BE hap tregun e shërbimeve të vendeve anëtare
16 Shkurt 2006
Qeveria gjermane e përshëndeti miratimin e direktivës së shumëdebatuar për sektorin e shërbimeve të BE. Kjo direktivë u hap shanse ofruesve gjermanë në tregjet e BE, tha ministri gjerman i ekonomisë, Mihael Glos. "Ne tani mund të fokusohemi në ofrimin e përfitimeve të vërteta ekonomike për konsumatorët dhe kompanitë,", tha eurodeputeti Malcolm Harbour, i cili punoi për tekstin i ngarkuar nga Partia Konservatore Popullore, grupi më i madh politik në parlament.
Direktiva për sektorin e shërbimeve, të cilën Komisioni Evropian e vuri në tryezë fillimisht në vitin 2004, synon të krijojë një treg evropian të shërbimeve, të lirë nga shumica e pengesave administrative dhe politike, të cilat aktualisht po i pengojnë ofruesit e shërbimeve që të hapin dyqane në shtete të tjera anëtare. Mbështetësit e direktivës thonë se ajo do të gjenerojë vende pune, shumë të kërkuara në bllokun e 25 shteteve anëtare.
Sektori i shërbimeve është përgjegjës për gjysmën e aktivitetit ekonomik në BE dhe për 60% të vendeve të tij të punës. Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE thotë se reformat kanë rëndësi esenciale për të nxitur punësimin dhe rritjen ekonomike në ekonominë evropiane.
Kjo direktivë, e cila duhet të miratohet edhe nga Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare do të mbulojë cdo shërbim që nuk përjashtohet shprehimisht ose që mbulohet nga legjislacioni ekzistues i BE. Partia Popullore Evropiane dhe socialistët, dy partitë më të mëdha të Parlamentit Evropian ranë dakord që shërbimet e shëndetësisë dhe ato sociale, si shtëpitë sociale dhe kujdesi për fëmijët të përjashtohen nga direktiva e re, si edhe shërbimet si arsimi, të cilat ofrohet drejtpërdrejt nga shteti.
"Ajo që siguruam tani është një direktivë, e cila në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë nxit hapjen e tregjeve, redukton ndalimet dhe thjeshtëson mënyrën e të vepruarit", u tha socialdemokratja gjermane Evelyne Gebhardt gazetarëve. Në të njëjtën kohë, unë besoj se ajo merr parasysh të drejtat e punonjësve dhe të qytetarëve.
Marrëveshja, e aprovuar me 394 vota pro përballë 215 kundër do t'u lejojë kompanive të ofrojnë shërbimet e tyre kudo në BE, por do të kërkojë prej tyre të pranojnë standardet e punës, shëndetit, sigurisë dhe mbrojtjes së ambjentit të vendit mik.
Kundërshtarët e direktivës, Gjermania, Franca dhe Austria druhen për depërtimin e punës së lirë, të përmbledhur me frazën "depërtuesit polakë", të gatshëm të punojnë më gjatë për më pak para- gjë që do të dëmtojë konkurentët lokalë.
Mbështetësit e tregut të lirë, si Britania dhe shtetet e reja anëtare lindore të BE thonë se direktiva është e nevojshme për të rritur konkurencën në BE.
Kjo marrëveshje megjithatë është shumë e dobët për disa mbështetës të saj. Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian dhe parlamentari hungarez Jozef Szajer shkroi në numrin e djeshëm të FINANCIAL TIMES se një shumicë për një propozim me bazë më të gjerë ende mund të gjendet dhe u bëri thirrje ligjvënësve të votojnë kundër kompromisit.