1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Ballkani i Hapur” në Ohër: Mali i Zi dhe Bosnja si vëzhgues

8 Qershor 2022

Në Samitin “Ballkani i Hapur” që zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut pritet nënshkrimi i katër marrëveshjeve të bashkëpunimit, mes tyre ajo për luftën kundër evazionit fiskal dhe njohjen e diplomave universitare.

Open Balkan Summit
Fotografi: Office of the Prime Minister of Albania

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut po zhvillon punimet Samiti i radhës i nismës "Ballkani i Hapur", apo siҫ njihet “Open Balkan”, me pjesëmarrjen e udhëheqësve  të rajonit, por jo edhe të Kosovës. Një darkë punë u zhvillua mbrëmë në qytetin e Ohrit me fjalimet zyrtare të nikoqirit, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski,pastaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Malit të Zi, Dritan Abazoviç, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si dhe kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Zoran Tegeltija. Për herë të parë  Samitit në cilësinë e vëzhguesit, ju bashkua edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe përfaqësuesi serb i Bosnje-Hercegovinës, Zoran Tegeltija, por në mënyrë kategorike refuzon të marrë pjesë Kosova. Fjalime  në Samit mbajnë edhe komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, dhe përmes videomesazhit do të flasë edhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, njofton qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Pjesëmarrësit në Samitin e Ohrit, pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për bashkëpunim dhe njohje reciproke të diplomave dhe gradave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe institucione të tjera të autorizuara, si dhe memorandume mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e turizmit, kulturës dhe administrimit tatimor. Sipas organizatorëve, Ballkani i Hapur synon vendosjen e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në rajon.

Pamje nga samiti në Tiranë, dhjetor 2021Fotografi: Albania Premiership Press Office

Kosova nuk i afrohet nismës

Kosova ende në mënyrë kategorike refuzon t'i bashkohet nismës Ballkani i Hapur për shkak siҫ thonë udhëheqësit e Kosovës “të qasjes së Serbisë e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditë më parë e refuzoi ftesën e kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në Samit. Me anë të një letre që i dërgoi Kovaҫevskit, kryeministri Kurti shkroi se “Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit, që u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në vitin 2020 dhe u mbështet nga Bashkimi Evropian”.

"Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të punojnë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajon, dhe që mohon vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”, shkroi Kurti në letër.

Pamje nga samiti në BeogradFotografi: Darko Vojinovic/AP/picture alliance

Mediet në Prishtinë shkruajnë se Serbia, vazhdon të ruajë lidhje të fuqishme me Rusinë dhe Kinën dhe ajo është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit që ka refuzuar deri tani t'iu bashkohet sanksioneve të BE-së, kundër Moskës për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Një ditë më parë, tre vendet fqinje të Serbisë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, e detyruan ta anulojë një vizite në Serbi  ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov duke mos lejuar kalimin e avionit të tij nëpër hapësirën e tyre ajrore. Shefi i diplomacisë ruse Lavrov, fajësoi perëndimin për anulimin e vizitës ndërsa ritheksoi se "askush nuk do të jetë në gjendje të shkatërrojë marrëdhëniet e Rusisë me Serbinë”. "Ata mbase nuk donin që ne të shprehnim mbështetjen për nismën e Beogradit për të realizuar projektin e Ballkanit të Hapur në interes të marrëdhënieve më të shëndetshme dhe më të forta midis të gjitha vendeve të rajonit", tha të hënën ministri rus Sergej Lavrov.

Kritika: Nga Ballkani i Hapur përfiton Serbia

Kritikat ndaj Ballkanit të Hapur vijnë edhe nga analistë të çështjeve ekonomike. Në Prishtinë ata janë shprehur, se nga Ballkani i Hapur, më së shumti do të përfitojë Serbia, për faktin se duke qenë për disa herë më e fuqishme ekonomikisht krahasuar me vendet e rajonit, do të shtrijë prodhimet e veta në tregjet e vendeve fqinje, ndërsa prodhuesit vendor fqinjë të Serbisë, do të përballen me sfida shtesë në punën e tyre përfshirë edhe konkurrencën e ҫmimeve.

 

ag