Bashkë me Pashkët edhe protesta
8 Prill 2007
Reklamë
Në Fretzdorf të landin të Brandenburgut u mblodhen të dielën mijëra vetë për të protestuar kundër planeve të ushtrisë gjermane për ta shpallur këtë zonë zonë fluturimesh të ulta për avionët ushtarakë. Ushtria gjermane dëshiron që të rivërë në këtë zonë në funksion një poligon ajror të ushtrisë së dikurshme sovjetike. Sipas planeve të ushtrisë gjermane në këtë poligon me sipërfaqe prej 14.000 hektarë pritet të ngrihet territori më i madh stërvitor për aviacionin në Evropën qendrore. Në protestë morën pjesë edhe kryeminstri i landit të Brandeburgut Matias Placek si dhe Ministri i ambientit të landit Meklenburg Pomeria e Parme Til Bakhaus, që të dy SPD. Teologu Eugen Dreverman, nga Paderborni, gjithashtu pjesëmarrës në protestë, e akuzoi rëndë NATO-n, duke e quajtur "një shoqatë kriminele". Kryeministri i landit të Brandeburgut Matias Placek i kërkoi Ministrit të Mbrojtjes Jozef Jung që të heqë dorë prej këtyre planeve. Në zonën e Rurit, konkretisht në qytetet Dusburg, Essen, Gelsenkirchen dhe Bochum po zhvillohet një protestë triditore. Pjesëmarrësit në të shkojnë nga një qytet tek-tjetri me biçikleta dhe zhvillojnë më tej protesta në qendër të qyteteve nën moton "Fund luftrave! Zbatoni ligjet ndërkombëtare! Kurseni shpenzimet për armatimin! Në Ansbach të Bavarisë u mblodhën rreth 300 vetë që protestuan kundër zgjerimit të bazës amerikane në këtë zonë. Në rast se do të zgjerohet, kazerma e Ansbachut do të jetë baza më e madhe amerikane e helikopterëve në Evropë. Manifestimet e lëvizjes për paqe me rastin e Pashkëve kanë një traditë thuajse 50-vjeçare në Gjermani. Fillesat e tyre këto manifestime i kanë në vitet 50-të në Britaninë e Madhe. Në Gjermani marshimi i parë i protestës me rastin e Pashkëve u zhvillua për herë të parë në vitin 1960. Asokohe demonstruesit prostuan kundër armatosjes së Gjermanisë dhe pajises së ushtrisë gjermane me armë atomike. Pikat kulmore të lëvizjes paqësore në Gjermani dhe bashkë me të edhe të protestave gjatë Pashkëve ishin në fund të viteve 60-të si dhe gjatë viteve 80-të kur zhvilloheshin bisedimet për çarmatimin. Pas përfundimit të garës së armatimit mes fuqive botërore kjo lëvizje filloi të zbehej. Një lloj rigjallërimi ajo pati gjatë lufës në ish-Jugosllavi dhe në Gjirin Persik. Kritikë ndaj organizatorëve të manifestimeve të Pashkëve për paqen erdhi sivjet nga partia ekologjike, e cila tradicionalisht ka qenë bashkëorganizatore e tyre. Ekologjistët i akuzuan organizatorët për një optikë bardhë e zi në gjykimin e tyre rreth përdorimit të mjeteve ushtarake. Shoqata "Rrjeti kooperativa për paqen" me qendër në Bonn i hodhi poshtë këto akuza.
Reklamë