1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Austri: FPÖ ngarkohet me formimin e qeverisë

7 Janar 2025

Në Austri po bëhet gjithnjë e më i mundshëm një koalicion mes populistëve të djathtë FPÖ dhe konservatorëve të ÖVP. Presidenti Federal ngarkoi udhëheqësin e FPÖ, Kickl për të formuar një koalicion me konservatorët.

Austri | Kryetari i FPÖ Herbert Kickl mes përkrahësve
Presidenti austriak ngarkoi udhëheqësin e FPÖ Herbert Kickl për të formuar një koalicion me konservatorëtFotografi: Heinz-Peter Bader/AP/dpa/picture alliance

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, ngarkoi zyrtarisht kreun e partisë populiste të djathtë FPÖ, Herbert Kickl, me formimin e qeverisë së re. "Kam besim se zoti Kickl do të gjejë zgjidhje të qëndrueshme në kuadër të bisedimeve për krijimin e qeverisë. Dhe ai dëshiron ta marrë mbi vete këtë përgjegjësi. Prandaj e ngarkova të fillojë bisedimet me partinë ÖVP për të formuar një qeveri federale," tha presidenti austriak. Van der Bellen tha se udhëheqësi i FPÖ-së do t'i raportojë vazhdimisht për ecurinë e bisedimeve me ÖVP-në.

Kickl e quante dikur presidentin Alexander van der Bellen "mumje të "plakur" - tani van der Bellen po e ngarkon Kickl që të formojë një qeveri kundër bindjeve të tij politike.Fotografi: photonews.at/Imago

"Nuk e pata të lehtë të hidhja këtë hap dhe do të vazhdoj të mbikqyr që parimet dhe rregullat e kushtetutës sonë të respektohen dhe zbatohen në mënyrë korrekte" - tha presidenti van der Bellen.

FPÖ doli partia më e fortë në zgjedhje            

Partia Austriake e Lirisë (FPÖ) fitoi qartë zgjedhjet parlamentare tre muaj më parë, por fillimisht u injorua në bisedimet e koalicionit për shkak të mosgatishmërisë së partive të tjera për të bashkëpunuar me populistët e djathtë. Partia konservatore ÖVP (Partia Popullore Austriake), e cila më parë ishte kundër partisë FPÖ, njoftoi pas negociatave të dështuara me partitë e tjera se tani do është në dispozicion për bisedime për koalicion me partinë populiste të djathtë FPÖ.

Qëndrim i ashpër ndaj emigracionit, skeptik ndaj BE-së

Nëse pas bisedimeve arrihet një marrëveshje, hapet rruga për kancelarin e parë të Austrisë nga radhët e FPÖ. 56-vjeçari Kickl, i cili gjatë fushatës zgjedhore u pozicionua si "kancelar i popullit", njihet ndër të tjera për një politikë jashtëzakonisht të rreptë ndaj emigracionit e cila përfshin edhe dëbime në shkallë të gjerë si dhe për qëndrimin e tij miqësor ndaj Rusisë.

Protesta kundër politikës jashtëzakonisht të rreptë ndaj emigracionit Fotografi: Andreas Stroh/ZUMA/picture alliance

Po ashtu Herbert Kickl ka si dhe partia e tij një orientim skeptik ndaj BE-së. Në të kaluarën ai quante politikën e BE-së si "të çuditshme dhe të vetëkënaqur". Programi zgjedhor i FPÖ parashikon një reduktim të kompetencave të institucioneve të BE-së dhe bën thirrje për një "kështjellë Austri" brenda zonës Shengen.

Sipas politologëve mes FPÖ dhe ÖVP ka përputhje të madhe lidhur me politikën ekonomike, politikën për azilin dhe politikën arsimore. Kurse sa i përket qëndrimit ndaj BE-së, politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë mes dy partive ka mospërputhje të forta.