1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Austri: Policia bën kontrolle në qarqe ekstremiste

9 Nëntor 2020

Autoritetet austriake kanë kontrolluar dhjetëra shtëpi në të gjithë Austrinë dhe kanë marrë në pyetje njerëz që dyshohen për lidhje me Vëllazërinë Myslimane dhe Hamasin.

Österreich Wien Moschee | Polizei, Sicherheit
Fotografi: Leonhard Foeger/REUTERS

Policia austriake kreu kontrolle të hënën, 10. 11. 2020,  në banesat e dhjetëra njerëzve që dyshohen të kenë lidhje me organizata terroriste dhe kriminale.

Prokuroria  Landin te Stirisë (Steiermark), në juglindje të Austrisë, ka deklaruar se mbi 70 persona dhe disa shoqata janë nën hetime, pasi dyshohen për “pjesëmarrje dhe mbështetje të organizatave terroriste të Vëllazërisë Myslimane dhe Hamas-it".

Gjithashtu personat e kontrolluar, sipas prokurorit, dyshohen për formim të një organizate terroriste, financimin e terrorizmit dhe pastrimin e parave.

Autoritetet thanë se operacioni "nuk ka asnjë lidhje" me sulmin terrorist të 2 nëntorit në Vjenë, por ishte  rezultat i një hetimi tashmë njëvjeçar. 

Ndër viktimat ishte edhe një shqiptar nga Maqedonia dhe një studente gjermane.Fotografi: Georg Hochmuth/APA/picturedesk.com/picture alliance

Në sulmin terrorist të 2 nëntorit në Vjenë u vranë katër vetë. Autori i sulmit, i cili u vra nga policia austriake, ishte një vjenez me prejardhje shqiptare, nga Maqedonia e Veriut. Mbi 20 persona u lënduan. Ndër viktimat ishte edhe një shqiptar nga Maqedonia dhe një studente gjermane. Sipas burimeve zyrtare, atentatori i dyshuar ishte mbështetës i grupit militant "Shteti Islamik" (IS).

Bastisjet u kryen në Vjenë dhe provincat e Stirisë, Kärnten  dhe pjesë të  Austrisë së Ulët. Rreth 30 të dyshuar u morën në pyetje. Armë apo lëndë eksplozive nuk u gjetën, por u gjetën shumë dokumente dhe materiale te tjera. 

Lidhjet me organizatat terroriste

Rezultatet e hetimit njëvjeçar kanë zbuluar deri më tani se "Vëllazëria Myslimane është një organizatë globalisht aktive, islamiste radikale, jashtëzakonisht antisemite", thanë prokurorët.

Fotografi: Matthias Schrader/AP Photo/picture alliance

Ata gjithashtu akuzojnë Vëllazërinë Myslimane se po përpiqet të "krijojë në të gjithë botën një shtet islamik, që bazohet te ligji  islamik", si edhe dhe për lidhje me "organizatat terroriste" të tjera si Hamas.

Ministri i Brendshëm austriak Karl Nehammer tha se bastisjet nuk kishin si synim komunitetin mysliman në vend, përkundrazi, mbrojtjen e tyre. 

Vëllazëria Myslimane është e ndaluar në Egjipt, vendi ku u themelua fillimisht. Hamas, një organizatë ekstremiste, e cila faktikisht kontrollon Rripin e Gazës, është klasifikuar si organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian.

Goditje në 'terrenin e ekstremizmit'

Ministri i Brendshëm austriak Karl Nehammer tha se operacioni policor synonte të luftonte "terrenin e ekstremist". "Ne po veprojmë kundër këtyre organizatave kriminale, ekstremiste dhe çnjerëzore me gjithë forcën tonë," tha Nehammer në një prononcim.

Ai theksoi se hetimet dhe bastisjet "nuk kishin si shënjestër myslimanët ose Islamin si një komunitet fetar". "Përkundrazi, këto masa synojnë gjithashtu të mbrojnë myslimanet, me fenë e të cilëve abuzohet për një ideologji antikushtetuese," tha ai.

Kontakte në Gjermani

Gjithashtu të hënën, qeveria austriake konfirmoi raportet se i dyshuari në sulmin terrorist të javës së kaluar në Vjenë ishte takuar këtë verë me islamistë radikalë nga jashtë vendit. 

Shqiptari 20-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje nga policia austriake, kishte pasur takime me njerëz nga Gjermania, të cilët survejohen nga shërbimet e fshehta gjermane. 

Edhe dy burra, të cilët u ndaluan gjatë fundjavës në Zvicër, ishin takuar me atentatorin e dyshuar të Vjenës. 

Fotografi: Festim Beqiri/TV7News/dpa/picture alliance

Edhe në Gjermani pati javën e kaluar kontrolle në shtëpi ekstremistësh. Prokuroria federale i konfirmoi DW shqip se  në katër qyetete ka pasur kontrolle dhe marrje në pyetje të katër personave. Me dy prej tyre, atentatori është takuar  në korrik 2020  në Vjenë, me një person të tretë ka pasur kontakte ne internet.  ash.