Bashkëpunimi dhe bashkëjetesa në fshatin Recicë e Vogël të Tetovës
7 Janar 2011
Ky manastir i ndërtuar në shekullin e XIII mbi themelet e një kishe të shekullit VI paraqet një prej objekteve më të rëndësishme kulturore në këtë rajon. Pas dëmtimeve në vitin 2001 në mesin e popullatës shumicë shqiptare në këtë rajon ka pasur mosmarrëveshje të shumta lidhur me rindërtimin dhe meremetimin e manastirit. Tani është krijuar një atmosferë e re, e cila mundësoi fillimin e punimeve në meremetimin e këtij objekti fetar e kulturor.
Lidhur me atmosferën e kohëve të fundit, për Deutsche Wellen flasin anëtarët e Këshillit iniciues për ndërtimin e këtij objekti fetar, Nikolla Jovanovski, Budimir Apostollovski dhe Mirçe Kuzmanovski, banorë të Tetovës. "Në masë të madhe na ka ndihmuar edhe popullata lokale shqiptare, e cila po ashtu është e interesuar për meremetimin e këtij objekti fetar dhe për funksionimin e tij. Që ai të kthehet në një gjendje, siç ishte në vitin 2001."
"Ishte kënaqësi e madhe të shikosh, se si atje kemi pasur mbështetjen edhe të popullatës jo maqedonase. Këto momente na japin shpresë dhe guxim për ndëtimin e shpejtë", thotë Nikolla Jovanovski.
"Shumë na ka ndihmuar edhe muftiu dhe përfaqësuesit e Bashkësisë Fetare Islame në rajonin e Tetovës. Muftiu i ka ftuar hoxhallarët e nëntë xhamive nga Reçica e Vogël dhe Reçica e Madhe dhe u ka thënë se ai mbështet rindërtimin dhe meremetimin e kompleksit të manastirit. Kjo ishte garanci e mirë që atje nuk do të kemi probleme", thotë Budimir Apostollovski.
"Ne presim me padurim meremetimin e kishës dhe vazhdimin e traditës së festimit të të gjitha festave në kishën 'shën Gjergjit' në Reçicë të Vogël. Është krijuar edhe një vetëdije e re, se kemi nevojë për një mirëkuptim ndërfetar dhe ndëretnik", tregon Mirçe Kuzmanovski.
Si ndodhi ky ndryshim i madh?
Kësaj pyetjeje përgjigjet Servet Reka, kryetar i zyrës së vendit në Reçicë të Vogël si dhe Alajdin Hivziu, banor i këtij fshati. "Koha ka bërë që të krijohet një domosdoshmëri e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndëretnik dhe ndërfetar", thonë të dy ata.
"Ne shqiptarët i kemi ofruar dorën e bashkëpunimit të gjitha kombeve, që jetojnë, jo vetëm në Tetovë, por edhe në tërë Maqedoninë".
"Shqiptarët janë një komb me tri fe. Prandaj për ne nuk paraqet fare problem rindërtimi i kësaj kishe. Maqedonasit edhe më parë kanë shkuar në manifestimet e tyre fetare në manastirin në Reçicë të Vogël dhe rreth kësaj çështje nuk ka pasur kurrë ndonjë problem. Unë nuk shoh ndonjë arsye, pse duhet të ketë problem rreth kësaj çështje. Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë kundër shtëpive të Zotit dhe nuk shoh asnjë shkak pse të jenë kundër kishës në Reçicë të Vogël, sepse ajo dikur ka qenë kishë e shqiptarëve. Tani askush nuk ka asgjë kundër rindërtimit dhe rregullimit të saj. Përkundrazi, edhe shqiptarët më pas mund të vijnë në ndonjë prej lutjeve, që organizohen atje. Ne angazhohemi për mirëkuptim dypalësh fetar. Pasi që maqedonasit duan të rindërtojnë kishën e tyre në Reçicë të Vogël, për të cilën thonë se është e tyre, edhe ata duhet të ndihmojnë myslimanët të ndërtojnë xhaminë e tyre në Prilep."
Pritet që ky manastir të rindërtohet deri në kohën e festimit të kremtimit të festës "shën Gjergjit", kur besimtarët shpresojnë të kthehen në kishën e tyrë. "Shën Gjergji" është një shembull i mirë për relaksimin dhe përmirësimin e raporteve mes bashkësive etnike dhe fetare në këtë pjesë të Maqedonisë.
Autor: Sveto Toevski/Bahri Cani
Redaktoi: Angjelina Verbica