Bashkimi Evropian drejt reformave
24 Korrik 2007
Në Bruksel filloi punimet konferenca për reformat e BE-së. Në përfundim të kësaj konferencë qeveritare pritet të dalë një formulim ligjor i kompromisit të vështirë që u arrit në takimin e nivelit të lartë të BE-së të zhvilluar në fund të qershorit në Bruksel, në një mënyrë të tillë që shtetet anëtare të BE-së ta ratifikojnë marrëveshjen e për reformat.
Konferenca për reformat e BE-së filloi me një ofertë për paqe të Polonisë. Pasi kishte këmbëngulur deri në fund gjatë ceremonisë së hapjes të kësaj konference Ministrja e Punëve të Jashtme të Polonisë, Anna Fotyga, hoqi dorë prej kërkesës për rishqyrtimin edhe një herë të çështjes së sistemit të ri të votimit dhe të votave të dyfishta në radhët e anëtarëve të BE-së.
Përpara fillimit të kësaj konference MPJ polake, Anna Fotyga kishte deklaruar, se në këtë pikë ka ende shumë çështje të hapura të cilat kanë nevojë për t'u sqaruar përpara fillimit të konferencës qeveritare të BE-së për reformimin e marrëveshjeve të BE-së. Sipas saj qëllimi i kësaj konference duhet të ishte pikërisht sqarimi i detajeve të marrëveshjeve.
Pas kthesës në qëndrimin polak gjatë kësaj konference pritet të përpilohen ndryshimet në marrëveshjet bazë të BE-së për të cilat kishin rënë dakord në parim pas debateve të zjarrta dhe të gjata në qershor kryeministrat e vendeve të BE-së.
Gjatë takimit të nivelit të lartë të BE-së që u zhvillua në fund të qershorit në Bruksel, Polonia u pëpoq ta pengonte ndryshimin e rregullores për votimin në radhët e BE-së. Sipas rregullores së re shtetet, popullsia e së cilave përbën 65% të popullsisë së BE-së kanë brenda radhëve të BE-së të drejtën e votës së dyfishtë. Polonia arriti në qershor që rregullorja aktuale, sipas së cilës të gjitha votat e vendeve të BE-së kanë të njejtën peshë, pavarësisht nga numri i banorëve apo madhësia e tyre, të mbetet në fuqi deri në vitin 2017.
Portugalia, e cila është për momentin presidente e radhës e BE-së ka marrë zotim që deri në mes të muajit tetor të paraqesë në bazë të projektmarrëveshjes për reformimin e BE-së një tekst të gatshëm për t'u nënshkruar prej vendeve të BE-së, i përbërë prej prej 277 faqesh.
Megjithë rezervat që kishte shprehur Polonia, MPJ austriake, Ursula Plassnik tha se mendon se "pas 12 javësh do të kemi vërtet marrëveshje të gatshme për t'u nënshkruar prej vendeve anëtare." "Ndoshta për këtë apo atë çështje do të kemi ndonjë grindje të vogël, por rreziku nuk është i madh, sepse marrëveshja e arritur me shumë mund ekziston dhe atë nuk e vë në diskutim askush." - tha Plassnik.
Edhe MPJ gjerman Frank-Walter Steinmeier është optimist se nga kjo konferencë qeveritare do të dalë një formulim ligjor i kompromisit të vështirë që u arrit në takimin e nivelit të lartë të qershorit në një mënyrë të tillë që shtetet anëtare të BE-së ta ratifikojnë marrëveshjen për reformat e BE-së.
"Unë e mbështes këtë plan ambicioz, me anë të të cilit mund të arrijmë që t'i vëmë vërtet në jetë reformat politike, të cilat i duam të gjithë dhe madje ta bëjmë këtë përpara zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Evropian në vitin 2009"
Gjithësesi në një pikë konferenca për reformën e BE-së nuk pritet të ketë sukses. MPJ polake, Fotyga tha se Polonia vazhdon të ketë rezervat e saj ndaj kartës për të drejtat themelore të BE-së. Në këtë drejtim Polonia mendon t'i bashkohet rregullit përjashtimor që arriti të përfitojë për vete Britania e Madhe në kuadrin e kësaj karte. Sipas një protokolli shtesë, për të cilin u ra dakord nën presionin e Londrës gjatë takimit të nivelit të lartë të BE-së për reformat, karta e të drejtave themelore të BE-së nuk ka efekt detyrues për gjykatat britanike.