1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Banka Botërore miraton strategjinë e re të përkohshme për Kosovën

Eliana Xhani7 Prill 2006

Gjenerimi i burimeve të reja për rritjen ekonomike dhe mbështetja buxhetore si kusht vendimtar për stabilitetin makroekonomik në vend, janë dy shtyllat kryesore të strategjisë

Banka Botërore vlerëson se Kosova mund të jetë në periudhë afatmesme eksportues potencial energjie në rajon
Banka Botërore vlerëson se Kosova mund të jetë në periudhë afatmesme eksportues potencial energjie në rajonFotografi: AP

Dy ditë më parë në Prishtinë u prezantua Korniza për Shpenzimet në periudhë afatmesme. Donatorët premtuan një ndihmë prej 55 milionësh eurosh për buxhetin e Kosovës për vitin 2006 dhe një pjesë të vitit 2007. Në këtë shumë BE merr pjesë me 50 milionë dhe Banka Botërore me 5 milionë euro.


Kontributi i Bankës Botërore është pjesë e një granti prej 19 milionë dollarësh amerikanë të miratuar një javë më parë nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës në kuadër të strategjisë së re të përkohshme për Kosovën. Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë Kanthan Shankar shpjegon se dy do të jenë shtyllat mbi të cilat mbështetet strategjia: "Banka Botërore ka miratuar strategjinë e re të përkohshme për Kosovën. Ajo fokusohet në dy fusha kryesore. Së pari gjenerimi i burimeve të reja për rritjen ekonomike dhe përmirësimi i gjendjes mjedisore dhe sociale. Kjo do të arrihet kryesisht përmes mbështetjes së sektorit energjitik.
Pjesa e dytë e strategjisë ka të bëjë me mbështetjen buxhetore e cila do të sigurojë stabilitet makroekonomik në vend."

Strategjitë e përkohshme të Bankës Botërore janë programe të hartuara për vendet e dala nga konfliktet dhe synojnë mobilizimin dhe angazhimin e burimeve në bashkëpunim me donatorë të tjerë.
Mbështetja buxhetore për qeverinë e Kosovës synon ndër të tjera kapërcimin e deficitit të krijuar gjatë vitit 2004 dhe do të jetë e kushtëzuar nga përpjekjet e qeverisë për mirëadministrim të fondeve.
Përfaqësuesi i Bankës Botërore, Shankar: "Vërtet gjatë vitit 2004 deficiti buxhetor ishte shumë i lartë, 5,4 % e produktit të brendshëm bruto. Gjatë vitit 2005 megjithatë përmes një politike të displinuar fiskale nga qeveria kosovare, u shkurtuan shpenzimet publike dhe u rritën të ardhurat buxhetore gjë që çoi në uljen e defiçitit buxhetor nën 3%. Kjo mbështetje buxhetore e ofruar nga Banka Botërore dhe Komisioni europian do të jetë natyrisht e kushtëzuar. Pesë milionë eurot e planifikuara për këtë vit fiskal do të ndihmojnë qeverinë të racionalizojë më tej shpenzimet publike dhe të rrisë të ardhurat."
Mbështetja e sektorit energjitik, shtylla e dytë e strategjisë së Bankës Botërore, është shumë e rëndësishme për vendin pasi do t'i sigurinte Kosovës një avantazh strategjik në rajon dhe do të kontribuonte në pavarësinë e saj ekonomike edhe në sfond të bisedimeve për statusin e ardhshëm të saj.
"Nga aspekti ekonomik kjo është shumë e rëndësishme pasi do të sigurojë të ardhura. Në Memorandumin Ekonomik për Kosovën të paraqitur në vitin 2004 nga Banka Botërore identifikohen dy shtylla për rritjen ekonomike të vendit: sektori energjitik dhe bujqësia. Kosova ka burimet natyrore për gjenerimin e elektricitetit, rezervat e linjitit. Bëhet fjalë për një linjit të një cilësie të lartë me përmbajtje shumë të ulët sulfuri, pra burim i preferueshëm edhe nga pikpamja mjedisore. Sigurisht vendimtare është mënyra se si shfrytëzohet ky burim, nëse ai shfrytëzohet në mënyrë të tillë që të respektohet e ardhmja ai mund të përdoret për gjenerim energjie jo vetëm për përdorim të brendshëm por edhe për eksport. Kosova mund të siguronte kështu një pozicion strategjik në rajon po të mbajmë parasysh nevojën e madhe për elektricitet të vendeve të rajonit. Sipas një studimi të përbashkët të Bankës Botërore dhe BE-së gjatë 15-20 viteve të ardhshëm Ballkani do të ketë një mungesë prej 15.000 deri 20.000 megavatësh. Pra në periudhë afatmesme dhe afatgjatë Kosova është e pozicionuar mirë për të qenë eksportuese energjie", shprehet përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, Kanthan Shankar.