1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bakojani: zgjedhjet e lira dhe të ndershme shumë të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë

Arben Muka /Tiranë9 Shkurt 2009

Sot qëndroi në Tiranë, ministrja e jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis. Ajo u takua me autoritetet më të larta zyrtare në Tiranë.

Ministrja e jashtme greke Dora Bakojanis dhe ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha në Tiranë
Kryetarja e OSBE-së, Dora Bakojanis në TiranëFotografi: DW/Dhima

Vizita e ministres së jashtme greke Dora Bakojanis në Tiranë ngjalli që në krye mjaft interes në opinion shqiptar. Duke patur dhe atributet e kryetares së rradhës së OSBE-së, Bakojanis kishte në axhendën e saj kontakte me autoritetet më të larta shqiptare, përfaqësues të spektrit politik të të gjitha karahëve, si dhe më përfaqësues të Zyrës së OSBE/së në Tiranë.

Zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë shumë të rëndësishme për proceset integruese të Shqipërisë. Këtë ka theksuar gjatë qëndrimit të sotëm në Tiranë shefja e diplomacisë greke Dora Bakojanis. Duke qenë se Bakojanis ishte në Shqipëri dhe me atributin e kryetares së rradhës së OSBE-së, mikpritësi i saj Lulzim Basha, i ka kërkuar vëzhgimin nga kjo organizatë të zgjedhjeve të 28 qershorit.

Kryetarja e OSBE-së, Dora Bakojanis në TiranëFotografi: DW/Dhima

Basha e përshkroi të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje si me perspektivë.

"Greqia është një partner strategjik dhe politik", tha ai gjatë një konferencë të përbashkët me Bakojanis.

Sa i takon problemit aq të debatuar të pronave, ministrja e jashtëme greke deklaroi se "vetëm drejtësia dhe zbatimi i ligjit do të zgjidhin këtë problem".

Para takimit, analisti Artur Zheji, i tha programit tonë se mes Athinës dhe Tiranës nuk duhet të ketë probleme tabu. Ato, sipas tij me vullnet dhe transparencë duhet të shtrohen në tavolinë.

Analisti Artur ZhejiFotografi: DW/Arben Muka

“Mendoj se marrëdhëniet dhe shqetësimet e bartura mes të dy vendeve janë disi problematike. Duke patur këtu parasysh faktin që në këto marrëdhënie Greqia nuk mund të vazhdojë të mbajë tonin dhe impostimin e vendit më të madh dhe vendit më të vogël, vendit më të fortë dhe vendit më të dobët. Sic qe rasti i ratifikimit nga ajo e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit Shqipëri – BE, që e kushtëzoi me ndërtimin e varrezave të ushtarvë grekë në territorin shqiptar. Ata e meritojnë një lapidar dhe një varr dinjitoz në Shqipëri, por kjo vendosje e kushteteve për ta trajtuar Shqipërinë si me konture të një identiteti të dyshimtë nuk duhet të vazhdojë më”, tha analisti Artur Zheji.