1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja dhe Ballkani Perëndimor

Bernd Riegert5 Prill 2006

Vihet në pikëpyetje kursi i zgjerimit të BE-së. Ndërkohë vazhdon ngurrimi për Serbinë dhe Malin e Zi

Yjet simbol të BE-së
Yjet simbol të BE-së

Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Oli Rehn, e ndjen rezistencën brenda vendeve anëtare të BE-së. Kursi i deritanishëm i zgjerimit të Unionit me vendet nga Ballkani Perëndimor po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje. Rehn nuk lodhet së deklaruari perspektivën evropiane, si rruga e vetme për një Ballkan të paqtë dhe të stabilizuar.

Presidenti i radhës së këshillit të BE-së, kancelari austriak Volfgang Shysel, dhe një sërë politikanësh konservatorë nga Gjermania preferojnë të tërheqin vëmendjen për aftësinë e kufizuar absorbuese të BE-së. Madje edhe vetë Bullgaria dhe Rumania, anëtarësimi i të cilave është garantuar në mënyrë kontraktuese për më së voni deri në vitin 2008, janë të vështira për t´u absorbuar, tha së fundi kryeministri i landit të Nordrajn-Vestfalisë, Jyrgen Rytgers gjatë një vizite në Bruksel.

Kundrejt shteteve të Ballkanit edhe njëmbëdhjet vjet pas fundit të luftës në Bosnjë dhe shtatë vjet pas luftës në Kosovë, në BE mbizotëron një mosbesim i thellë. Ndonëse komisioneri i BE-së për zgjerimin vlerëson vullnetin e mirë të qeverive të të gjitha shteteve si dhe përparimet e bëra, ende problemet e shteteve të coptuara etnike si Bosnje-Hercegovina dhe Serbia e Mali i Zi konsiderohen të mëdha: kriminaliteti i organizuar, kontrabanda me njerëz, korrupsioni. Këto janë kryefjalët, që lakohen në çdo diskutim në Bruksel lidhur me vendet e Ballkanit.

Në Bruksel nuk ndjehet ndonjë entuziazëm për pranimin e shteteve të Ballkanit nga Kroacia e deri tek Shqipëria si dhe për realizimin e plotë të procesit të bashkimit evropian. Në këtë drejtim aktorët e Brukselit nuk nxitohen, as sa u përket ministrave të jashtëm dhe as Komisionit te BE-së. Komisioneri i zgjerimit Rehn duke prezantuar në fillim të vitit strategjinë e zgjerimit bëri të qartë, se ai preferon me mirë që të vendosë frenat. Rrespektimi i kritereve dhe kushteve, që ka parashtruar Komisioni për hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit, duhet të verifikohen me rigorozitet, edhe në këtë mënyrë mund të fitohet kohë.

Në këtë kontekst duhet të merret parasysh edhe ngurrimi ndaj qeverisë së Beogradit në sfondin e ecejakeve lidhur me të dyshuarin dhe të kërkuarin me urdhër-arresti për krime lufte Ratko Mlladiç. Qysh prej një viti rasti Mlladiç bllokon fillimin zyrtarisht të bisedimeve për marrëveshjen e asocijim-stabilizimit me Serbinë dhe Malin e Zi, marrëveshje kjo që përbën hapin e parë në rrugën drejt bisedimeve të antarësimit.

Tani Oli Rehn e ka shtyrë sërish edhe për katër javë ultimatimin e tij. Kjo lojë mund të shtyhet në pafundësi, sepse në sfond kemi të bëjmë me vendndodhjen e panjohur të ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç.

Beogradi e ka vetë në dorë që t´u japë fund këtyre ecejakeve dhe të ekstradojë për në Hagë edhe kriminelin e fundit të luftës që vazhdon të jetë i lirë. Megjithatë edhe BE-ja mund ta bëjë hapin e parë dhe të hapë bisedimet me Serbinë dhe Malin e Zi, nëse vërtetë e ka për zemër këtë. Në rastin e Kroacisë bisedimet e anëtarësimit filluan tetorin e kaluar, edhe pse gjenerali i kërkuar Ante Gotovina ende nuk ishte arrestuar.

Me Serbinë dhe Malin e Zi, ish kundërshtaren e NATO-s në luftën e Kosovës, BE-ja e ka të vështirë. Ky vend është në rendin e fundit të listës në rrugën drejt anëtarësimit. Me Bosnje-Hercegovinën qysh nga fillimi i vitit po negociohet intensivisht për marrëveshjen e asocijim-stabilizimit. Me Shqipërinë këto bisedime kanë përfunduar dhe pritet nënshkrimi përfundimtar i kësaj marrëveshjeje. Maqedonia tashmë e ka marrë statusin e kandidatit dhe Kroacia po negocion për anëtarësimin konkret.

Edhe nëse bisedimet e së mërkurës mes BE-së dhe Serbisë e Malit të Zi do të nisin formalisht, ato nuk presupozojnë ndonjë ndryshim të madh: Brukseli fillimisht do të presë të shohë, ç´qëndrim do të mbajë Serbia dhe Mali i Zi në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. A është i gatshëm Beogradi për kompromis dhe a do të pranojë ai pavarësinë e gjerë për Kosovën, gjë që shumica e evropianëve e konsiderojnë të pashmangshme? Apo Beogradi do të bllokojë? Do të pritet gjithashtu, se si do të zhvillohet bashkësia shtetërore Serbi Mali i Zi. Në Mal të Zi në maj popullsia do të vendosë me referendum për pavarësinë shtetërore.

Komisioneri i zgjerimit Oli Rehn me të drejtë paralajmëron, që të mos ketë ngurtësim në data simbolike apo në bisedimet. Prej këtyre nuk varet as nderi kombëtar i Serbisë dhe as kredibiliteti i Evropës. Shumë më e rëndësishme është që shtetet e Ballkanit të bashkëpunojnë më mirë dhe më hapur midis tyre në frymën evropiane. Pajtimi kombëtar dhe zona e lirë e tregtisë në Ballkan duhej të ishin bërë me kohë realitet. Finlandezi Rehn detyrën e shteteve të Ballkanit e ka përshkruar në mënyrën e tij të qetë me një citat të Kenedit: "Mos pyesni gjithmonë vetëm, se ç´mund të bëjë Evropa për ju, por pyesni vetveten, se ç´mund të bëni ju për Evropën."

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW