1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Princi Philip ndërron jetë

9 Prill 2021

Humbje e madhe për mbretërinë britanike: Princi Philip, burri i Mbretëreshës Elizabeth II, ndërroi jetë në moshën 99 vjeç. Prej disa muajsh ai kishte probleme me shëndetin.

England I Prinz Philip I The Duke of Edinburgh
Fotografi: Matt Dunham/WPA/Getty Images

Princi Philip, burri i Mbretëreshës Elizabeth II të Britanisë së Madhe, ndërroi jetë. "Me trishtim të thellë, Madhëria e saj Mbretëresha njofton vdekjen e bashkëshortit të saj të dashur, Lartësisë së Tij Mbretërore Princit Philip, Dukë i Edinburgut," deklaroi Pallati Buckingham. Sipas njoftimit, 99-vjeçari ndërroi jetë "në paqe në Kështjellën Windsor".

Princi Philip kishte bërë një operacion në zemër disa javë më parë në një klinikë speciale dhe kishte kaluar disa javë në spital. Në shtëpi ai u kthye në mes të marsit. Në qershor ai do të kishte festuar 100 vjetorin e lindjes.

1947Fotografi: akg-images/picture-alliance

Ky është një moment me rëndësi vendimtare për Mbretërinë e Bashkuar. Filipi lindi më 10 qershor 1921 në Korfuz, si Princ i Greqisë dhe Danimarkës. Ai vinte nga familja mbretërore greke. Megjithatë, shumë vite të rinisë së tij ai i kaloi në mërgim.

Që nga viti 1947 ai ishte i martuar me trashëgimtaren e fronit britanik Elizabeth dhe mori titullin Dukë i Edinburgut. Që nga kurorëzimi i tyre në vitin 1953, si bashkëshort i mbretëreshës, ai konsiderohej si mbështetja më e rëndësishme e Mbretëreshës.

Tërheqje që para pandemisë

Filipi doli në pension vetëm në moshën 96 vjeç. Dalja e tij e fundit zyrtare në publik ishte në një paradë ushtarake të Royal Marines, në gusht 2017 para Pallatit Buckingham. Më pas ai shfaqej herë pas here si shoqërues i Mbretëreshës në takime. Së fundi megjithatë ai shihej rrallë në publik.

Një pjesë të madhe të kohës në pandeminë e Coronas Philipi e kaloi së bashku me Mbretëreshën në Kështjellën Windsor pranë Londrës - i izoluar me një numër shumë të reduktuar personeli. Ai la katër fëmijë, tetë nipër e mbesa dhe dhjetë stërnipa.

2018Fotografi: Alistair Grant/AFP/Getty Images

"Trishtim dhe mirënjohje"

Kryeministri britanik, Boris Johnson e vlerësoi "jetën dhe veprën e jashtëzakonshme" të të ndjerit. Burri i mbretëreshës ka fituar "simpatinë e brezave" në Britaninë e Madhe, në Komonuelth dhe në të gjithë botën, tha kryeministri britanik.

Qeveria Australiane i ngriti flamujt në gjysmë shtizë pas vdekjes së Dukës së Edinburgut. Princi Philip mishëroi "një brez që nuk do ta shohim më kurrë", tha kryeministri Scott Morrison. Komonuelthi qëndron i bashkuar "në pikëllim dhe mirënjohje".

"Kontribut në pajtim"

2015Fotografi: Annegret Hilse /Sven Simon/picture alliance

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier gjithashtu i shprehu ngushëllimet Mbretëreshës së Britanisë së Madhe, Elizabeth II. Princi Philipp dha "një kontribut të rëndësishëm në pajtimin e kombeve tona pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore" shkroi Presidenti i Gjermanisë. Si anëtar i Marinës Mbretërore, ai luftoi për çlirimin e Evropës nga terrori nacionalsocialist. Ministri i Jashtëm Heiko Maas, deklaroi se Princi Philipp kishte "jetuar një jetë të gjatë në shërbim të vendit të tij".

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel i dërgoi ngushëllimet e saj të sinqerta bashkëshortes së Princit Philipp, Mbretëreshës Elizabeth dhe familjes së saj.

2015Fotografi: Reuters/W. Kumm/Pool

"Vdekja e Princit Philip më mbush me hidhërim të madh," u shpreh ajo në një deklaratë të postuar nga zëdhënësi i saj në Twitter. "Miqësia e tij me Gjermaninë, qëndrimi i tij i drejtpërdrejtë dhe ndjenja e tij për detyrën nuk do të harrohen, "shtoi ajo. "Të gjitha mendimet tona janë me Madhërinë e saj, Mbretëreshën Elizabeth dhe familjen mbretërore".

Ndërkohë, ngushëllime shprehu gjithashtu kryeministri i landit federal të Hessenit, Volker Bouffier (CDU). "Lajmi për vdekjen e Princit Philips na hidhëron shumë në Hessen," tha Bouffier. Rrënjët familjare të aristokratit britanik janë pjesërisht në këtë land federal. Nëna e Princit Philip, Princesha Alice von Battenberg (1885-1969) ishte me origjinë nga familja e Dukave të Mëdhënj të Hessenit. Princi Philip, sipas Bouffier, "ishte veçanërisht i përkushtuar për miqësinë gjermano-britanike".

Presidentja e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen shprehu hidhërimin e saj. "Në këtë ditë shumë të trishtuar," ajo i shpreh ngushëllimet e saj të sinqerta Mbretëreshës britanike, familjes mbretërore dhe popullit britanik, shkroi ajo në Twitter.