BE dhe OKB duan një rend global multilateral
24 Shtator 2018Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara janë partnerë shembullorë, që ndajnë të njëjtat shqetësime për multilateralizmin dhe rendin botëror të bazuar tek rregullat dhe ligjet. Ky është mesazhi kryesor i takimit të presidentit të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker dhe Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara António Guterres, të dielën pasdite në Nju Jork.
"Ne mbështesim sistemin e UN sepse është një për një të ardhme shumë të mirë”, tha Juncker. Mbështetja i duhet Sekretarit Gueterres, i cili ka filluar një iniciativë në mbështetje të multilaterizmit. Dhe mbështetjen e morri plotësisht. "Ne e mbështesim iniciativën për reformimin e UN”, siguroi Juncker.
Iniciativa e filluar nga Gueterres është nënshkruar deri tani nga 128 shtete, mes tyre edhe Shqipëria dhe Gjermania. "Është kënaqësi për mua të konfirmoj edhe një here partneritetin tonë. Ne kemi sfida të mëdha përpara,” tha Gueterres.
Përfaqësues nga e gjithë bota mblidhen të hënën në Nju Jork, në takimin e nivelit të lartë për paqen që mban emrin e Nelson Mandelës. Aty ata pritet të dalin me një deklaratë për forcimin e OKB.
Ditën e martë zhvillohet takimi i nivelit të lartë kundër drogës, ku do të marrë pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili, siç është raportuar më parë do të fokusohet kryesisht tek roli i Shteteve të Bashkuara dhe raportet që SHBA kërkon të ngrejë me vende të ndryshme të botës. Një vit më parë Trump e pati kritikuar ashpër organizatën botërore të OKB për mungesë eficience.