1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Avantazhet dhe sfidat e Bullgarisë pas anëtarësimit në BE

Bahri Cani30 Tetor 2007

Bullgaria mes ëndrrës për mirëqenie dhe problemeve serioze ekonomike dhe politike. Për këto çështje në bisedë me Deutsche Welle-n e ngarkuara për Evropën në Ministrinë e jashtme të Bullgarisë, Vaneta Momçeva.

Një bullgare qëndis flamurin e BE-së
Një bullgare qëndis flamurin e BE-sëFotografi: AP

Prej fillimit të vitit Bullgaria është së bashku me Rumaninë, anëtare e re e BE. Bullgarët shpresojnë se anëtarësimi në familjen evropiane do t'u sjell mirëqenie edhe më të shpejtë ekonomike, të cilën gëzojnë shumë vende të tjera të këtij organizmi. Njëherazi ajo synon të ndihmojë edhe vendet tjera të rajonit në përpjeket për angazhim në BE.

Bullgaria sot

Rritja ekonomike e prodhimit bruto të Bullgarisë për vitin e kaluar ishte 6,2 përqind, ndërsa këtë vit mendohet se do të jetë edhe më e lartë. Janë këto përqindje, të cilat shumë vende të zhvilluara industriale perëndimore si Gjermania, Britania e Madhe apo Franca, vetëm mund t'i ëndërrojnë. Në këtë vend janë shtuar në masë investimet e huaja që kanë ndikuar në zvogëlimin e papunësisë. Megjithatë, përqindja e të ardhurave mesatare të qytetarëve në këtë vend edhe më tej përbën vetëm 30 përqind të mesatares evropiane. Të ardhurat mesatare mujore për kokë njeriu në Bullgari janë vetëm 210 euro, që është nën nivelin e shumë vendeve të rajonit që edne nuk janë në BE. Shikuar nga sondazhet e fundit rezulton se gati 60 përqind e bullgarëve mendojnë se anëtarësimi në BE, është një hap shumë pozitiv. Mbi 50 përqind shpresojnë për më shumë siguri në vend, ndërkohë që vetëm 13 përqind të pesimistëve thonë se anëtarësimi nuk ka dhënë dhe nuk do të japë rezultatet e pritura. Bullgaria ka probleme me korrupsionin, si një prej fenomeneve më të përhapura negative në vendet e Evropës Juglindore. Në listën e vendeve më të korruptuara në botë, Bullgaria zë vendin e 57 prej gjithsej 163 vendeve, sa janë përfshirë në sondazhet e fundit.

Është interesante të theksohet se 11 përqind e evropianëve mendojnë se Bullgaria dhe Rumania ende janë kandidate për anëtarësim dhe jo anëtare të plotfuqishme të BE. "Bullgaria është anëtare e re e BE, prandaj ka të tillë që nuk e dinë se ajo është anëtarësuar në këtë organizëm" thotë Vaneta Momçeva, e ngarkuara për çështjet evropiane në Ministrinë e jashtme në Sofje.

Avantazhet e Bullgarisë nga pranimi në BE

Kryeministri bullgar, StanishevFotografi: AP Photo

Momçeva përmend se për Bullgarinë: "Dy çështje janë të rëndësishme: çfarë i solli BE-ja Bullgarisë, por edhe çfarë i sjell Bullgaria BE-së. Anëtarësimi në BE është një sfidë dhe shans i madh për Bullgarinë. Jeta jonë në të gjitha fushat: në politikë, shoqëri dhe ekonomi duhet t'i përshtatet standardeve evropiane. Me realizimin e këtyre standardeve ne arrijmë një kualitet të ri të jetsesës në përgjithësi. Njëkohësisht duhet të marrim edhe përgjegjësi të reja, sepse Bullgaria tani paraqet kufirin e fundit drejt Evropës lindore. Kjo është një sfidë shumë e madhe pasi që siguria e mirë e kufirit të Bullgarisë, do të thotë më shumë siguri edhe për BE. Një vëmendje të posaçme Bullgaria i kushton edhe bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe vendet e Detit të Zi. Rëndësinë e këtij bashkëpunimi rajonal e ka theksuar edhe presidenca gjermane në gjashtë muajt e parë të vitit. Kongresi Interkulturor "New Horizont 2007", në Pasau ishte edhe një dëshmi për rëndësinë që Bullgaria i kushton bashkëpunimit me vendet që shtrihen përreth Danubit, ku bëjnë pjesë edhe landet gjermane Bavaria dhe Baden Vyrtenbergu. Ardhmëria e Evropës është në bashkëpunimin e rajoneve, qyteteve dhe bashkive."

