1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

111012 EADS BAE Fusion

Thorsten Huhn/ Auron Dodi12 Tetor 2012

Sipas planit ai do të bëhej koncerni më i madh i transportit ajror dhe i armatimit. Por bashkimi i EADS dhe i BAE nuk do të realizohet. Përfytyrimet e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe ishin të papajtueshme.

BAE
BAEFotografi: picture-alliance/dpa

Planet nuk do të ndiqen më, bënë të ditur të dyja sipërmarrjet. Shefi i EADS-it, Thomas Enders deklaroi se është për të ardhur keq që negociatat nuk patën sukses. Por ai është i gëzuar që të paktën e provuan. Gjermani Enders bënte pjesë të mbështetësit më të fuqishëm të marrëveshjes. Një zëdhënës i EADS-sit bëri përgjegjëse për dështimin qeverinë gjermane.

Qeveria gjermane nuk u pozicionua zyrtarisht për këtë. Ministri i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere vetëm tha në Bruksel:"Unë e regjistroj këtë dhe nuk jam shumë i çuditur."

Pyetjes se çfarë mund të thotë ai për faktin që vendet e tjera e bëjnë përgjegjëse Gjermaninë për dështimin e planeve fuzionuese, de Maiziere tha vetëm: "E regjistrova këtë mendim, unë nuk e mbështes atë."

Dështoi marrëvershja me BAEFotografi: dapd

Sipas të dhënave të agjencisë së lajmeve dpa, qeveria gjermane e refuzoi fuzionin për arsye strategjike dhe nga droja e rrezikimit të Gjermanisë si zonë ekonomike. Rezerva të forta në këto drejtime nuk u eleminuan në bisedime. Edhe shqetësimi për ruajtjen e vendeve të punës në Gjermani nuk qe eleminuar, u bë e ditur më tej. Berlini me sa duket kishte rezerva parimore, se përmes fuzionit do ta humbiste shumë ndikimin - edhe nëse pjesa civile e biznesit do të drejtohen në të ardhmen nga Toulouse e Francës dhe pjesa e armatimit nga Britania e Madhe.

Relativisht qartë u shpreh në Berlin Peter Hintze, koordinatori gjerman për fluturimet ajrore dhe hapësinore. Ai e përshëndeti ruajtjen e pavarësisë së EADS-it. Ai është i bindur se EADS-si mund t'i tregojë avantazhet e tij më mirë duke qenë i pavarur në tregun botëror, tha sekretari i shtetit në Ministrinë e Ekonomisë, i cili nuk qe parë kurrë si dashamirës i fuzionimit të EADS me BAE. Ministri britanik i Mbrojtjes, Philip Hammond e komentoi dështimin nga këndvështrimi i tij.

"Nëse kjo sipërmarrje e fuzionuar do të kërkohej të operonte me sukses, atëherë asaj do t'i duhej të punonte si firmë komerciale, e lirë nga kontrollet e palejueshme dhe ndikimi i një qeverie të vetme. Dhe këtu sipërmarrja vendosi se kjo nuk është e mundur të arrihet", tha ai.

Presidenti francez Francois Hollande e sheh përgjegjësinë për dështimin e fuzionit të planifikuar jo te politika. Ky është një vendim i sipërmarrjeve, tha presidenti. Njëkohësisht ai pranoi se Franca kishte shtruar kërkesa në lidhje me pjesën e ardhshme të shtetit në sipërmarrje dhe vendet prej ku do të drejtohej sipërmarrja.

A350Fotografi: dpa

Shefi i koncernit britanik të armatimit BAE, Ian King deklaroi se është i zhgënjyer që nuk u arrit dakordimi me aksionerët e ndryshëm. Ai tha se besonte që fuzionimi do të kishte qenë një shans unikal për të dyja sipërmarrjet. Kështu mendon edhe eksperti britanik i Mbrojtjes, Paul Beaver: për të dyja sipërmarrjet ai sheh nevojën që të kërkojnë partnerë. "Të gjithë ne e shohim që duhet të ndodhë diçka. Tregu po rrudhet, si në sektorin e mbrojtjes, ashtu edhe tek avionët civilë. Problemi i mirëfilltë është arritja e një madhësie kritike, për të qenë në gjendje për të konkuruar me gjigantët amerikanë", tha ai.

Ndërsa britanikët donin ta kufizonin dukshëm ndikimin e shtetit, sepse druhen që do të kenë probleme për bizneset deri tani të suksesshme të BAE në SHBA. Deri tani, Gjermania dhe Franca mbajnë përkatësisht rreth 22 përqind të EADS-it.Ndërsa britanikët donin të pranonin në rastin më të mirë nëntë përqind.