1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Gjermani:Si mund të ndryshojë politika ndaj BE

27 Gusht 2021

Për qeverinë e ardhshme gjermane të pas zgjedhjeve, grindjet e brendshme të BE me Poloninë dhe Hungarinë do të kthehen në çështje të rëndësishme. Ç'mund të ndryshonte një qeveri, me pjesëmarrjen e Të Gjelbërve?

Bildergalerie Regierungsviertel | Deutsche Fahne ist aufgezogen vor dem Reichstagsgebäude
Fotografi: Winfried Rothermel/picture alliance

Ndryshimi i klimës, ripërtëritja e ekonomisë pas Coronës, migracioni, sovraniteti në politikën e jashtme të BE, zgjerimi me shtetet e Ballkanit. Lista e problemeve të politikës së brendshme europiane, që pret krijimin e qeverisë së re gjermane është e gjatë dhe po zgjatet edhe më shumë me krizën aktuale në Afganistan. Shumë prej temave për të cilat Europa pret ndërmjetësimin e kancelarja apo kancelari që pason Merkelin, që mund të jetë nga socialdemokratët ose kristiandemokratët, ose mbase nga Të gjelbërit, ka vite që ndodhen në tavolinë. Ato nuk janë të papritura. Edhe recetat që do të japë ekipi i ri në Gjermani do të jenë "të vazhdojmë si deri tani” ose "njësoj si gjatë Merkelit”, mendon Janis Emmanouilidis, drejtor i institutit "Europian Policy Centre” në Bruksel.  

"Ajo çka pritet është që në Berlin të ketë më shumë kontinuitet se sa ndryshim. Orientimi bazë në politikën europiane nuk do të ndryshojë,” mendon Janis Emmanouilidis. 

Deklaratat për politikën europiane gjatë fushatës zgjedhore janë të paqarta. Të gjitha partitë, përveç asaj të populistëve të djathtë, AfD, e shohin Gjermaninë të lidhur fortë me BE, duke pasur ndikim të madh si vendi anëtar i BE, me popullsinë më të madhe dhe me ekonominë më të fortë. Kandidatja e Të Gjelbërve për kancelare, Annalena Baerbock, mbështetet tek BE për arritjen e synimeve të klimës. Mbrojtja e klimës ecën shumë ngadalë, tha Baerbock në një fjalim të mbajtur para parlamentit gjerman në fund të muajit qershor, lidhur me politikën europiane. "Ne e arrijmë këtë duke rinovuar gjithë premtimin e Europës, edhe premtimin e vlerave tona. Kjo do të thotë që edhe brenda Europës të gjendet gjuha e duhur kur të drejtat e njeriut shkelen me këmbë në vende të tjera, si për shembull në Hungari.” 

Fotografi: Kay Nietfeld/dpa-Pool/picture alliance

Problem serioz shteti i së drejtës 

Annalena Baerbock flet për një konflikt që mund të kthehet në problem serioz për qeverinë e re gjermane brenda Bashkimit Europian: Grindjet për shtetin e së drejtës me Poloninë dhe Hungarinë, dy vende ku drejtësia rrezikon të humbasë pavarësinë, ku pakicat gjinore janë kthyer në tabela qitjeje dhe mediat nuk lihen rehat.  

Këto gjëra mund të lexohen në raportin përkatës të Komisionit të BE dhe në gjykimet e dhëna nga Gjykata Europiane. Mosmarrëveshjet e hidhura midis qeverisë polake dhe asaj hungareze dhe institucioneve europiane mund të kthehen vitet e ardhshme në përçarje të vërteta, mendon eksperti për çështjet e Europës, Janis Emmanoulidis: "Ekziston rreziku, që mungesa e bashkëpunimit në BE të kthehet në të ardhmen në një problem serioz. Ekzistojnë aktualisht konflikte të mëdha me qeveritë e disa vendeve anëtare të BE. Dhe kjo gjë do të vazhdojë.” 

Roli i qeverisë së ardhshme gjermane?  

Më shumë presion ndaj qeverisë nacionalkonservatore të PiS në Poloni? Ish-këshilltari i qeverisë polake, Tomasz Kraczyk, dha dorëheqjen pas grindjeve me kryeministrin, Mateusz Morawiecki. Ai nuk donte më të vazhdonte të bënte gjoja si liberal, ndërkohë që qeveria vazhdon të pengojë pavarësinë e drejtësisë. 

Krawczyk punon sot si lobiist, por ka ide të qarta lidhur me grindjen midis BE dhe qeverisë polake. Kancelarja Angela Merkel, ka qenë shumë e ekuilibruar kundrejt Polonisë dhe Hungarisë, dhe është përpjekur që të ndërmjetësojë, thotë këshilltari politik, Krawczyk. Kjo gjë do të ndryshojë. "Qeveria e re gjermane nuk do të jetë më vetëm ndërmjetësuese, por do të marrë direkt anën e Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian, gjë që do të kthehet në një problem serioz për Poloninë.” Çdo qeveri koalicioni pjesë e të cilëve do të jenë Të Gjelbërit, do ia vështirësojnë punën Polonisë, mendon Krawczyk. 

Drejtori i Institutit "Europian Policy Centre” në Bruksel, është i të njëjtit mendim: "Ne supozojmë se qeveria e re, pjesë e së cilës mund të jenë Të Gjelbërit, do të mbajë tjetër qëndrim në çështjen e shtetit të së drejtës. Ajo do të jetë më rigoroze. Nga Berlini do të ushtrohet më shumë presion për këtë temë,” thotë Janis Emmanouilidis. Tek një qeveri gjermane me pjesëmarrjen e Të Gjelbërve ekzistojnë edhe shanse, mendon Krawszyk. "Unë kam kohë që i kam thënë kampit konservator që të fillojë bisedime me Të Gjelbërit, sepse temat janë të shumta, si për shembull marrëdhëniet me Rusinë, refuzimi i gazsjellësit Nordstream 2, etj.. etj…, ku qëndrimet që Të Gjelbërit kanë janë shumë më të afërta me kampin e PiS në Poloni se sa qëndrimet që kanë kristiandemokratët dhe kristiansocialët."

