1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkimi Evropian me një komisar për Greqinë?

29 Shkurt 2012

Shefi i Eurogrupit Jean Claude Juncker ka propozuar zgjerimin e komisionit të BE-së me një anëtar tjetër, që do të kujdeset vetëm për Athinën.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Pas marrëveshjes për një paketë të dytë ndihmash për Greqinë shefi i eurogrupit Jean Claude Juncker ka propozuar një komisar të BE-së për Greqinë. Ky do të ngarkohet me ndërtimin e një strukture të ekonomisë greke, i tha Juncker gazetës "Die Welt". Dikush duhet të ofrojë ndihmë dhe të mendojë me largpamësi në politikën ekonomike greke. Nuk do të jetë e mjaftueshme, që një herë në muaj ministrat e financave të Eurozonës të merren me këtë çështje. Propozimi megjithatë nuk ka të bëjë aspak me idenë e një komisioneri për kursimet. Propozimi gjerman pati shkaktuar indinjatë në Greqi dhe kritikë në vendet e tjera të Eurozonës, si në Luksemburg dhe Austri.

Në foto, Jean-Claude JunckerFotografi: AP

Juncker në kundërshtim me qeverinë gjermane

Juncker parashikoi një ditë para samitit të ardhshëm të BE-së edhe rritjen e mekanizmit për stabilitetin evropian (EMS). "Deri në fund të marsit ne do të kemi një vendim, që të mbajmë gjallë edhe ESM edhe EFSF. Në këtë mënyrë do të jenë në dispozicion dy instrumente dhe deri në 750 miliardë euro", thotë Juncker. Kështu Juncker shkon në opozitë me qeverinë gjermane, e cila dëshiron të ruajë kufirin e sipërm të dy mekanizmave të shpëtimit prej 500 miliardë eurosh.

Pamje simbolikeFotografi: Fotolia/Michael Wolf

Parlamenti grek miraton kursime të tjera

Ndërkohë parlamenti grek ka  miratuar shkurtime të tjera të kërkuara nga kreditorët e këtij vendi të zhytur në borxhe. 202 nga 283 deputetët e pranishëm votuan për shkurtimet, që arrijnë në 3,2 miliardë euro për vitin 2012. Masat e kursimeve të kërkuara nga treshja e përbërë nga BE-ja, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane parashikojnë ndër të tjera shkurtime të pagave, pensioneve dhe shkurtime të ndihmave sociale. Këto masa janë kusht që Athina të marrë kredi të tjera emergjente prej paketës së dytë të ndihmës në vlerë prej 130 miliardë eurosh dhe që kreditorët privatë t'i falin Greqisë borxhin në vlerë prej 107 miliardë eurosh. Për këtë të mërkurë është parashikuar një votim tjetër mbi shkurtimet në sektorin shëndetësor dhe në pensionet suplementare.

Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Autor: dpa / Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti