1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE fton 17 vende jo anëtare në samitin e Pragës

23 Shtator 2022

Në samitin joformal të Komunitetit Politik Evropian më 6 tetor në Pragë të Çekisë do të jenë të ftuara edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

EU-Ungarn | Orban mit EU-Regierungschefs
Fotografi: Nicolas Maeterlinck/BELGA/AFP/Getty Images

Nisma e presidentit francez Emmanuel Macron për të krijuar një Komunitet Politik Evropian po nis të kristalizohet. Takimi i parë i këtij komuniteti të ri pritet të jetë në Pragë të Çekisë, e cila këtë gjashtëmujor është presidente e radhës së BE-së. Siç bëjnë të ditur burime të DW në Bruksel, kryesia çeke e radhës, krahas 27 anëtarëve të BE-së, ka ftuar në samitin joformal, edhe 17 vende të tjera jo anëtare të BE-së. Ftesat iu nisën të enjten, 22.09.22 kancelarive të këtyre vendeve, bëhet e ditur nga një zyrtar i BE-së në Bruksel.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, dhe kryetari i radhës, kryeministri çek, Petr Fiala, kanë ftuar ndër të tjera edhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i ZI, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi. Gjithashtu ftesa janë dërguar edhe në Ukrainë, Turqi, Britaninë e Madhe, Zvicër, Norvegji, Islandë, Lihtenshtajn, Moldavi, Gjeorgji, Armeni dhe Azerbajxhan.

Në takimin joformal do të flitet për paqen dhe sigurinë, energjinë dhe klimën, për gjendjen ekonomike dhe migracionin. Nuk është planifikuar që të dilet me ndonjë deklaratë përfundimtare, bëhet e ditur nga Brukseli. Takimi do të zhvillohet në Pragë, më 6 tetor, një ditë para samitit joformal të BE-së (7.10.). BE synon të organizojë një ose dy takime të tilla në vit. Qëllimi i këtyre takimeve është një koordinim më i mirë me të gjitha vendet e kontinentit. Në samit do të ketë edhe takime bilaterale mes vendeve.

Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron Fotografi: Thibault Camus/AP Photo/picture alliance

Ideja për krijimin e një Komuniteti Politik Evropian u soll në maj të këtij viti nga presidenti francez Emmanuel Macron, kur Franca mbante kryesinë e radhë së vendeve evropiane. Pas kësaj nisme qëndron dëshira për të përmirësuar bashkëpunimin me ato vende partnere të BE-së, që nuk mund ose nuk duan të hyjnë menjëherë në BE, siç janë vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina, por edhe vende si Norvegjia, Zvicra apo Britania e Madhe.

Gjermania e mbështet idenë e Francës. Megjithatë, kancelari gjerman Olaf Scholz në një fjalim të mbajtur në gusht 2022 në Pragë, theksoi se ky projekt nuk duhet kuptuar kurrsesi si një projekt që zëvendëson zgjerimin e BE-së.

 

ash/ag