Bullgaria me rritje të admirueshme ekonomike

Bullgaria në BE sjell me vete edhe një nivel më pak të zhvilluar ekonomik, sepse të ardhurat mesatare në këtë vend janë vetëm në nivelin 30 përqind të mesatares evropiane. Njerëzit pjesërisht ende jetojnë në kushte të vështira, ndonëse sipas të dhënave zyrtare, papunësia në këtë vend është nën tetë përqind. Këtë përqindje do ta lakmonin shumë vende të zhvilluara evropiane.

Lidhur me sfidat ekonomike të Bullgarisë, Momçeva: "Natyrisht që anëtarësimi në BE paraqet edhe një dëshmi mirëbesimi nda Bullgarisë. Të dhënat makroekonomike janë impresionuese. Rritja ekonomike këtë vit është rreth 6,5 përqind. Të papunë janë vetëm 7,3 përqind, që është një element shumë i rëndësishëm. Ne i përmbushim të gjitha kriteriet e Mastrihtit, përveç inflacionit, i cili edhe më tej është tepër i lartë. Këtë muaj inflacioni është rreth shtatë përqind. Mirëpo zbatimi i zhvillimit makroekonomik në nivelin mikroekonomik dhe përmirësimi i standardit të njerëzve është një proces shumëvjeçar. Por edhe në këtë drejtim shihen hapa pozitiv. Popullata bullgare është e motivuar për të ndjekur rrugën e filluar. Anëtarësimi në BE kërkon angazhimin e të dy palëve. Për ne është me rëndësi edhe fakti që me identitetin tonë kombëtar pasurojmë edhe kulturën evropiane. Njëkohësisht është me rëndësi që të merret parasysh edhe ruajtja e këtij identiteti. Prandaj kemi kërkuar që euro të quhet edhe evro, siç thuhet në gjuhën tonë, që është edhe një shenjë e identitetit tonë. Për Bullgarinë ishte me rëndësi që takimi i fundit në Lisbonë, i cili shtoi shpresat për nënshkrimin e marrëveshjes kushtetuese deri në fund të vitit. Shpresojmë ratifikimin e saj deri në fund të vitit, sepse vetëm kështu BE mund të jetë më efikase dhe më konkurente në përmasat botërore. Kjo është edhe në interesin e Bullgarisë."

Bullgaria si partnere në rajon

Bullgaria paraqet jo vetëm kufirin lindor të BE por kufizohet edhe me disa vende të Evropës juglindore, ku ka pasur dhe ka probleme të mëdha. Në Sofje është thënë shpesh se Bullgaria mund të luajë një rol të rëndësishëm për tejkalimin e këtyre problemeve dhe për afrimin e tyre me BE, që është edhe një prej synimeve të shprehura në samitin e Selanikut. Çfarë bën Bullgaria konkretisht për këto vende? Si i konsideron Bullgaria shanset e rajonit për anëtarësim në BE, kur dihet që kohët e fundit ka pasur shumë rezerva?

