisë kundër Ukrainës. Ndërsa deputeti i SNS-së, Vladimir Gjukanoviq, përdor termin "denazifikim” për qytetarët e qeverisë së Republikës së Kosovës më 31 korrik 2022. "Denazifikimi" i Ukrainës është një nga synimet e luftës së shpallur të Rusisë.
Duke pasur parasysh situatën në kufirin me Kosovën, a ka frikë shitësja e tregut Kalenic, se mos sërish shpërthen një luftë e re në Ballkan?
"Nëse ka një gjë që kemi mësuar këtu gjatë 30 viteve të fundit," përgjigjet ajo, "është se ne kemi gjithmonë arsye për të pasur frikë."