Nevojitet presion nga Berlini  

Ish-ambasadori i BE-së në Varshavë, diplomati polak Marek Prawda, pret që pas zgjedhjeve parlamentare të bëhet trajtim më i ashpër i shteteve si Polonia dhe Hungaria. Arkat e financave do të luajnë këtu një rol të madh, sepse Polonia dhe Hungaria janë marrësit më të mëdhenj të shumave neto të subvencioneve që jep Bashkimi Europian, ndërkohë që Gjermania është vendi që jep më shumë. „Shumë vetë nuk duan më që përfituesve të subvencioneve t'u jepen shuma miliardash, pa qenë e nevojshme që këta të pranojnë rregullat për të cilat është rënë dakord. Kjo nuk do të vazhdojë të funksionojë si deri tani. Kuptohet që kemi të bëjmë me më shumë se kaq," mendon Marek Prawda, i cili ka qenë edhe ambasador i Polonisë në Gjermani.  

Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Kandidati kristiandemokrat për kancelar, Armin Laschet, nuk kërcënon kaq hapur me sanksione. Gjatë vizitës së tij në Varshavë në muajin gusht, ai mbajti qëndrim pajtues. „Me futjen në Bashkimin Europian, Polonia është futur edhe në komunitetin europian të shteteve të së drejtës. Prandaj ne folëm edhe për çështjen se si mund të respektohen kudo standarde të njëjta të shtetit të së drejtës. Unë mendoj se gjetja e një rruge të përbashkët është e rëndësishme për Europën." Armin Laschet la të kuptohet se ai kërkon arritjen e një zgjidhjeje „pragmatike" të çështjes. 

Grindje me Hungarinë 

A do të gjenden zgjidhje pragmatike edhe me Hungarinë? Bashkimi Europian dhe Hungaria grinden aktualisht për ligjin që ndalon përmbajtjet homoseksuale të jenë pjesë e mediave dhe edukimit të fëmijëve. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e quajti ligjin "një turp”. Në takimin e nivelit të lartë të BE-së, kryeministri holandez Mark Rutte, i përmendi qeverisë hungareze mundësinë e përjashtimit nga BE. Kancelarja gjermane Merkel, e quajti ligjin diskriminues ndaj LGBTI, „të gabuar". Çfarë do të bëjnë pasardhësit e saj për këtë çështje fundamentale të të drejtave themelore? Ministrja hungareze e Drejtësisë mendon se më mirë do të ishte të mos bëhej asgjë. „Ne nuk shohim asnjë konflikt midis ligjeve të BE dhe ligjeve tona kombëtare. Ne duam të mbrojmë fëmijët tanë. Kjo përputhet me të drejtat themelore," tha Judit Varga, gjatë takimit të ministrave të Drejtësisë së BE në muajin qershor.  

Ajo nuk e pranon mendimin se taksapaguesit gjermanë dhe Komisioni i BE mund të mos japë paratë nga fondi europian i Coronës, për ta detyruar Hungarinë që të kthehet në rrugën e drejtë. „Ne nuk duam t'i ndërlidhim çështjet politike dhe ideologjike me çështje ekonomike. Europa ka nevojë për ripërtëritje. Këto para i takojnë qytetarëve hungarezë, që kanë punuar për to". A i takojnë vërtet që t'i marrin këto para, për këtë do të vendosë Gjykata Europiane, autoriteti i së cilës është vënë ndërkohë në pikëpyetje nga Hungaria dhe sidomos nga Polonia. 

Kryeministri hungarez,Viktor Orban dhe BE grinden për ligjin e LGBTFotografi: Beata Zawrzel/NurPhoto/picture alliance

Ka ardhur koha për vizione?  

Kështu që qeveria e ardhëshme gjermane do të ketë shumë punë me Poloninë dhe Hungarinë. Vetëm kush arrin që të zbusë konfliktin për shtetin e së drejtës, mund të bëjë përparime me projektet e tjera europiane. Për ndryshimin e klimës, migracionin, digjitalizimin, politikën ekonomike mund të punohet vetëm nëse ekziston bashkëpunimi, vendosmëria dhe luftohen forcat centrifugale brenda 27 shteteve të BE. Për këtë janë duke u zhvilluar aktualisht këshillime në një konferencë të organizuar nga BE me titull „Konferencë për të ardhmen e Europës", në të cilën qeveria gjermane nuk ka sjellë deri tani ndonjë ide të rëndësishme. 

Një gjë e tillë duhet të ndryshojë pas zgjedhjeve, mendon eksperti i BE-së në Bruksel, Janis Emmanouilidis: „Do ishte mirë të jepej ndonjë ide se në çfarë drejtimi duhet të ecë Europa në të ardhmen. Dikush duhet të japë drejtimin. Megjithatë unë nuk jam shumë i sigurt se një impuls i tillë do të vijë nga qeveria e re e Berlinit." Janis Emmanouilidis mendon se qeveria e re do të bëjë atë që ka bërë gjithnjë deri tani kancelarja Merkel: menaxhimin e krizave, zgjidhjen e krizave. „Kancelari ose kancelarja e re duhet të marrin përgjegjësinë për ta futur BE në një terren të ri, sapo të kalojë krizën." 

 

Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE