1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Avioni i DHL u rrëzua afër Vilniusit

25 Nëntor 2024

Një avion gjerman i DHL që u ngrit nga Leipzigu, është rrëzuar në afërsi të Vilniusit. Të paktën një person ka humbur jetën. Nuk përjashtohet mundësia e një sulmi.

Lituani | Avioni i DHL i rrëzuar në Vilnius
Rrëzimi i avionit DHL në Lituani Fotografi: Petras Malukas/AFP

Avioni gjerman i kompanisë DHL, i cili u nis nga Leipzigu për transportimin e mallrave, u rrëzua herët në mëngjes në afërsi të aeroportit në Vilnius, kryeqyteti i Lituanisë. Sipas informacioneve të para, në avion ndodheshin katër persona. Agjencitë e lajmeve njoftojnë se në këtë aksident ka vdekur të paktën një person, ndërsa tre u plagosën, tha zëdhënësja e shërbimeve të urgjencës.

Në vendin e aksidentit ka shkuar shumë shpejt një numër i madh pjesëtarësh të shërbimeve emergjente, në përpjekje për të ndihmuar të mbijetuarit. Drejtori i filialit të DHL në Lituani, konfirmoi për radion lituaneze se avioni i përket një prej partnerëve të kësaj kompanisë, por deri tani nuk dihet saktë shkaku i rrëzimit.

Po hetohet nëse shkaku i aksidentit lidhet me "problemet teknike”, tha drejtori i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave për Radion Lituaneze. Por, sipas tij, avioni është rrëzuar fare pranë një ndërtese banimi. E nga disa burime thuhet se nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë sulmi, ndaj duhen pritur edhe rezultatet e hetimeve.

Avioni i DHL i rrëzuar në VilniusFotografi: Petras Malukas/AFP

Avioni ra në oborrin e shtëpisë

Kryebashkiaku Valdas Benkunskas tha se avioni "rastësisht" shmangu goditjen e një ndërtese banimi dhe ra në oborr. Në momentin e fundit ai është ndaluar pranë një godine, e cila më pas e përfshi nga flakët. Si rezultat, nga vendbanimi janë evakuuar 12 banorë, për fat të mirë, pa ndonjë pasojë serioze.

Një gazetar i radios lituaneze raportoi nga vendi i rrëzimit në Liepkalnis se pjesë të aeroplanit ishin të shpërndara në të gjitha drejtimet. Sipas tij, zona nuk është me popullsi të dendur dhe aty ka vetëm shtëpi individuale.

Nuk dihet akoma shkaku i aksidentit

Agjencia Reuters, duke cituar policinë, raportoi se avioni me sa duket ishte në fazën e uljes. Saktë nuk dihet shkaku i rrëzimit, por policia njofton se ata janë në kërkim të një personi. Të dhënat e gjurmimit të fluturimeve nga faqja FlightRadar24, të analizuara nga agjencia AP, tregojnë se avioni u kthye në veri të aeroportit në përgatitje për ulje, por u rrëzua pak më shumë se 1.5 kilometra përpara pistës.

ag