1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Banka Qendrore gjermane pret ndihmë të re për Greqinë

aud/mak/wl (dpa, rtr, afp, SpiegelOnline)12 Gusht 2013

Menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme në Gjermani mund të shpallet një program i ri ndihmash për Greqinë. Këtë e bën të ditur revista "Der Spiegel", që citon një dokument të brendshëm të Bankës Qendrore gjermane.

Fotografi: dapd

Më e vonta në fillim të vitit 2014, evropianët duhet të vendosin "me sa duket patjetër një program të ri kredish për Greqinë", thuhet në një dokument të cilin e citon revista "Der Spiegel" në numrin e saj më të fundit. Në pozicionimin për Ministrinë gjermane të Financave dhe për Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) ekspertët kritikojnë dorën e dytë të kredisë për Greqinë e zhytur në borxhe si dhe verifikimin e bërë për këtë nga troika dhe mendojnë se pas kësaj qendrojnë "presione politike."

Për mbikqyrësin kryesor të financave shtetërore në Gjermani dhe për qeverinë gjermane, pozicionimi vjen në një kohë të papërshtatshme: ministri i Financave, Wolfgang Schäuble dhe kancelarja Angela Merkel i kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur kërkesat për kredi të reja ose për një falje tjetër të pjesshme të borxheve. Vetëm në vitin 2014 mund të flitet për ndihma të reja, kështu janë shprehur në intervista politikanë të CDU-së.

Fotografi: picture-alliance/Wolfram Steinberg

Dyshime të mëdha

Banka Qendrore gjermane, Bundesbanka, i vlerëson si "jashtëzakonisht të larta" rreziqet e programit të shpëtimit për Greqinë. Edhe politika e qeverisë greke është "e pakënaqshme" dhe ekzistojnë "dyshime të forta", nëse Athina do të jetë në gjendje të zbatojë reforma të domosdoshme, thuhet në një pozicionim. Një zëdhënëse e Bankës Qendrore Gjermane nuk pranoi ta komentojë të dielën raportin e "Spiegel"-it.

Greqia ndërkohë lufton me vitin e gjashtë të recesionit në vazhdim. Vetëm në vitin 2014 pret Komisioni Evropian një rritje të lehtë ekonomike prej 0,6 përqind. Në maj, kuota e papunësisë në Greqi ishte tek 27,6 përqind. Kjo është më shumë se dyfishi i mesatares 12,6 në vendet e BE.

Në korrik, Fondi i Shpëtimit të Euros dhe FMN përcollën tek Greqia 5,7 miliardë euro. Gjithsej deri tani Greqia ka marrë ndihma në shumën 200 miliardë euro.