Bajrojti hebre: Gjurmë të kulturës hebreje në qytetin e vogël
25 Korrik 2011
Bajrojti – Qyteti i Richard Wagner-it, por edhe i mikeshës së Volterit, konteshës Vilhelminë e Prusisë. Burri i saj Friedrich von Preußen lejoi në vitin 1759 në këtë qytet vendosjen e dhjetë familjeve hebreje. Sepse vetëm pak hebrej lejoheshin pas shekullit të 16-të të jetonin në këtë zonë. Për çështjet e parave konti këshillohej nga Moses Seckel, një i ashtuquajtur “hebre i oborrit“. Ky u lejua nga konti të blinte pranë ndërtesës së operës një shtëpi dhe madje të ndërtonte prapa saj një sinagogë.
Sot në ish-shtëpinë gjendet një kafeteri, nga ku mund të shohësh shumë mirë sinagogën në stil barok. Ashtu si shtëpia e banimit të financierit të oborrit, edhe kafeteria është tani një nga shumë stacionet e një guide të veçantë për qytetin.
Në guidë gjendet edhe rruga Opernstraße numër 7, një ndërtesë që në hartë është e shënuar me numrin 26. Sot aty ka një butikë me artikuj prej lëkure, por fillimisht ajo i përkiste një avokati hebre.
"Dr. Fischel-Arnheim. Ai jetoi nga viti 1812 deri në 1864. Ai ka lindur në Bajrojt, ishte nga një familje e njohur besimtarësh hebrej. Babai i tij fillimisht kishte planifikuar që i biri të merrej me tregti. Por ai u bë jurist dhe ai arriti në 1849 të futej si hebreu i dytë në Parlamentin e Bavarisë...".
...Dhe ai u ul aty sidomos për të diskutuar për nevojat e qytetarëve hebrej", sqaron Christine Bartholomäus nga arkivi i qytetit të Bajrojtit.
Në fletëpalosjen e qytetit, të pasur me referenca historike, rubrika të ndryshme informojnë mbi "jetën ekonomike" të ish tregtarëve dhe fabrikantëve të qytetit, për shtëpitë e banimit të personalitetve të shquara si dhe për strukturat e komunitetit të sotëm hebre me 500 anëtarë. Drejtuesi i këtij komuniteti Felix Gorath është i gëzuar që fletëpalosja është aq e kërkuar nga turistët dhe vendasit. Në këtë broshurë ai sheh një shans të informojë për historinë dhe të tashmen e komunitetit të tij: „Ne përpiqemi të tregojmë që krahas dy kishave të mëdha, këtu ka po ashtu ende hebraizëm“.
Kapitujt e errët si përndjekjet nga nazistët, përmenden gjithashtu edhe në fletëpalosje. Po ashtu edhe dhëndri i Richard Wagner-it, Houston Stewart Chamberlain.
„ ... i cili në vitet e fundit të jetës së tij ka banuar në rrugën Wahnfriedstraße, pra direkt pranë shtëpisë Wahnfrid. Me veprat e tij antisemite, ku theksonte epërsinë e racës ariane, ishte një pionier i Adolf Hitlerit dhe nacionalsocializmit".
Po vetë maestro? Richard Wagner, i cili në shekullin e 19-të me shkrimin e tij polemik „Hebraizmi në muzikë“, bëri të flitej për të si antisemit i shpallur, mungon për çudi në fletëpalosjen informative. Në Rajhun e tretë, kodra e gjelbër u kthye në një vend të shenjtë të nacionalsocializmit, ku e reja e Wagnerit, Winifried, i thurte lavde mikut të saj dhe fyrerit, Adolf Hitler.
Në guidën e qytetit për Bajrojtin hebre për këtë flitet në mënyrë të mjegullt duke iu referuar një pllake përkujtimore në parkun e festivalit. Arkivistja e qytetit Christine Bartholomäus, përpiqet të japë shpjegime për këtë:
„Wagneri është një temë kaq komplekse, sa nuk nuk donim ta reduktonim në një detaj të tillë. Pra ne nuk donim të vendosnim në qendër Wagnerin, siç ndodh zakonisht, por më tepër historinë normale hebreje, jetën e banorëve hebrej brenda komunitetit të qytetit."
Megjithatë: Antisemitizmi i tij nuk e pengoi Richard Wagnerin të lejonte Hermann Levi-n, një hebre, të dirigjonte premierën e veprës së tij „Parsifal“. Sot një rrugë mban emrin e dirigjentit. Një përpjekje si guida e qytetit, për t'i dhënë vendin që i takon Bajrojtit hebre.
Autor: Thomas Senne/ Mimoza Kelmendi
Redaktoi: Eliana Xhani