1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE apelon për pjekuri në Shqipëri

Viron Gjymshana18 Korrik 2005

Bashkimi Europian u bën thirrje politikanëve shqiptarë të tregohen të pjekur dhe të përmbajtur duke respektuar plotësisht procedurat ligjore të procesit zgjedhor. Ai po ashtu thekson se qeveria e re, së bashku me Parlamentin, duhet të punojnë me ngulm për përmbushjen e agjendës së reformave të integrimit në BE, ku vend të rëndësishëm zë respektimi i ligjit.

Nano dhe Berisha
Nano dhe BerishaFotografi: AP

Në morinë e çështjeve që shqyrtojnë zakonisht 25 ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, gjatë takimeve të tyre të përmuajshme në Bruksel, është pothuajse gjithmonë i pranishëm edhe shqyrtimi i zhvillimeve të fundit në vendet ballkanike. Kësaj radhe ministrat e jashtëm të BE-së janë përqëndruar vetëm në 2 aspekte të zhvillimeve në këtë rajon: në mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri si dhe në përkujtimin e 10 – vjetorit të masakrës së Srebrenicës.
Përsa i takon zgjedhjeve në Shqipëri, Këshilli i Ministrave i BE-së përshëndeti sot mënyrën përgjithësisht të qetë në të cilën janë zhvilluar zgjedhjet e 3 korrikut. Në deklaratë thuhet se ato përbëjnë një provë të rëndësishme në gatishmërinë e vendit për një afrim të mëtejshëm me BE-në. Megjithatë, Bashkimi Europian vë në dukje se edhe gjatë këtyre zgjedhjeve janë vërejtur një numër parregullsish, të cilat duhet të korigjohen për të mos u përsëritur më në të ardhmen. Këshilli i Ministrave i BE-së vlerëson punën e OSBE-së dhe zyrës së saj të njohur si ODIHR dhe pret përfundimet e raportit të saj final.
Bashkimi Europian u bën po ashtu thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të dëshmojnë përgjegjësi dhe pjekuri duke respektuar në tërësi nenet e kushtetutës për ligjin elektoral si dhe procedurat përkatëse të procesit zgjedhor deri në formimin e qeverisë së re. Menjëherë porsa të jetë formuar, qeveria së bashku me parlamentin, mund të fillojnë pa humbur kohë dhe me përkushtim vënien në jetë në mënyrë të qartë dhe të fuqishme të agjenës së reformave integruese, sidomos në fushat që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, nënvizohet në tekstin e deklaratës së BE-së.
Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian kujton me këtë rast se Komisioni do të botojë në vjeshtë të këtij viti raportin e tij të rregullt mbi procesin e Asocim – Stabilitetit me Shqipërinë. Botimi i tij do të përbëjë një rast për të vendosur nëse negociatat për marrëveshjen e asocim – stabilitetit mund të përfundojnë apo jo, në dritën edhe të përparimeve të vërejtura në respektimin e standarteve demokratike dhe reformave kyçe.
BE-ja ripohoi edhe një herë tjetër sot mbështetjen e saj të vazhdueshme ndaj ambicieve të Shqipërisë për t'u integruar me të, por duke nënvizuar njëkohësisht se çelësi i këtij afrimi gjendet në duart e autoriteteve vendase.