Bastisje ndaj kontrabandistëve në Gjermaninë jugperëndimore
24 Shtator 2024Gjatë një bastisjeje të policisë kundër kontrabandës së emigrantëve, policia kontrolloi apartamente në Mannheim dhe pranë Karlsruhe dhe Worms. Katër urdhër-arreste tashmë janë ekzekutuar, tha një zëdhënës i policisë federale. "Rrjeti i kontrabandës u shkatërrua”. Në tërësi u kontrolluan 24 apartamente dhe në operacion morën pjesë rreth 400 agjentë.
35 persona të kontrabanduar
Hetimi ka të bëjë me një rrjet prej shtatë kontrabandistësh, përfshirë burra dhe gra, u tha më tej. Tre persona nga grupi, ndaj të cilëve nuk është ekzekutuar asnjë urdhër arresti, megjithatë janë objekt i procedimit penal. Sipas policisë federale, grupi dyshohet se ka sjellë njerëz nga vendet e Azisë Veriore dhe Kaukazit në Gjermani dhe i ka lënë të punojnë pa leje pune. Gjithsej 35 persona janë futur kontrabandë, tha zëdhënësi. Të gjithë u morën në paraburgim.
Sipas policisë, një burrë ishte kontrolluar korrikun e kaluar teksa po largohej nga vendi në aeroportin e Frankfurtit am Main, gjë që kishte dhënë të dhënat e para për grupin e kontrabandistëve. Burri kishte paraqitur një pasaportë me vizë kur u largua - por pa leje pune. Gjatë kontrollit rezultoi se personi kishte punuar në Republikën Federale, shtoi zëdhënësi i policisë.
Kontributet e sigurimeve shoqërore ndoshta janë keqpërdorur
Gjatë kontrolleve të mëvonshme në aeroportet e Shtutgartit dhe Frankfurtit, persona të tjerë thuhet se treguan të njëjtat anomali. Dogana kontrolloi më pas disa kompani, përfshirë një fabrikë betoni, ku gjeti disa persona që punonin ilegalisht në Gjermani. Që nga janari, policia ka nisur hetimet për grupin.
Pasi personat mbërritën me viza, grupi kishte falsifikuar kartat e identitetit të BE, shtoi zëdhënësi i policisë. Kështu njerëzit kishin punuar në Republikën Federale, por ishin paguar më pak se paga minimale. Ndaj u hap një hetim për dyshime për trafikim të të huajve, punësim të të huajve pa leje qëndrimi dhe falsifikime dokumentash. Zyra kryesore doganore në Karlsruhe është e përfshirë në hetim, pasi supozohet se janë keqpërdorur gjithashtu edhe kontributet e sigurimeve shoqërore, sipas policisë federale.
aud (sti/pg (dpa, rtr)