1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shumica e azilkërkuesve ka destinacion Gjermaninë

17 Shtator 2023

Mijëra refugjatë erdhën në Lampeduza së fundmi. Presioni politik është rritur, jo vetëm në Itali, edhe në Gjermani që vendosi të pranojë vullnetarisht refugjatë nga Italia. A ka zgjidhje për politikën e emigracionit?

Migrantë presin Cala Pisana për t'u zhvendosur
Migrantë presin Cala Pisana për t'u zhvendosurFotografi: Ciro Fusco/ZUMA Press/IMAGO

Refugjatët që mbërritën në Lampeduza duan të hyjnë në BE, por shumica nuk duan të qëndrojnë në Itali. Roma zyrtare, që me ardhjen në pushtet të qeverisë ultra të djathtë, po ua bën të lehtë. Shumica e migrantëve mund të vazhdojë udhëtimin drejt veriut e paregjistruar. Franca ka bërë të ditur se do të forcojë kontrollet kufitare në kufirin italo-francez, sepse fluksi i refugjatëve është dyfishuar. Gjermania kontrollon në mënyrë sporadike kufirin me Austrinë. Një ashpërsim të kontrolleve kufitare, ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser nuk e pranon.

Sipas të drejtës së azilit në BE, procedurat e azilit duhet të zhvillohen në ato vende, ku të ardhurit prekin për herë të parë tokën e BE. Kush vazhdon të udhëtojë i pa lejuar drejt një vendi tjetër të BE, mund të kthehet në shtetin e parë. Këtë rregullore Italia ka më shumë se një vit që e bllokon. Gjermania nga ana e saj megjithë ndalimin e fundit vendosi të lehtësojë Italinë me pranimet vullnetare të refugjatëve, për të cilën është rënë në ujdi në BE. "Ne do të vazhdojmë detyrimin tonë solidar", tha ministrja Faeser të premten.

Gjermania mban një të tretën e kërkesave të azilit në BE, Norvegji e ZvicërFotografi: Sylvio Dittrich/IMAGO

Kush vjen në Gjermani shpesh qëndron

Sipas Agjencisë Europiane të Azilit, rreth një e treta e të gjithë kërkesave të azilit në BE, Norvegji dhe Zvicër shtrohen në Gjermani. Bashkitë dhe komunat gjermane e mbingarkuara kanë ngritur alarmin. Jo vetëm ka probleme strehimi por edhe strukturat e integrimit janë të mbigarkuara. Në të gjithë Gjermaninë mungojnë 400.000 vende kopshti dhe 14.000 mësues.

Në gusht 2023, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme në Gjermani në Gjermani kanë qëndruar 1,1 milionë refugjatë ukrainas të luftës. Kësaj i shtohen azilkërkuesit nga vende të tjera. Në shtatë muajt e parë të këtij viti në Gjermani janë regjistruar 175.000 kërkesa për azil, sipas Zyrës Federale të Migracionit dhe Refugjatëve. Në fund të gushtit kjo shifër u rrit në 200.000, që do të thotë 77% më shumë se vitin e kaluar. Rreth 70% e azilkërkuesve janë meshkuj.

Nga përvoja vetëm një pjese të vogël të azilkërkuesve u njihet azili për arsye politike. Por ka edhe forma të tjera të qëndrimit. Qeveria gjermane publikoi shifra pas kërkesës së partisë e Majta. Sipas tyre në Gjermani jetojnë 307.000 vetë me leje të përkohshme qëndrimi, që do të thotë,se atyre nuk i është njohur statusi si azilkërkues, por me kthimin në vend janë rrezikuar seriozisht. Ky status vlen për një vit, por mund të zgjatet e të kalojë në leje të vazhdueshme qëndrimi. Në fund të qershorit 2023, jetonin në Gjermani vetëm 44.500 njerëz që iu është njohur azili, por 755.000 njerëz të mbrojtur si refugjatë mbi bazën e Konventës së Refugjatëve të Gjenevës, shumica e tyre nga Siria, Iraku, Afganistani.

Me detyrim për largim e megjithatë në Gjermani

Rreth 280.000 të huaj nuk kanë të drejtën e qëndrimin në Gjermani. Shumica janë azilkërkues të refuzuar, me Duldung, leje e kufizuar qëndrimi. Kjo do të thotë që atyre iu është kërkuar të largohen nga Gjermania, por nuk munden të largohen "për shkaqe të caktuara apo juridike". Për 95.000 persona nuk është e sqaruar shtetësia. Kurse numri i personave që mund të dëboheshin menjëherë kap shifrën e 54.330 vetëve. Qeveria e koalicionit me ardhjen në pushtet foli për një "ofensivë kthimi", por vetëm 13.000 u arrit të dëboheshin në vitin 2022. Në gjysmën e parë të vitit 2023 u dëbuan vetëm 7861 vetë.

Për shkak se dëbimet janë të vështira, politika përqëndrohet në kufizimin e hyrjes.Fotografi: Jan Woitas/dpa/picture alliance

Gjermania ka 3900 kilometra vijë kufitare

Për shkak se dëbimet janë të vështira, politika përqëndrohet në kufizimin e hyrjes. Kërkesat për këtë vijnë nga liberalët, FDP. "Ne duhet më në fund të ndalim migracionin ilegal, dhe të komandojmë vetë imigracionin. Ndryshe ne mbingarkojmë shkollat dhe shtetin social dhe bëjmë që qindra mijëra migrantë të mos kenë perspektivë për arsim dhe punë të mirë", tha Sekretari i Përgjithshëm i FDP, Bijan Djir-Sarai në një interviste. Por si mund të ndalet hyrja ilegale? Gjermania kufizohet me vende të BE, vija kufitare arrin në 3900 km, dhe nuk ka pika kontrolli kufitar. Sipas ministres Faeser, kufijtë "natyrisht" kontrollohen dhe "shumë e në të gjitha drejtimet, por problemi i migracionit nuk zgjidhet dot nga një vend i vetëm, por në shkallë europiane.

Fotografi: Patrick Pleul/ZB/dpa/picture alliance

Shpëndarja e drejtë e refugjatëve brenda BE është prej vitesh problem i pazgjidhur. Si sukses u shpall një ujdi e ministrave të Brendshëm të BE që duan të reformojnë sistemin e azilit në BE dhe duan të vendosin procedura të shpejta azili në kufijtë e jashtëm të BE për migrantët pa perspektivë qëndrimi. Por zbatimi i kësaj do të kërkojë vite.

Problemi kryesor i kufizimit të migracionit qëndron tek vendet kryesore të origjinës. Në Siri luftë qytetare, në Afganistan sundojnë talibanët. Kjo gjendje nuk ka për të ndryshuar shpejt. Përqindja e njohjes së azilit tek refugjatët nga këto vende është shumë e lartë. Por edhe një çështje tjetër debatohet: nëse refugjatët kanë si objektiv Gjermaninë për shkak të mbështetjes sociale aty. Në krahasim europian ndihma sociale që marrin refugjatët në Gjermani është në krye të renditjes me vende të tjera si Austria apo Franca. Gjermania ka edhe një veçori: Para dhe mbështetje sociale marrin të gjithë, edhe kur ata duhet të largohen nga ky vend. Landi i Bavarisë do ta ndryshojë këtë gjendje. Kryeministri Söder bëri të ditur, se në Bavari azilkërkuesit në të ardhmen do të marrin vetëm ndihmë sociale në formë natyrore. Ai kërkon që mbështetja financiare për refugjatët të ulet në tërësi.

Si shfrytëzohen migrantët ilegalë nga kontrabandistët?

02:11

This browser does not support the video element.