BE hap kapitullin e fundit të bisedimeve me Shqipërinë
17 Nëntor 2025
Komisioni Evropian bëri të ditur në një njoftim të posaçëm se ka hapur grupkapitullin e fundit në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në takimin e shtatë të konferencës së anëtarësimit me Shqipërinë nisën negociatat për burimet, bujqësinë dhe kohezionin, në Grupkapitullin 5.
Marie Bjerre, Ministre e Çështjeve Evropiane e Danimarkës, e cila ka Presidencën e radhës të BE, theksoi se "zgjerimi është një domosdoshmëri gjeopolitike për BE-në dhe një prioritet kyç për Presidencën daneze. Anëtarësimi i partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor, sapo të kenë përfunduar reformat e nevojshme, është shumë i rëndësishëm. Hapi i sotëm për të hapur grupin e fundit të negociatave me Shqipërinë tregon angazhimin e vendit për të vazhduar në rrugën drejt anëtarësimit në BE."
Kjo hapje pason raundet e mëparshme mbi 'Të Drejtat Themelore', 'Marrëdhëniet e Jashtme', 'Tregun e Brendshëm', 'Konkurrueshmërinë dhe Rritjen Inkluzive' dhe 'Agjendën e Gjelbër dhe Lidhshmërinë e Qëndrueshme', të cilat nisën midis tetorit 2024 dhe shtatorit 2025.
Komisionerja e BE, Marta Kos, nga ana e saj e vlerësoi hapjen e grupkapitullit të fundit si "një ditë të veçantë, jo vetëm për Shqipërinë...por edhe për BE". Edhe Kosi pranoi se ky hap është rezultat i punës së autoriteteve dhe i qytetarëve shqiptarë.
Përballë disa kritikave për deklarata mbështetjeje nga BE për shtetet aspirante, por të cilat nuk ndiqen nga vepra, Marta Kosi kujtoi se hapja e grupkapitullit të fundit "tregon se Bashkimi Europian ofron rezultate dhe se mund të mbështetemi te Shqipëria”.
Ajo kujtoi hapin tjetër, se pas hapjes së grupkapitujve, mbyllja e tyre do të varet nga shpejtësia dhe serioziteti i miratimit e zbatimit të legjislacionit.
Monitorimi i përparimit në harmonizimin dhe zbatimin e acquis-it të BE-së vazhdon gjatë gjithë negociatave. BE ka vendosur gjithashtu parametra për mbylljen provizore të kapitujve në Grupkapitullin 5.