1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bavaria pengon një atentat ndaj tregut të Krishtlindjeve

14 Dhjetor 2025

Njësi speciale kanë arrestuar pesë meshkuj në juglindje të Gjermanisë nën dyshimin e terrorizmit. Sipas Prokurorisë së Mynihut dhe policisë bavareze, u eleminua një "atentat i mundshëm ndaj një tregu Krishtlindjesh".

Arrestime për plane të dyshuara për të sulmuar një treg Krishtlindjesh - 13 dhjetor 2025 Tabela e qytetit Dingolfing. Pesë burra janë arrestuar për plane të dyshuara për të sulmuar një treg Krishtlindjesh në zonën e Dingolfingut në Bavarinë e Poshtme.
Pesë burra janë arrestuar për plane të dyshuara për të sulmuar një treg Krishtlindjesh në zonën e Dingolfingut në Bavarinë e Poshtme.Fotografi: Lars Haubner/NEWS5/dpa/picture alliance

"Motivim islamist"

Sipas autoriteteve, meshkujt janë një egjiptian 56-vjeçar, një sirian 37-vjeçar dhe tre marokenë 22, 28 dhe 30 vjeç.

Sipas informacionit në dispozicion deri tani, egjiptiani, një predikues islamik, kishte nxitur njerëzit në një xhami lokale që "të vrasin ose të plagosin sa më shumë njerëz të jetë e mundur" me një automjet gjatë festave të Krishtlindjeve. Marokenët dyshohet se ishin të gatshëm të kryenin sulmin. Siriani dyshohet se inkurajoi burrat e tjerë në vendimin e tyre.

Hetuesit po punojnë me premisën se bëhej fjalë për një "veprim të motivuar nga islamistët".

Marienplatz në Dingolfing në Krishtlindje: nuk dihet se cilin treg kishin në mendje meshkujt e arrestuar.Fotografi: Lars Haubner/NEWS5/dpa/picture alliance

Katër nga të dyshuarit janë tani në paraburgim, ndërsa i pesti është vendosur në "arrest parandalues" me urdhër gjykate. Arrestimet, të cilat u kryen të premten, u paraprinë nga hetime intensive. Këto u drejtuan nga Zyra Qendrore Bavarase për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit. "Nuk ishin të përfshira shërbime të huaja inteligjence," thanë Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe policia.

Ministri i Brendshëm bavarez, Joachim Herrmann, lavdëroi "bashkëpunimin e shkëlqyer" të autoriteteve të sigurisë së landit të tij. Kjo tregon në mënyrë mbresëlënëse "përgjigjen dhe performancën e tyre të mirë". Dhe është vërtetuar: "Ne jemi në gjendje të mbrojmë qytetarët tanë!" Tani duhet të sqarohen motivet, shtoi politikani nga partia konservatore CSU.

Joachim Herrmann (foto arkivi): "Është parandaluar një sulm i mundshëm me motiv islamist në Bavari."Fotografi: Sachelle Babbar/ZUMA/picture alliance

Autoritetet e sigurisë në gatishmëri të lartë

Pazaret e Krishtlindjeve në Gjermani prej kohësh kanë qenë në qendër të vëmendjes së veçantë të autoriteteve të sigurisë, edhe për shkak të sulmeve të mëparshme. Në dhjetor 2016, për shembull, një islamist i radikalizuar drejtoi një kamion në një grumbull njerëzish në sheshin Breitscheidplatz të Berlinit. Si përfundim, u vranë 13 vetë në atentat dhe si pasojë e atentatirt.

Në dhjetor të vitit të kaluar, një drejtues automjeti qëllimisht goditi turmën në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur më shumë se 300. Gjyqi i dorasit, një shtetas saudit që jeton në Gjermani që nga viti 2006, që e pranoi krimin, po zhvillohet aktualisht në Gjykatën Rajonale të Magdeburgut.

dw ( afp, dpa)

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW