Autoritetet e Kosovës bëjnë thirrje për qetësi
28 Korrik 2011Nata pas sulmit të mbrëmshëm të ekstremistëve serbë dhe djegies së pikës kufitare Jarinje në veri të Kosovës ka kaluar e qetë. Por situata në vend mbetet e tensionuar. Kufirin janë duke e kontrolluar forcat ndërkombëtare. Situatë e tensionuar është edhe në pikën kufitare Brnjak, ku po ashtu është bërë përforcimi i forcave të KFOR-it, me qëllim që të evitohen konfliktet.
Serbët në pjesë të ndryshme në veri të Kosovës kanë organizuar gjatë natës roje, me arsyetimin se kanë frikë nga ndërhyrja e njësive speciale të policisë kosovare. Mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë nuk ka pasur qarkullim automjetesh.
Kuvendi i Kosovës diskuton mbi situatën aktuale
Parlamenti i Kosovës zhvilloi sot një seancë të jashtëzakonshme, ku kryeministri Hashim Thaçi informoi deputetët dhe opinionin për masat që janë ndërmarrë ditët e kaluara në mbrojtje të tërësisë territoriale të vendit. Me inciativën e partive në pushtet, është paraqitur edhe një deklaratë, e cila u miratua nga parlamenti. Deklarata kërkon që parlamenti të mbështesë qeverinë dhe masat që po ndërmerr ajo për vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës. Kuvendi i Kosovës kërkoi nga qeveria që të ndërmarrë të gjitha masat e tjera të duhura për mbrojtjen e vendi, të gjitha masat e reciprocitetit në raportet tregtare me Serbinë dhe nga të gjithë qytetarët e Kosovës të ruajnë qetësinë dhe gjakftohtësinë. Të gjitha partitë politike kanë mbështetur masat e qeverisë, madje edhe përfaqësuesit e disa subjekteve serbe në parlament.
Ngjarjet në Kosovë - Seancë urgjente Këshillit të Sigurimit
Për sot është parashikuar të mbahet edhe një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB, kushtuar gjendjes në Kosovë. Në këtë seancë do të marrin pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj si dhe homologu i tij serb Vuk Jeremiq.
Minsitri i Jashtëm serb tha se përfaqësuesit e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe kanë bërë të ditur se mund të përdorin veton kundër propozimit eventual serb për të dënuar ndërhyrjen e policisë së Kosovës në veri të vendit. Ato kanë kundërshtuar edhe mbajtjen e seancës urgjente, por në fund është rënë dakord që seanca të zhvillohet në formën e konsultimeve me dyer të mbyllura.
Tadiq, thirrje qytetarëve serbë për përmbajtje dhe qetësi
Pala serbe ka kërkuar negociata me komandantin e KFOR-it dhe përfaqësuesit e trupave ndërkombëtare. Takimi ku palën serbe e përfaqësojnë Borislav Stefanoviq dhe ministri serb për Kosovën Goran Bogdanoviq pritet të mbahet gjatë ditës, bëjnë të ditur burime nga Beogradi. Bogdanoviq tha se nga komandanti i KFOR-it ata janë siguruar se në veri nuk do të ketë ndërhyrje të tjera të njësive speciale. Ai u shpreh se delegacioni serb në Kosovë ka shkuar me qëllim që të qetsojë gjendjen dhe jo të ndikojë në përshkallëzimin e konflikteve.
Beogradi zyrtar ndërkohë ka hedhur poshtë përzierjen e forcave të tij në incidentet e fundit. Presidenti i Serbisë Boris Tadiq ka kërkuar mbrëmë "ndërprerjen e menjëhershme të dhunës". Ai u ka bërë thirrje qyetarëve serbë për përmbajtje dhe qetësi. Disa parti politike serbe kanë kërkuar që edhe parlamenti i Serbisë të mbajë një seancë të jashtëzakonshme kushtuar zhvillimeve të fundit në Kosovë.
Autor: Bahri Cani
Redaktoi: Mimoza Kelmendi