1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-Ballkan bashkë në Tiranë kundër abuzimeve me liberalizimin e vizave

Arben Muka5 Nëntor 2012

Ministrat e Brendshëm dhe ata të Drejtësisë të shteteve të Ballkanit Perëndimor diskutojnë në Ministerialin e Tiranës për abuzimet me lirinë e lëvizjes. Në takim e pranishme edhe komisionerja e BE-së, Cecilia Malmström.

Komisionerja Cecilia Malmström
Komisionerja Cecilia MalmströmFotografi: picture-alliance/dpa

Ministrat e Brendshëm dhe ata të Drejtësisë të shteteve të Ballkanit Përendimor diskutojnë të Hënën dhe të Martën në Tiranë mbi problematikën e zbatimit të së drejtës së qarkullimit të shtetasve të tyre pa viza në zonën Schengen të BE-së. Në Ministerialin e Tiranës, veç ministrave të Brendshëm dhe të Brejtësisë nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe nga Mali i Zi, merr pjesë edhe Komisionerja e BE-së për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, Cecilia Malmström.

Shqetësimet e BE-së diskutohen në Tiranë

Në fund të muajit Tetor në takimin e Këshillit të ministrave të Brendshëm të BE-së në Luksenburg u ngritën një sërë shqetësimesh mbi abuzimin me procesin e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kohët e fundit nga shtete anëtare të BE-së si Gjermania, Belgjika, Franca, Luksenburgu, Vendet e Ulta dhe Suedia janë shprehur ankesa në drejtim të Komisionit Europian mbi rritjen e numrit të azilkërkuesve nga rajoni, duke hedhur idenë edhe të një pezullimi të përkohshëm të së drejtës për lëvizjen pa viza për vendet problematike.

Fotografi: AP

Pikërisht për të vlerësuar më mirë situatën dhe masat që duhet të merren nga autoritetet e vendeve të Ballkanit Përendimor për të frenuar fluksin e azilkërkuesve do të jenë në qendër të takimit të Tiranës që u hap të hënën pasdite. Çështje të tjera që janë paralajmëruar në axhendë lidhen dhe me procesin e Stabilizim -Asociimit për arritjet në sistemin e drejtësisë dhe të punëve të brendshme, luftën kundër trafikut të armëve, qënieve njerëzore, integrimit të romëve dhe të drejtave të tyre, transparencën si mjet në luftën kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë etj.