BE e shqetësuar për euron
13 Shkurt 2013
Në disa vende të BE është e përhapur frika prej një euroje të fortë. Franca ka frikë sidomos që në të ardhmem mund të shtrenjtohen eksportet në vende që kanë monedha të tjera. Ministri i Financave Pierre Moskovici kërkon që të ceprohet në mënyrë të koordinuar ndaj goditjeve të forta dhe që kursi i euros të mos lihet vetëm në dorë të tregut. Sipas Komisionerit të Çështjeve Monetare Olli Rehn sidomos vendet deficitare të Evropës Jugore vuajnë prej euros së fortë.
Përfaqësuesit e BE-së duan ta diskutojnë çështjen e kursit të këmbimit të euros në një takim në raundin e G-20 që zhvillohet këtë fundjavë në Moskë.
Po bie numri i vendeve të punës në industri
Shumica e shteteve janë duke luftuar recesionin dhe papunësinë e lartë. Komisioneri Rehn është veçanërisht i shqetësuar sepse në bazë të të dhënave të komisionit vetëm në katër shtetet më të mëdha anëtare të BE-së Gjermani, Britani, Francë dhe Itali janë mbyllur në dhjetë vitet e fundit 2.5 milionë vende pune në sektorin industrial. Rehn kërkoi përpjekje për ta ndaluar këtë prirje dhe vazhdimin e kursit të reformave.
Edhe ministri gjerman i Financave kërkoi që të mos ndërpritet vrulli i reformave. "Ideja është që çdokush i zgjidh problemet e tij. Kështu kemi bërë përpara në Evropë. Dhe ne ndihmojmë për këtë." - tha ministri gjerman i Financave.
Jo shembulli i Greqisë për Qipron
Komisioni i BE-së i kundërshtoi spekullimet rreth një falje borxhesh për Qipron sipas shembullit të Greqisë. Komisioneri i Çështjeve Monetare Olli Rehn tha pas një takimi të ministrave të Financave të BE-së se autoritetet në Bruksel nuk po punojnë për ndonjë pjesëmarrje të sektorit privat në një paketë shpëtimi për Qipron. "Greqia është një kandidat i veçantë dhe një rast i izoluar" - tha ai. Megjithatë mbeti e paqartë nëse personat që kanë llogari në bankat qipriote do të jenë me humbje - një hap që Qiproja e refuzon. Për këtë Rehn iu shmang përgjigjes së drejtpërdrejtë. Qëllimi është një ndarje e drejtë e barrës për rikapitalizimin e bankave. "Ne jemi duke punuar për një zgjidhje për Qipron, e cila siguron edhe mundësinë për të përballuar borxhe dhe një qëndrueshmëri financiare," tha Rehn.