1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ballkani nën stuhi reshjesh: Të vdekur në Bosnje

5 Tetor 2024

Stuhi reshjesh kanë goditur Ballkanin Perëndimor e priten të vazhdojnë edhe në fundjavë. Si pasojë e shirave e rrëshqitjeve të dheut në Bosnje-Hercegovinë ka pasur mjaft të vdekur. Edhe në Vlorë pati përmbytje.

Përmbytje në rajonin malor të Jabllanicës
Përmbytje në rajonin malor të Jabllanicës Fotografi: Armin Durgut//Pixsell/IMAGO

Pamjet në mediat sociale tregojnë se sa shpejt shirat përmbytën rrugët dhe ndërtesat në mjaft vende në Ballkanin Perëndimor. Situata më e rëndë është në Bosnje-Hercegovinë.  Të paktën 16 vetë kanë vdekur nga përmbytjet e rënda dhe rrëshqitjet e dheut në Bosnje-Hercegovinë. Autoritetet lokale dhe Zyra për Mbrojtjen Civile thonë se numri i saktë i viktimave ende nuk dihet dhe se numri i të vdekurve nga përmbytjet ka gjasa të rritet. Në Bosnje-Hercegovinë më i prekur është një rajon malor rreth 30 kilometra në veri të qytetit të Mostarit. Trupat pa jetë u gjetën në rajonin malor të Jabllanicës, i cili gjendet 70 kilometra në jugperëndim të Sarajevës. Në fotografitë e botuara në mediat lokale duket se prej rrëshqitjeve të dheu u mbuluan mjaft ndërtesa. Nga një xhami dukej vetëm minarja.

Shiu i dendur ka shkaktuar përmbytje në Kiseljak të BosnjësFotografi: RUSMIR SMAJILHODZIC/AFP

"Situata është shumë serioze, shumë njerëz nuk mund të largohen nga banesat", shkroi kryeministri i Federatës së Bosnje-Hercegovinës, Nermin Niksic në platformën X. Sipas zëdhënësit të qarkut, Darko Jukan, qyteti i Jabllanicës, me një popullsi prej 4,000 banorësh, nuk ka për momentin asnjë lidhje me botën.Qeveria në Bosnje-Hercegovinë krijoi një shtab krize dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.  

Edhe në Shqipëri situata në disa qytete u përkeqësua ditën e djeshme brenda pak minutash. Situata më e rënduar është në Vlorë ku u përmbytën disa lagje, disa rrugë e kryqëzime janë ende të bllokuara. Probleme ka edhe në rrugën lidhëse të autostradës Vlorë-Fier me Transballkaniken. 
 

Përmbytje në KiseljakFotografi: RUSMIR SMAJILHODZIC/AFP

Shirat mund të pengojnë përpjekjet e skuadrave të shpëtimit

Edhe në Bosnje-Hercegovinë ka probleme me rrugët e bllokuara. Aldin Brasnjic, drejtues i Zyrës për Mbrojtjen Civile të federatës boshnjako-kroate, tha se ekipet e shpëtimit ende nuk kanë arritur të depërtojnë në disa fshatra për shkak të rrugëve të bllokuara. Ai tha se shirat që parashikohen gjatë fundjavës do t'i vështirësojnë përpjekjet e tyre edhe më tej.

Edhe në qytetin Kiseljak, rreth 20 kilometra nga Sarajeva, janë nën ujë shumë shtëpi, kopshte dhe makina, njoftoi agjencia e lajmeve AFP.

Ndërkohë edhe Kroacia lëshoi ​​një paralajmërim për përmbytje për qytetin bregdetar të Rijekës dhe zonat e brendshme të vendit.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh se ndryshimet klimatike po i rrisin gjasat, intensitetin dhe kohëzgjatjen e ngjarjeve ekstreme të motit si shirat e rrëmbyeshëm.

 

 

(AFP, AP, Beta, dpa, Reuters)