1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dhe NATO pranojnë vullnetin e shumicës së malazezëve

Viron Gjymshana22 Maj 2006

Bashkimi Europian dhe Aleanca Atlantike përshëndetën mbarëvajtjen e referendumit në Mal të Zi dhe deklaruan se do të pranojnë vullnetin e shumicës së popullit malaze për pavarësi.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop SchefferFotografi: AP

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Atlantike, Jaap de Hop Scheffer duke iu referuar pasojave që mund të ketë pavarësia e Malit të Zi në të ardhmen e Kosovës, deklaroi se këto janë dy procese të ndryshme që nuk mund të krahasohen me njëri tjetrin.

« E ardhmja e Kosovës do të vendoset pas negociatave që po udhëhiqen në emër të OKB-së nga Marti Ahtissari » - deklaroi shefi i NATO-s.

Shefi i politikës së jashtme të bashkimit europian, Havier Solana dhe sekretari I përgjithshëm i Aleancës Atlantike Jaap de Hop Scheffer, gjatë një konference të përbashkët shtypi që dhanë sot në selinë e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian në Bruksel përshendetën me fjalë shumë të ngrohta mënyrën e mbarëvajtjes së referenduminë Mal të Zi. Por nga ana tjetër të dy personalitetet euroatlantike, pasi pranuan si të vlefshëm rezultatin e këtij referendumi, pra pavarësinë e Malit të Zi u treguan shumë të përmbajtur dhe të kursyer në deklaratat e tyre rreth së ardhmes së shtetit të ri ballkanik.

« Megjithëse po presim rezultatet përfundimtare, të dhënat e deritanishme tregojnë se ata që votuan pro e arritën korumin e kërkuar prej 55 % në favor të pavarësisë - deklaroi Solana.

« Pa diskutim që Bashkimi Europian do të respektojë vullnetin e zgjedhësve në Mal të Zi dhe e njëjta gjë shpresojmë se do të ngjasë nga të dyja palët e përfshira në këtë referendum » - shtoi ai.

Nga ana e tij sekretari i përgjithshëm i Aleancës Atlantike pohoi po ashtu se duket se 55 për qind e malazezë kanë votuar në favor të pavarësisë. Duke iu referuar pasojave që mund të kishte pavarësia e Malit të Zi në të ardhmen e Kosovës, Scheffer deklaroi se « këto janë dy procese të ndryshme që nuk mund të krahasohen me njëri tjetrin. E ardhmja e Kosovës do të vendoset pas negociatave që po udhëhiqen në emër të OKB-së nga Marti Ahtissari » - deklaroi shefi i NATO-s.