1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkohet e majta në Shqipëri

Ani Ruci25 Maj 2006

Pesë partitë opozitare të së majtës parashikojnë të konkurrojne së bashku në zgjedhjet e ardhshme të pushtetit lokal me një program elektoral që do të nënshkruhet nga të gjitha palët

Tirana, parlamenti
Tirana, parlamentiFotografi: AP

Marrëveshja e bashkëpunimit mes pesë partive opozitare parlamentare është e para që nga korriku i vitit të kaluar kur të majtët kaluan në opozitë. Bashkëpunimi synon fitoren e zgjedhjeve lokale të këtij viti dhe rrëzimin e qeverisë së kryeministrit të djathtë, Berisha.

Në përfundim të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit kreu i PS-së, Edi Rama tha se "ky ishte vetëm fillimi i nje pune intensive për të krijuar një kohezion që mishërohet jo vetëm në marrëveshjen e bashkëpunimit por në një vizion të përbashkët."

Sipas marrëveshjes pesë partitë opozitare angazhohen të konkurrojne së bashku në zgjedhjet e ardhshme të pushtetit lokal me një program elektoral që do të nënshkruhet nga të gjitha partitë. Ndërkohë që raportet e përfaqësimit të partive politike në zgjedhjet për pushtetin lokal duhet të pasqyrojnë peshën reale të forcave politike në bllokun elektoral opozitar, thekson marrëveshja.

Edhe fushata elektorale për zgjedhjet lokale në baze të saj do të jetë e përqëndruar dhe e koordinuar.
Me marrëveshjen e mësipërme zgjedhore është hedhur hapi më i rëndësishëm për krijimin e një të majte të bashkuar në Shqipëri.

Produkt i negociatave te gjata dhe i kompromisit është edhe përfshirja në këtë bashkim të Partise "Lëvizja për Integrim" e ish kryeministrit socialist Ilir Meta, i njohur për qëndrime kundërshtuese ndaj PS-së që në fakt kryeson bashkimin.

Bashkimi i opozitës shihet nga kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi si parakusht që e majta të vijë në pushtet në vitin 2007, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme."

Marrëveshja e opozitës për të dalë së bashku në zgjedhjet lokale duket se ka shënuar fundin e përçarjeve në opozitën e majtë. Synimi i saj është që jo vetëm të fitojë zgjedhjet lokale por në vitin e ardhshëm të shkaktojë një krizë parlamentare me rastin e përfundimit të mandatit të Presidentit aktual, Moisiu dhe zgjedhjes së të riut, dhe si pasojë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ndërsa opozita bashkohet e kundërta po ndodh me partitë e koalicionit të djathtë që qeveris Shqipërinë. Ditët e fundit kryetari i grupit parlamentar të reformatorëve, Nard Ndoka, u largua nga ky formacion politik për të kaluar tek demokristianët dhe madje për të marrë postin e kryetarit. Lëvizja vë në pikëpyetje të ardhmen e grupit parlamentar të reformatorëve dhe ul kuotat e interesit për këtë forcë politike në elektorat.

Zhvillimet e mësipërme në spektrin e klasës politike të Tiranës shihen nga analistët e pavarur si një proces i zakonshëm politik. Ato nuk zbehin rëndësinë e mesazhit të vazhdueshëm që liderët e BE-së i japin Tiranës për bashkëpunim konstruktiv mes pozitës dhe opozitës me qëllim, kryerjen e reformave dhe zbatimin e angazhimeve të marra në kuadër të proceseve integruese euro-atlantike.