1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rebelët në Irak po avancojnë drejt Bagdadit

A Verbica (dpa, afp, rtr)12 Qershor 2014

Xhihadistët në Irak vazhdojnë të përparojnë. Pas Mosulit, është marrë Tikriti, dhe tani po luftohet në Samarra. Qindra mijëra janë në arrati. Në Mosul, ISIS mori peng 80 turq.

Fotografi: Getty Images/Afp//Safin Hamed

Terroristët duhen penguar, "për të shkatërruar rrugën e demokracisë në Irak", deklaroi zëdhënësi i Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon në Nju Jork. Në të njëjtën kohë ai e kujtoi, se në luftën kundër "terrorizmit dhe dhunës" duhet respektuar e drejta ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut. Bashkësia ndërkombëtare duhet të bashkohet dhe të tregojë solidaritet me Irakun, i cili ndodhet para një sfidë serioze.

Ban Ki Moon: Duhen penguar terroristëtFotografi: Simon Maina/AFP/Getty Images

Luftëtarët e grupit terrorist sunit Shteti Islamik në Irak dhe Siri (ISIS) në ofensivën e tyre rrufe po i afrohen gjithnjë e më shumë kryeqytetit Bagdad. Sipas policisë kryengritësit zhvilluan luftime të ashpra me forcat irakiane të sigurisë në hyrjen veriore të qytetit Samarra. Qyteti ndodhet vetëm 110 kilometra larg nga Bagdadi.

Më parë islamistët pas metropolit milionësh të Mosulit dhe qyteteve të tjera në veri të vendit kishin marrë edhe Tikritin në pjesën qendrore të Irakut. "I gjithë Tikriti është në duart e luftëtarëve", tha një kolonel i policisë në kryeqytetin e provincës Salaheddin. Edhe këtu kryengritësit sipas të dhënave të qeverisë së provincës kishin zhvilluar luftimeve të ashpra me forcat e sigurisë.

Situatë e paqartë në Baixhi

Tikriti ndodhet 160 kilometer në veri të Bagdadit dhe është qyteti i lindjes së pushtetarit të dikurshëm irakian Saddam Hussein. Sipas njoftimeve qyteti ishte sulmuar thuajse njëkohësisht nga të gjitha drejtimet. Ashtu si më parë në Mossul luftëtarët e ISIS liruan shumë të burgosur nga burgjet.

Një natë më parë ekstremistët e ISIS kishin hynë në qytetin Baixhi. Rafineria e naftës atje furnizon shumicën e provincave të vendit. Aty ndodhet edhe një termocentral i rëndësishëm për furnizimin e vendit me energji. Sipas dëshmitarëve rebelët e kanë marrë rafinerinë pa luftime, pasi i është premtuar personelit të sigurisë që të largohet i papenguar. Televizioni shtetëror njofton nga ana tjetër, se sulmi është zmbrapsur nga forcat e sigurisë.

Qindra mijëra në arrati

Ndërkohë shtohen njoftimet për krimet e kryera nga rebelët. Vetëm nga Mosuli janë larguar 500.000 vetë nga frika e dhunës prej luftëtarëve të ISIS, raporton Organizata Ndërkombëtare për Migrim në Gjenevë. Nga luftimet ka pasur një numër të madh viktimash në mesin e popullatës civile. Spitalet e mëdha në qytet nuk kanë më kapacitete për të plagosurit.

Fotografi: Getty Images/Afp//Safin Hamed

Pengmarrje në Mossul

Në Mossul rebelët sulmuan konsulatën e atjeshme turke dhe morën peng 48 vetë, në mesin e tyre edhe fëmijë. Ministri i Jashtëm turk ndërpreu për shkak të pengmarrjes udhëtimin e tij në SHBA. Në duart e rebelëve janë edhe 30 shoferë turq kamionësh, që duhej të furnizonin qytetet në veri të Irakut me karburant. Qeveria në Ankara kërcënoi me hakmarrje, nëse u ndodh gjë pengjeve. Përveç kësaj Turqia do të angazhojë NATO-n..

Synimi është shteti i Zotit

Gjatë avancimit të tyre islamistët kanë ekzekutuar 15 forca të sigurisë. Sipas policisë në Rijad janë vrarë gjashtë forca të sigurisë, në Rashad katër, në postat e kontrollit në Talkijah pesë.
Islamistët radikalë të ISIS, të cilët edhe për vetë shumë luftëtarët e al-Kaedës konsiderohen tepër ekstremistë, kishin filluar ofensivën e tyre të hënën në mbrëmje. Qëllimi i tyre është që të krijojnë një shtet islamik sunit në botën arabe, midis detit Mesdhe dhe Eufratit. Grupi xhihadist i njohur për veprimet e tij të pamëshirshme dhe atentatet e shumta vetëvrasëse kontrollon edhe pjesë të Sirisë fqinje dhe është një nga kundërshtarët më të fuqishëm të presidentit Bashar al-Asad.

OKB dhe qeveria gjermane "jashtëzakonisht e shqetësuar"


Kryeministri i Irakut Nuri al-Maliki foli ndërkohë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Për këtë do të diskutohet në parlament. Përveç kësaj Maliki do të ngrejë grupe vigjilence. Ekstremistët nga ana e tyre u bënë thirrje të gjithë sunitëve për t'u bashkuar me luftën e ISIS. Shumë sunitë ndjehen të lënë në baltë nga qeveria shiite e Malikit.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin tha se marrja e një qyteti të tërë si Mosuli nga islamistët është "një nivel i ri i eskalimit të situatës", që shkakton "shqetësimin e madh" të qeverinë gjermane. Aktorët politikë në vend duhet t'i japin fund luftës për pushtet dhe së bashku të veprojnë kundër "terrorizmit", tha ai. Ndërkohë ministria e Jashtme gjermane u ka bërë thirrje gjermanëve te largohen menjëherë nga provincat Ninive, Anbar dhe Salah ad-Din. Siç njoftoi ministria të enjten në faqen e saj, "priten përleshjeve të armatosura midis terroristëve, forcave të sigurisë të Irakut dhe milicisë si dhe me sulme të ashpra." Edhe dy provinca në verilindje situata është "jashtëzakonisht shqetësuese".

Kryeministri i Irakut Nuri al-MalikiFotografi: picture-alliance/dpa