1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE - Lindje e Afërme

26 Janar 2012

Të enjten (26.1.) përfundon afati i Kuartetit për Lindjen e Afërt. Izraelitët dhe palestinezët duhet të dorëzojnë propozimet për vijën e ardhshme kufitare.

Ashton, Abbas, Westerwelle, Peres (fotomontazh)
Ashton, Abbas, Westerwelle, Peres (fotomontazh)Fotografi: picture-alliance/dpa/AP/DW-Fotomontage

Më parë ishin Condoleezza Rice dhe Hillary Clinton, ministret e jashtme të SHBA-së dhe i dërguari i posaçëm George Mitchell, të cilët shfaqeshin rregullisht në Jeruzalem dhe Ramallah. Ata donin të çonin përpara procesin e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe dështuan. Ndërkohë SHBA-ja është tërhequr faktikisht nga diplomacia në Lindjen e Afërt dhe evropianët përpiqen të mbushin vendin e lënë bosh nga amerikanët. Rregullisht dhe me konsekuencë e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton udhëton për në Lindjen e Afërt, çdo dy ose tre muaj.

Të mërkurën (25.1.) ajo nënshkroi në Gazë një marrëveshje me UNHCR-në, agjencinë e Kombeve të Bashkuara për refugjatët.  Sipas saj BE-ja merr peshën kryesore në financimin e agjencisë me një shumë prej 55 milionë eurosh. Paratë shkojnë për arsim, shëndetësi dhe ndihmë sociale për më të varfrit në Gazë. Zonja Ashton kërkon megjithatë më shumë se kaq, siç deklaroi vetë në Gazë: „Unë besoj në një zgjidhje me dy shtete dhe besoj në negociatat të cilat duhet të fillojnë menjëherë për arritjen e kësaj zgjidhjeje. Unë jam këtu për të çuar përpara pikërisht këtë: negociata të vërteta, të cilat kanë në qendër të vëmendjes nevojat emergjente, kryesisht të popullit palestinez.“

BE-ja në rolin e vepruesit me synim

Bashkimi Evropian ka marrë rolin e aktivistit në Kuartetin e Lindjes së Afërt. Amerikanët duket se e kanë humbur besimin në arritjen e paqes në Lindjen e Afërt, rusët nuk janë angazhuar asnjëherë vërtet dhe Kombet e Bashkuara kanë besim tek zonja Ashton. Tani ajo mori mbështetje nga Berlini. Ashton emëroi Andreas Reinicken të dërguar të posaçëm të BE-së për procesin e paqes në Lindjen e Afërt. Aktualisht Reinicke është ende ambasadori gjerman në Siri. Nga 1 shkurti ai do të jetë në krah të baroneshës Ashton si i dërguar i posaçëm dhe do të ketë një "rol kyç" në përpjekjet për të risjellë në tryezën e bisedimeve izraelitët dhe palesinezët. 

Baronesha Ashton ka nevojë urgjente për përforcim pasi në negociatat që zhvillohen në Amman prej fillimit të janarit nuk është bërë asnjë hap përpara. Takimi duhet të përgatisë mbajtjen e bisedimeve thelbësore. Kuarteti i Lindjes së Afërt ka vënë një afat për palët kundërshtare. Deri të enjten (26.1.) ato duhet të paraqesin propozime për vijën e ardhshme kufitare mes një shteti palestinez dhe Izraelit dhe për rregullat e sigurisë. Palestinezët e kanë respektuar afatin, izraelitët jo.

Andreas Reinicke, i dërguari i posaçëm i BE-së në Lindjen e AfërtFotografi: picture-alliance/dpa

Pesimizëm në bisedimet për Lindjen e Afërt

Të mërkurën (25.1.) u takuan për herë të pestë në Amman negociatorët, izraeliti Jitzhak Molho dhe palestinezi Saeb Erekat. Sipas informacioneve të gazetës izraelite "Ha`aretz" në takimin e mëparshëm të shtunën (21.1.) kishte patur konfrontime të ashpra. Molho donte të diskutonte hollësisht për çështjet e sigurisë. Erekat kishte kërkuar nga bashkëbiseduesi izraelit të paraqiste fillimisht propozimin e tij për vijën kufitare dhe rregullat e sigurisë.

Pala izraelite kundërshton përfundimin e afatit të Kuartit të enjten dhe kërkon të vazhdojë deri në fund të marsit bisedimet për çështjet e kufirit dhe sigurisë. Palestinezët nuk e pranojnë këtë. Ata janë gati të vazhdojnë negociatat vetëm pasi delegacioni izraelit të paraqesë një propozim konstruktiv.

Autor: Sebastian Engelbrecht / E. Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti