1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunimi i frytshëm i NSA me Facebook

Benjamin Knight / Eliana Xhani3 Korrik 2013

Rasti i një ish shefi të sigurisë të rrjetit social Facebook, i cili kaloi në shërbimin sekret NSA, është një shembull për bashkëpunimin e ngushtë të shërbimeve sekrete me rrjetet sociale.

An undated handout image by the National Security Agency (NSA) shows the NSA logo in front of the National Security Agency's headquarters in Fort Meade, Maryland, USA. According to media reports, a secret intelligence program called 'Prism' run by the US Government's National Security Agency has been collecting data from millions of communication service subscribers through access to many of the top US Internet companies, including Google, Facebook, Apple and Verizon. Reports in the Washington Post and The Guardian state US intelligence services tapped directly in to the servers of these companies and five others to extract emails, voice calls, videos, photos and other information from their customers without the need for a warrant. (Foto: picture alliance/dpa) / Eingestellt von wa
NSA / USA / US-Geheimdienst / GeheimdienstFotografi: picture-alliance/dpa

Përmasat e mbledhjes masive të të dhënave nga NSA, duken si një mani në Uashington: sipas informacioneve përgjohen njëlloj miqtë dhe armiqtë. Nga e ka gjithë këtë ekspertizë shërbimi sekret? Kur është fjala për mbledhjen e të dhënave, një industri e caktuar është e specializuar në mënyrë të veçantë: fjala është për rrjetet sociale, të cilët jo më të vjetra se dhjetë vjet, kanë infiltruar thuajse çdo aspekt të jetës sonë.

Kufiri mes mbrojtjes së të dhënave dhe mbledhjes së tyre është i ngushtë dhe siç ka rezultuar, lehtësisht i depërtueshëm. Në maj Nju Jork Tajms bëri të ditur se ish shefi i sigurisë së Facebook, Max Kelly, e kishte lënë postin për një tjetër vend në një kompani të madhe amerikane, e cila merret gjithashtu me analizim të dhënash: shërbimin sekret NSA (National Security Agency). Ky autoritet varet nga Ministria e Mbrojtjes dhe është përgjegjës për mbikqyrjen dhe zbërthimin e komunikacionit elektronik në të gjithë botën.

Akses i drejtpërdrejtë

Cilat janë përmasat reale të bashkëpunimit të Facebook me qeverinë e SHBA?Fotografi: Reuters

Kelly, njeriu përgjegjës në Facebook për ruajtjen e të dhënave personale të rreth 1,1 miliardë përdoruesve të tij, kishte kaluar tek shërbimi sekret vetëm pak muaj pasi programi PRISM kishte nisur të mblidhte të dhëna nga Facebook. Lëvizja e Kelly-t, e cila u mbajt e fshehtë për tre vjet, është një provë e qartë e lidhjeve të thella mes aktiviteteve të NSA-së dhe medieve sociale.

"Silicon Valley ka diçka që i nevojitet shërbimit sekret: sasi gjigante të dhënash private si dhe programe kompjuterike të sofistikuara, për t'i analizuar ato", shkruante gazeta. "Nga ana e saj NSA është klienti më i madh i Sillicon Valley për atë që njihet si analizim të dhënash, një nga tregjet që po rriten me shpejtësi të madhe." Veç kësaj, NSA për të arritur qëllimet, ka investuar një pjesë të buxhetit të saj në aksione të firmave start-up në Sillicon Valley.

Asnjë dhënie llogarie

Natyrisht shërbimet shtetërore sekrete kanë bërë gjithnjë përpjekje për të siguruar të dhëna dhe informacione dhe sigurisht që firmat e IT-së prej kohësh i shesin qeverisë së SHBA-së ekspertizë dhe aparatura. Por të dhënat e klientëve përdoren edhe për firma komerciale dhe marketingu për konsumatorët po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Njëra palë ka nevojë për informacione, tjetra kërkon fitime. Kombinuar me përparimet shumë të shpejta në teknologjinë e ruajtjes së të dhënave, këto janë kushte të përsosura për një bashkëpunim me avantazhe për të dyja palët.

Lidhja mes medieve sociale dhe autoriteteve qeveritave nuk është e re, thotë Jeffrey Chester, drejtori i Qendrës për Demokraci Digjitale ("Center for Digital Democracy") në Uashington. "Mes kompanive të telefonit dhe autoriteteve qeveritare ka pasur gjithnjë një derë rrotulluese", thotë Chester në bisedë me Deutsche Welle-n. "Kompani si Google dhe Microsoft janë aktive në kërkimin e kontratave të Ministrisë së Mbrojtjes".

NSA është aksioner në Silicon ValleyFotografi: DW/M. Pringle

Shqetësues është fakti që NSA rekruton dikë nga hierarkia e lartë e Facebook, thotë Chester. "NSA nuk bën gjë tjetër veçse imiton vëzhgimin e medieve sociale". "Facebook dhe të tjerët pretendojnë se mediet sociale janë një mjet fuqizimi", shpjegon Chester. "Por ato përdoren në masë të madhe edhe për kontroll të gjerë politik dhe shoqëror."

Problemi i vërtetë është mungesa e transparencës

Përmasat e sakta të bashkëpunimit të NSA-së me mediet sociale mbeten mister, por mundësitë teknike të rrjeteve sociale janë të njohura prej kohësh. "Rrjetet online janë në gjendje të përcaktojnë pozicionin real gjeografik dhe po punojnë me zell për të zgjeruar mundësitë e mbledhjes së informacioneve për përdoruesit dhe aktivitetet e tyre", thotë Jeffrey Chester.

Simon Weiß nga Partia Pirate në Gjermani sheh një nevojë urgjente për më shumë transparencë. Mund të supozohet se sipërmarrjet e mëdha të medieve sociale "bashkëpunojnë në mënyrë aktive me autoritetet shtetërore", deklaron politikani për DW. "Por pa informacione të hapura për publikun vetëm mund të spekulojmë për përmasat dhe llojin e bashkëpunimit. Nga 'raporti për transparencën', publikuar së fundi nga Google, ne dimë se numri i kërkesave për informacion nga instanca shtetërore drejtuar rrjeteve sociale, rritet në mënyrë konstante prej vitesh."

Carl Miller nga "Qendra për Analizën e Medieve Sociale" (CASM) thotë se programet e vëzhgimit nuk janë problemi i vërtetë, por fshehtësia rreth këtyre programeve. Deri para pak kohe PRISM apo Tempora ishin të panjohur. Mediet sociale dhe shërbimet sekrete mund të jenë shumë të dobishme për sigurinë publike, por gjithçka duhet të ndodhë në një kornizë publike, shpjegon studiuesi.