Momçeva: "Anëtarësimi në BE varet në radhë të parë prej plotësimit të kriterive të parashikuara. Mirëpo njëkohësisht duhet të sundojë edhe parimi i solidaritetit. Mendojmë se është pozitive në qoftë se edhe vendeve të Evropës Juglindore u hapet një perspektivë euroatlantike. Ne jemi shumë aktiv në këtë drejtim dhe po përpiqemi që përmes bashkëpunimit t'i mbështesin vendet tona fqinje në këtë rrugë. Me përvojat tona ne mund t'u ndihmojmë atyre që sa më parë që është e mundur t'i plotësojnë kriteriet për anëtarësim në BE. Perspektiva evropiane është shumë e rëndësishme edhe për sigurinë në Evropë."

Qëndrimi ndaj çështjes së Kosovës

Siguria në Evropën Juglindore është një prej elementeve më të rëndësishme në rajon, që ndikon në masë të madhe edhe afrimin e këtyre vendeve me BE. Një prej problemeve më të mëdha me siguri që është statusi i ardhshëm i Kosovës, ku bashkësia ndërkombëtare edhe më tej po përpiqet të arrijë një kompromis mes Prishtinës dhe Beogradit. Cili është pozicioni bullgar?

Momçeva: "Në interesin e kosovarëve dhe të vendeve të Evropës Juglindore është gjetja e një zgjidhje të mençur dhe të kënaqshme. Për çështjet e ndërlikuara nuk ka zgjidhje të thjeshta. Prandaj mendoj se do të merren parasysh të gjithë këta elementë dhe do të gjendjet një zgjidhje e pranueshme."

Bullgaria dhe çështja maqedonase

Bullgaria është një prej vendeve të para të cilat kanë njohur pavarësinë e Maqedonisë, që ka ndikuar edhe në njohjen e shpejtë të saj prej vendeve të tjera. Mirëpo jozyrtarisht shpesh mund të dëgjohet që Bullgaria ka dhe pretendime të tjera. Por se cila është politika e sotme bullgare ndaj Maqedonisë dhe Serbisë, ku ende ka probleme të mëdha Momçeva shprehet: "Në Bullgari po bëhen përpjekje të mëdha që me shtetet fqinje të zhvillohet një bashkëpunim shumë i mirë dhe të ketë mirëbesim të plotë. Është në interesin tonë që të bashkëpunojmë në të gjitha lëmitë: në ekonomi, siguri, politikë dhe kulturë. Mendoj se 17 vjetët e fundit Bullgaria ka dëshmuar se është një bazë stabiliteti dhe mirëkuptimi. Mbi këto baza ndërtohet edhe bashkëpunimi ynë."

Çështja e minoriteteve

Familje rome e pastrehëFotografi: AP

Në dallim nga ish-Jugosllavia që u shkatërrua me luftë dhe shumë gjakderdhje, Bullgaria nuk ka përjetuar trazira dhe konflikte serioze. Ndonëse ka probleme të kohëpaskohshme me zgjidhjen e problemit të minoriteteve. Mbi 3 përqind të popullatës janë romë ndërkohë që turqët përbëjnë më shumë se 10 përqind. Momçeva lidhur me problematikën e minoriteteve shprehet: "Në Bullgari kemi grupin etnik turk, por modeli ynë është treguar i sukseshëm. Nuk ka pasur konflitke të ngjashme me ato të rrethinës sonë, ku ka pasur zhvillime dramatike. Që prej ndryshimit demokratik në Bullgari, kjo popullatë është e kyçur në të gjitha nivelet e pushtetit. Në Bullgari ata nuk janë minoritet por grup etnik, i cili përfaqësohet dhe ka përgjegjësi si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qeveritar. Bullgarët si popull kurrë nuk kanë pasur probleme me popujt tjerë. Problemet etnike gjatë historisë i kanë shkaktuar gjithmonë pushtetmbajtësit. Në të kaluarën totalitare, pushtetmbajtësit i kanë përdorur grupet etnike për zgjidhjen e problemeve të veta. Në nivelin e tanishëm të zhvillimit demokratik, çështjet qëndrojnë ndryshe. Si popull bullgarët janë njerëz shumë tolerantë, ata i duan dhe kuptojnë të tjerët dhe synojnë të jenë të mirëkuptuar dhe të dashur prej të tjerëve."

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW