BE pranon aplikimin e Bosnjë-Hercegovinës për në BE
21 Shtator 2016Shtetet anëtare të BE e pranuan të martën aplikimin e Bosnjës për anëtarësim në BE. Ata urdhëruan organet ekzekutive të BE që të përgatisin një vlerësim për përgatitjen e shtetit ballkanik për t'u bashkuar me BE.
Komisioni Evropian do të përcaktojë tani nëse Bosnjë-Hercegovina i plotëson kriteret për t'u bërë një shtet kandidat, një proces që mund të zgjasë një vit. Komisioni mund të përcaktojë se cilat kushte duhet të plotësojë Bosnja përpara se të arrijë anëtarësimin e plotë, i cili pritet të jetë një proces i gjatë dhe i ndërlikuar për Sarajevën.
Bosnja aplikoi për anëtarësim në shkurt
Një zyrtar i lartë i ministrisë së Jashtme sllovake, Ivan Korcok, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE, tha se "kjo është një ditë e mirë për Bosnjën, por edhe për ne. Ne po tregojmë se strategjia e zgjerimit dhe afrimi me vendet aspiruese funksionon."
Komisioni do të dërgojë një pyetësor, me mijëra pyetje, përgjigja e të cilave do të japë përshtypjen e përshtatjes së vendit për t'u afruar me BE. Komisioni do të vlerësojë ekonominë e Bosnjës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të ligjit dhe detyrime të tjera të një shteti anëtar.
Procesi i anëtarësimit të Bosnjës është veçanërisht i ndërlikuar, po të kihet parasysh trashëgimia e luftës së viteve 1990, gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Marrëveshja e Dejtonit, e cila i dha fund luftës, e ndau vendin në dy zona autonome, njëra e kontrolluar nga boshnjakët dhe kroatët dhe tjetra nga serbët. Secili grup etnik ka gjithashtu të garantuar një vend në presidencën treshe të vendit.
Por kjo strukturë qeverisëse e ndërlikon dhe e ngadalëson kalimin e reformave dhe kryerjen e çdo ndërmarrjeje, gjë që ka frenuar zhvillimin ekonomik. Në 14 muajt e fundit, Bosnja ka punuar për të kaluar reforma, që do të përmirësojnë perspektivën ekonomike të vendit. Shtetet e BE thanë se Bosnja duhet t'i përmbahet edhe më tej agjendës së saj reformuese, duke përfshirë "reformat socio-ekonomike, reformat në fushën e rendit dhe të ligjit dhe në administratën publike."
Kryeministri i Bosnjë-Hercegovinës, Denis Zvizdic tha se pranimi i aplikimit për në BE përbën "një moment historik për rrugën evropiane dhe për të ardhmen evropiane të Bosnjë-Hercegovinës." "Ky është një nga lajmet vërtet më pozitive për Bosnjë-Hercegovinën...dhe veçanërisht për të rinjtë e saj", tha ai.