1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ban: Të zbuten sanksionet kundër Birmanisë

30 Prill 2012

Ban Ki Mun para Parlamentit birmanez kërkon zbutjen e mëtejshme të sanksioneve ndaj vendit aziatikojuglindor. Westerwelle takohet me presidentin Sein dhe udhëheqësen opozitare Suu Kyi.

Ban Ki-Moon në Birmani
Ban Ki-Moon në BirmaniFotografi: dapd

Gjatë një vizite në Birmani të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun i ka bërë thirrje perëndimit për një zbutje të mëtejshme të sanksioneve të tij kundër vendit aziatikojuglindor të izoluar prej dekadash. Tashmë lehtësimi i tyre është mirëpritur por duhet të bëhet edhe më shumë, tha Ban në fjalën e tij para Parlamentit birmanez në kryeqytetin Naypyidaw. Fjala e tij ishte dhe paraqitja e parë e një përfaqësuesi ndërkombëtar para parlamentit birmanez.

Bota vlerëson hapjen e Birmanisë

Vendi për një kohë të gjatë është drejtuar nga një qeveri ushtarake. Viteve të fundit nën drejtimin e një qeverie formale civile me në krye ish-gjeneralin Thein Sein vendi është hapur dhe ka ndjekur një kurs reformash në drejtim të demokracisë. Edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në përfundim të udhëtimit të tij në Azinë Juglindore, këtë të hënë takohet me presidentin e Birmanisë, Thein Sein.

Westerwelle und Suu Kyi në MyanmarFotografi: REUTERS

Bisedimet në kryeqytetin Naypyidaw do të shërbejnë për atë që vendi të inkurajohet për hapa të mëtejshëm në drejtimin e demokracisë. Në programin e Westerwelles është planifikuar edhe një bisedë tjetër me opozitën.

Të Dielën ministri ishte takuar në qytetin port Rangun me mbajtësen e çmimit Nobel për paqe Aung San Suu Kyi, njëkohësisht politikanja më e rëndësishme opozitare e vendit. Westerwelle premtoi në mbyllje të takimit me Suu Kyin-në se Gjermania mbështet reformat në drejtim të demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Autor: dpa afp/M.Kelmendi

Redaktoi: Lindita Arapi