Austri: Politika e Serbisë ndaj migrantëve po jep efekt
10 Janar 2023Beogradi nën presionin e Bashkimit Europian në vjeshtë rivendosi detyrimin për vizë për udhëtarët nga Burundi dhe Tunizia. Me ndërrimin e viteve sikurse është komunikuar u rivendos detyrimi për vizë edhe për indianët, që duan të udhëtojnë në Serbi.
Shumë njerëz, që mund të udhëtonin pa viza drejt Serbisë, e vazhdonin udhëtimin drejt Austrisë duke aplikuar të pranohen si refugjatë, ndonëse e dinin, që nuk kishin shanse për azil. Së fundi, sipas ministrisë në Vjenë, kanë aplikuar për azil më pak se 300 vetë në javë nga India. Në fund të tetorit numri i aplikimeve për azil nga ky vend ka qenë rreth 1000. Edhe kalimet ilegale të kufirit në lindje të Austrisë kanë rënë ndjeshëm. "Në nëntor kemi pasur ditë kur kapeshin 600 - 650 vetë, ndërsa aktualisht ndalohen rreth 100 vetë në ditë", i tha agjencisë së lajmeve dpa zëdhënësi i Ministrisë së Brendëshme në Vjenë. Në sfondin e temperaturave të larta, ministria megjithatë e përjashtoi dimrin si faktor frenues të valës së migrantëve.
Sipas kancelarit austriak Karl Nehammer vitin e kaluar 18.000 vetë nga mbi 100.000 të ardhur nga India aplikuan për azil në Austri. Shumë indianë përpiqen që nga Austria të arrijnë në vende të tjera europiane.