Bashkëpunimi mes shkollave të larta në EJL
6 Tetor 2012
Shërbimi i Shkëmbimit Akademik Gjerman, DAAD, konsiderohet aktualisht si organizata më e madhe mbështetëse e shkëmbimet mes studentëve, të diplomuarve dhe shkencëtarëve në gjithe botën. Janë rreth 69 mijë persona në vit, gjermanë dhe të huaj që mbështeten nga DAAD-i. Programi “Rindërtimi akademik në Evropën Juglindore, bashkëpunimi i shkollave të larta në mësim, studim dhe kërkimin shkencor” prej vitit 1999 mbështet bashkëpunimin akademik në rajon, konsolidimin dhe ndërkombëtarizimin e brezit të ri të shkencëtarëve.
Dinamika dhe objektivat
Me fonde të përgjithshme në vlerën e 31,5 milionë eurosh është bërë e mundur deri më tani të mbështeten më shumë se 17 mijë studentë, të diplomuar dhe shkencëtarë. Në kuadër të këtij programi në Tiranë janë mbledhur këtë fundjavë akademikë, studiues dhe ekspertë në një konferencë rajonale me temë “Bashkëpunimi mes shkollave të larta në Evropën Juglindore: dinamika dhe objektivat duke konsideruar ndryshimet shkencore dhe politike“.
Kjo konferencë rajonale, që organizohet në kuadër të veprimtarive të Tetorit Gjerman 2012, nuk është e para. Stacionet e mëparshme kanë qenë në Hamburg e Potsdam në Gjermani, si dhe në Strugë në Maqedoni. Dr. Holger Kächelein, prej më shumë se 5 vitesh është lektor i DAAD-it në Shqipëri dhe në këtë konferencë ai bën pjesë në grupin organizator. Gjithçka është brenda filozofisë së DAAD-it, për të nxitur shkëmbimin e ideve dhe pikëpamjeve, thotë ai për DW. “Duke takuar njerëz ky është një rast për të gjetur partnerë. Sepse kështu nisin bashkëpunimet, dikush propozon një ide, një projekt dhe ka rastin të gjejë një ose më shumë partnerë në terren për ti materializuar gjërat. E keni parasysh, një përbërje të larmishme të pjesmarrësve nga vende të ndryshme, nga eksperienca të ndryshme, që nëse sinkronizohen përbëjnë një potencial të jashtëzakonshëm për produkte konkrete, për rezultate konkrete”.
Produkte të larmishme të projekteve
Diskutimi dhe shkëmbimi i ideve në të tilla forume pune është i pashmangshëm, pasi dhe projektet kanë natyrë rajonale, thotë për DW, prof. Tonin Kola, i cili është një nga përfituesit e kualifikimeve me mbështje nga DAAD. “Shikohen arritjet që kanë projektet, por dhe problematika, çfarë do të bëhet në të ardhmen në mënyrë që këto projekte të kenë finalizim të suksesshëm. Produktet e projekteve janë nga më të larmishmet: që nga mobiliteti i pedagogëve e studentëve, thellimi i punës kërkimore e shkencore, modernizimi i kurikulave të reja në nivelet Bachelor, Master e Dokturaturë, si dhe mbështetja që japin universitet gjermane për ngritjen e niveleve të edukimit në universitet e rajonit tonë”.
Prof. dr. Andonaq Londo, dekan i fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin Politeknik të Tiranës ka qenë për disa vjet kryetar i shoqatës së ish bursistëve të DAAD-it. Prof. Londo i referohet një projekti konkret një javor që sapo është mbyllur, mbi gjendjen e sektorit energjitik dhe perspektivat në Evropën Juglindore, projekt që u mbështet nga DAAD-i. “Morrën pjesë 20 studentë e pedagogë nga Universiteti i Siegen-it në Gjermani, 25 studentë nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe 15 studentë e pedagogë nga Universiteti i Prishtinës. Programi ishte i kombinuar me referime, diskutime, apo me vizita pune. Dua të përmend punën e shkëlqyer e këmbëngulëse të prof. Thomas Carolus nga Universiteti i Siegen-it, që ishte dhe koordinator i këtij projekti. Për rreth 20 vite ky universitet i njohur gjerman bashkëpunon me fakultetin e Inxhinerisë Mekanike në Tiranë e Departamentin e Energjisë, me shkëmbime të dendura të profesorëve a studentëve”, thotë prof. Londo për DW.
Eksperiencë e jashtëzakonshme për secilin pjesmarrës
Prof. dr.Thomas Carolus që po ndjek nga afër konferencën rajonale të Tiranës shprehet shumë i kënaqur nga partnerët në Tiranë e Prishtinë. Ai thotë për për DW-në se ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme për secilin pjesmarrës, pedagog apo student. “Ishte hera e parë që sollën një grup studentësh gjermanë në Shqipëri, të cilët qëndruan me studentët nga Shqipëria e Kosova jo vetëm në auditor, por dhe vizituan Hidrocentralin e Ashtës në veri të Shqipërisë. Por më shumë se kaq, ata mësuan e morën informacion nga jeta e zhvillimet në Shqipëri. Këto ndjesi janë dhe gjatë vizitave të studentëve shqiptarë në Gjermani. Bashkëpunim do të vijojë të zgjerohet edhe më shumë, sepse dukshëm ka vullnet të përbashkët për të bërë më shumë.”
Nga pjesmarrësit në Konferencë është përsëritur disa herë dobia e veprimtarive të tilla të përbashkëta, që e bëjnë më bashkëpunues rajonin, pasi akademikët, studiuesit e kërkuesit në fusha të ndryshme shkëmbejnë idetë për t'i hapur rrugën edhe fushave të tjera të kooperimit mes vendeve.