Bashkimi Evropian përkrah promovimin e kulturës së komuniteteve në Kosovë
30 Maj 2011
Sami Mustafën, të qenurit rom nuk e ka penguar që me 26 vjetët e tij të radhitet ndër regjizorët e mirënjohur të filmit dokumentar. Edhe pse ai u shkollua për drejtim tjetër dhe regjinë e mësoi në mënyrë autodidakte, besimi në vetveten dhe dashuria ndaj filmit, i ndihmoi atij të tejkalojë të gjitha sfidat.
“Herë-herë është më veshtirë, por herë tjetër është me lehtë. Lehtë, sepse njerëzit e pëlqejnë punën time. Për faktin se jam rom unë fitoj adhurues më shpejt, edhe pse jo gjithmonë...”.
Dokumentari “Një diell - Një komb” zhduk paragjykimet
Sami Mustafa është autor i 12-të filmave dokumentarë, me të cilët u prezantua në festivale të ndryshme në Kosovë, Evropë dhe Amerikë, ku fitoi edhe çmime. Festivali një javor në kuadër të projektit të financuar nga BE “Mbështetja e BE-së për Implementimin e Strategjisë për Integrimin e Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas në Kosovë (EU SIMRAES)”, është një rast tjetër që regjizori Mustafa me anë të dokumentarit 12 minutësh “Një diell- një komb” i prodhuar në vitin 2007 nga "Romawood dhe Ballkan Sonflowers" në fshatin Plemetin të Obiliqit, të prezantojë edhe një herë ngjyrat e jetës së komunitetit të tij.
“Filmi është shfaqur në festivale të ndryshme vendore e ndërkombëtare dhe është pritur mjaft mirë. Përshtypjet e publikut bëjnë të qartë, se ai ua ndryshon opinionin lidhur me stereotipet që kanë lidhur me romët dhe se është një kënaqësi ta shikosh, ndërsa linja e lehtë e rrëfimit ua mundëson të mësojnë më shumë për fqinjët e tyre”, thotë regjisori Sami Mustafa, në natën e shfaqjes së filmave në kuadër të festivalit, ku edhe dokumentari i regjisores shqiptare Shota Bukoshi kushtuar këtyre komuniteteve solli një emocion të veçantë tek publiku.
Filmat për komunitetet rome, ashkalije e egjiptase - risi për publikun
Këtë emocion e ka ndjerë edhe Muhamet Haxha, i cili ka banuar 13 vjet në Hamburg të Gjermanisë dhe ka pasur mundësi të vizitojë kinema të ndryshme. Ai shprehet se kënaqësinë më të madhe e ndjeu teksa në murin e kësaj sallë të vogël pa dokumentarin e komunitetit të tij. Madje edhe më shumë! “M´pëlqeu shumë se n´film i kom pas edhe familjen që kanë jetu n´Plemetin dhe o kone mirë që i kam pa njerëzit që i njoh. Jo, kjo është hera e parë që shoh film për romët”.
Ferdi, 16 vjeç, ashkali me banim në Plemetin, e prek këtë jetë nga afër. “Paj n´Plemetin jetojmë ashtu-kshtu. Ashtu qysh e pamë n´film si s´kanë njerëzit. Po, ma s´shumti m´pelqeu farkëtari dhe atje n´kamp që bajshin muzikë ata gjashtë vllaznia”.
Interesim i madh për festivalin e komuniteteve RAE në Kosovë
Edicioni i parë i festivalit njëjavor (23-29 maj) me një spektër të gjerë aktivitetesh, ishte mundësi e mirë për t´u njohur më për së afërmi me kulturën e komuniteteve rome, ashkalije dhe egjiptase. Mimoza Gavrani, është koordinatore për media dhe kulturë në kuadër të këtij projekti i cili implementohet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). “Qëllimi i projektit është prezantimi i kulturës së komuniteteve rom, ashkalij dhe egjiptas në Kosovë, që t´iu mundësojmë pjesëtarëve të komuniteteve të tjera në Kosovë që të njohin këtë komunitet përmes vlerave kulturore. Poashtu, synojmë diversitetin kulturor në Kosovë dhe në të njëjtën kohë të zhdukim paragjykimet dhe stereotipet që të tjerët kanë për këto komunitete“, thotë koordinatorja Gavrani.
BE do të mbështesë fuqizimin e komuniteteve dhe arsimin e tyre
Projekti dyvjeçar i mundësuar nga BE sivjet u shtri në Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë, përderisa në vitin e ardhshëm aktivitetet do të shtrihen edhe në Ferizaj, Gjakovë dhe Graqanicë. Ndërkohë, rezultatet e edicionit të parë të festivalit kanë tejkaluar të gjitha pritshmëritë, thotë koordinatorja Gavrani:
“Po, rezultatet janë më shumë sesa që kemi prit. Duhet cekur përkrahja e komunitetit dhe të institicioneve relevante, të cilët kishin rol kyç në implementimin e aktiviteteve që realizuam. Jemi shumë të kënaqur dhe edhe sonte, siç po shihni, është një grup i madh i të rinjve dhe pjesëmarrja është në nivel”.
Projekti “Përkrahja e BE-së për Implementimin e Strategjisë për Integrimin e Komuniteteve Rom, Ashkalinj dhe Egjiptas në Kosovë (EU SIMRAES)”është financuar nga BE në vlerë prej 1 milion eurosh (IPA 2009). Brënda tij përfshihen aktivitetet me mediat për fuqizimin e këtyre komuniteteve si dhe përkrahja e arsimit përmes krijimit të gjashtë qendrave për studim, të cilat ofrojnë asistencë parashkollore për fëmijët dhe prindërit.
Autor: Ajete Beqiraj
Redaktoi: Lindita Arapi