1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Banka Qendrore Evropiane thyen tabutë

Henrik Böhme7 Shtator 2012

Banka Qendrore Evropiane vendosi blerjen e obligacioneve shtetërore. Shefi i BQE-së Draghi kërkoi përpjekje të qarta për reforma në vendet anëtare të eurozonës

**ARCHIV** Das Euro-Logo vor der Zentrale der Europaeischen zentralbank in Frankfurt fotografiert am 6. November 2007. Der EZB-Rat trifft sich am Donnerstag 2. April 2009 in Frankfurt. (ddp images/AP Photo/Bernd Kammerer,fls) **FILE** Nov. 6 2007 file picture shows the euro sign in front of the European Central Bank, ECB, in Frankfurt, central Germany. Thursday March 5 2009 top managers gather for a meeting at the ECB. (ddp images/AP Photo/Bernd Kammerer)
Fotografi: dapd

Në fund nuk qe vërtet ndonjë surprizë: Banka Qendrore Evropiane vendosi një program të dytë për blerjen e obligacioneve shtetërore të vendeve të eurozonës që janë në krizë . Tregjet kishin spekuluar prej kohësh për një vendim të tillë nga ana e bankierëve qendrorë të Evropës - çmimet e aksioneve shfaqnin ditët e fundit një tendencë rritjeje.

Mario Draghi, shefi i BQE-së, e justifikoi vendimin e së enjtes (2012/05/09) në takimin e Këshillit në Frankfurt me atë që efekti i politikës monetare konvencionale të BQE-së është dëmtuar  për shkak të mosbesimit ndaj euros. "Kjo do të na vërë në një pozicion që të korrigjojmë gabimet në tregun e obligacioneve shtetërore, të cilat janë të shkaktuara nga frika e investitorëve të pabaza se euro mund të dështojë", tha shefi i BQE-së në konferencën për shtyp.

Mario DraghiFotografi: Reuters

Vëllim i pakufizuar

BQE kishte blerë edhe më parë për rreth 200 miliardë euro obligacione shtetërore, por në fillim të vitit 2012 programi mori fund. Tani në edicionin e dytë nuk ekziston asnjë kufizim në vëllim. Programi do të përfundojë kur të jenë arritur qëllimet, njoftoi Draghi. "Më lejoni të përsëris atë që kam thënë muajin e kaluar: Ne i përmbahemi në mënyrë rigoroze mandatit tonë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve. Ne jemi të pavarur në politikën tonë monetare, euroja është e pakthyeshme ..."

Kushti më i rëndësishëm për një ndërhyrje nga ana e BQE-së është që një vend të cilit do t'i blihen obligacioneve shtetërore të jetë futur në paketën e shpëtimit euros, tha Draghi. Kjo është e nevojshme për të garantuar që ndihma kushtëzohet nga një ristrukturim i financave publike dhe nga programet ekonomike për stimulimin e koniunkturës.

Një votë kundër

Vendimi i BQE-së për programin e ri  për blerjen e obligacioneve nuk ishte unanim. Draghi tha: "Ne nuk do t'ju themi se cili qe kundër, ju mund të spekuloni." Kishte vetëm një votë kundër.

Presidenti i Bankës Qendrore Gjermane Bundesbank Jens Weidmann kishte njoftuar më parë se do ta kundërshtonte programin. Sipas tij me blerje të tilla BQE-ja bie në  kundërshtim me marrëveshjen e BE-së, e cila e ndalon financimin e shteteve prej Bankës qendrore.

Jens WeidmannFotografi: Reuters

Shefi i BQE-së Draghi e ktheu topin në fushën e politikës, duke kërkuar përpjekje të qarta për reforma në vendet anëtare të eurozonës: "Për të rivendosur besimin, politikanët në Evropë duhet të punojnë me vendosmëri  për të konsoliduar buxhetet e tyre, për reformat strukturore, për aftësinë konkurruese dhe ndërtimin e institucioneve evropiane."

Reagimet për vendimin e BEQ-së ishin të ndryshme dhe shkonin nga miratim "si e vetmja rrugë" deri tek refuzimi dhe quajtja si "rrugë e gabuar".