121011 EU Rekapitalisierung
13 Tetor 2011Propozimet e presidentit të Komisionit Jose Manuel Barroso janë njëkohësisht një pranim i dështimit. Në fund të korrikut, qeveritë e BE ranë dakord në një takim të posaçëm të nivelit të lartë për të marrë masa të reja, për ta frenuar krizën e euros. Por përpara se vendimet të jenë vënë në jetë në të gjithë vendet e Euros, është e qartë se ato nuk mjaftojnë, pranoi Barroso para Parlamentit Evropian:
"Megjithë premtimet e shefave të shteteve dhe të qeverive më 21 korrik, për të mbështetur vende dhe programe dhe megjithë garancinë se pjesëmarrja e kreditorëve privatë do të mbetet e kufizuar rreptësisht tek Greqia, rreziku i infektimit nuk është frenuar. Për t'i ndaluar përfundimisht këto rreziqe, që pengojnë përpjekjet tona, ne duhet ta përforcojmë murin e mbrojtjes nga zjarri përreth euros. Ne kemi nevojë për instrumenta më të besueshëm, më të fortë."
Edhe po ta kundërshtonte Barroso, një falje e pjesshme e borxheve Greqisë për shumicën e ekspertëve konsiderohet punë e mbaruar. Por shumë druhen se i njëjti fat mund të kërcënojë edhe vende të tjera, madje edhe Italinë shumë më të rëndësishme nga ana ekonomike. Por që tani, bankat evropiane po përjetojnë rreziqe, për shkak të pamundësive eventuale për pagesë. Sipas dëshirës së Barrosos, ato duhet të marrin në një kuadër evropian injeksione financiare, në rast nevoje në mënyrë të detyruar dhe me mjete shtetërore. Por edhe Fondi i Shpëtimit EFSF mund të rezultojë shpejt si i pamjaftueshëm, beson Barroso, në një kohë kur sapo u vendos zgjerimi i tij. Barroso nuk përmendi shifra, por ato i përmendi shefi i Grupit Parlamentar liberal, Guy Verhofstadt:
"Ata duhet të rrisin edhe shumën. Ne duhet të ndihmojmë vende në vështirësi, të rifurnizojmë me kapital bankat, të ndihmojmë vende me probleme për të paguar. E vërteta është që ne duhet ta trefishojmë shumën e garancisë në EFSF, të paktën ta trefishojmë. Përndryshe, tregjet financiare nuk do të binden."
Që tani është e qartë që një rritje e tilllë drastike në shumë vende, edhe në Gjermani, do të ishte thuajse e parealizueshme nga ana politike. Frika e takspaguesve nga rreziqet e pallogaritshme të garancisë është e madhe. Kjo vlen edhe një valë të dytë të shpëtimit të bankave.
Barroso do t'ua paraqesë propozimet e tij shefave të shteteve dhe të qeverive në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë më 23 tetor. Ky takim u shty për rreth një javë, për të pasur mundësi që të vritet mendja për reforma të tjera. Por një javë, në stadin e tanishëm të krizës së euros është një kohë e gjatë.
Autor: Christoph Hasselbach/ Auron Dodi
Redaktoi: Elert Ajazaj