BE i siguron Greqisë financimin
18 Korrik 2015Para negociatave, që do të zhvillohen për paketën e tretë të ndihmës, vendet e BE i siguruan Greqisë një financim kalimtar, në mënyrë që ajo të mund të paguajë kreditë e prapambetura të hënën. 28 shtetet anëtare miratuan të premten dhënien e shtatë miliardë eurove nga fondi i vjetër i shpëtimit EFSM, bëri të ditur zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së Valdis Dombrovskis. Të hënën do të hapen përsëri bankat, por kufizimi i shumave, që mund të tërhiqen, mbetet.
Bundestagu aprovon bisedimet për ndihma të tjera për Greqinë
Bundestagu gjerman votoi të premten pasdite në favor të programit të tretë të ndihmës. Nga 598 deputetët që votuan, 439 votuan pro, bëri të ditur kryetari i Parlamentit Norbert Lammert pas seancës së posaçme në Berlin. 119 votuan kundër kërkesës së qeverisë dhe 40 abstenuan.
Parlamenti gjerman i dha në këtë mënyrë qeverisë mandatin që të negociojë në kuadër të vendeve të Eurozonës për kredi të tjera ndihme deri në 86 miliardë euro. Bundestagu do të votojë përsëri për rezultatin. Kjo pritet të ndodhë pas disa javëve.
Deri atëherë Greqia e rrezikuar nga falimentimi do të mbahet në jetë me një financim kalimtar, i cili u miratua gjithashtu nga deputetët. Votimi u parapri nga debate të ashpra. Të Gjelbrit dhe të Majtët akuzuan koalicionin se me kursime dhe reforma do t'i merret edhe më shumë fryma ekonomisë së vendit mesdhetar.
Me gjithë përpjekjet për të promovuar paketën e re të ndihmës kancelarja Angela Merkel bëri të qartë se qeveria e saj nuk i quan të mjaftueshme deklaratat e Athinës për realizimin e synimeve. Që brenda partisë së saj ka më shumë rezerva në lidhje me Greqinë, u bë e qartë gjatë votimit: 65 deputetë të grupit të saj parlamentar CDU/CSU votuan kundër programit të ri të ndihmës për Greqinë, duke devijuar në këtë mënyrë nga linja e qeverisë dhe e udhëheqjes së grupit parlamentar.
Shans i vërtetë për Greqinë
Edhe parlamenti austriak dha miratimin e tij të premten pas një debati të nxehtë. Kancelari austriak Werner Faymann foli për një "shans të vërtetë" për Greqinë. Më parë kishin thënë po edhe parlamente të tjera të shteteve të Eurozonës duke përfshirë edhe Francën dhe Finlandën. Shefi i Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem përshëndeti votat e Berlinit dhe Vjenës për hapjen e rrugës për negociatat për një program të tretë të ndihmës.
"Kjo nuk do të jetë e lehtë", paralajmëroi Dijsselbloem."Ne jemi të sigurtë se në vitet e ardhshme do të ballafaqohemi me disa probleme, por besoj se do të jemi në gjendje t'i zgjidhim." Vendet e Eurozonës kanë tani kohë deri në gjysmën e dytë të muajit gusht, për të përgatitur programet e ndihmave, tha Dombrovskis para gazetarëve. Ai shpreson se do të ketë një financim afatgjatë dhe nuk do të jenë më të nevojshme kredi të tjera emergjente.
Sipas vlerësimeve të donatorëve ndërkombëtarë Greqisë në tre vitet e ardhshme i nevojiten 82 deri 86 miliardë euro. Programi ESM do të përfshijë rreth 50 miliardë euro. Pjesa tjetër e parave do të vijë përmes FMN-së dhe të privatizimeve në Greqi. Athina nga ana e saj është e detyruar të zbatojë masat e kursimit dhe të reformave, disa nga të cilat u miratuan të mërkurën në parlament.
Ndryshime në kabinetin qeveritar grek
Nderkohë kryeministri grek Alexis Tsipras bëri disa ndryshime në kabinetin qeveritar, duke larguar kritikët e marrëveshjes së Greqisë me Eurogrupin. Ministri i deritanishëm i Punës Panos
Skourletis zëvendëson ministrin e Energjetikës Panagiotis Lafazanis. Ministër i ri i Punës do të jetë George Katrougalos. Zëvendësministër i Financave emërohet Tryfon Alexiadis në vend të Nadia Valavanit, që dha dorëheqjen.